Lubonja i përgjigjet Kryeministrit: Për Edi Ramën që nuk shqyen pula, por është i rrezikshëm për vendin

Analisti Fatos Lubonja i është përgjigjur deklaratave të Kryeministrit Edi Rama që bëri nga studio e emisionit “Të Paekspozuarit”, për të cilin tha se ai dhe Andi Bushati hanë pula.

Në një reagim për “Panoramën”, Lubonja shpjegon përse Kryeministri ka nisur sjellje ofenduese ndaj mediave dhe gazetarëve.

Pjesë nga analiza e Fatos Lubonjës:

Shfaqjen e Ramës  në emisionin “Të paekspozuarit” e ndoqa me vëmendje  jo vetëm për arsye se është emisioni  në formatin e të cilit bëj pjesë, por edhe pse shumë njerëz më morën në telefon për të më pyetur se pse nuk isha aty sëbashku me Bushatin.  Kur u thashë se Edi Rama nuk vinte në emision po të ishim ne,  një pjesë shprehën habinë, duke më kujtuar se me ne ishin ulur përballë edhe lideri i opozitës Basha edhe Kryetari i kuvendit Ilir Meta; të tjerë thanë “sjellje “normale” kjo për Ramën”. Megjithatë, të dy palët nuk e kanë pritur, besoj, që Rama, në vend se të mos merrej me ne personalisht, përderisa nuk kishte dashur të ishim aty, do të bënte krejt të kundërtën.

Sikurse u pa, lajtmotivi i diskursit të tij ishin “gazetarët  e katundit”, si unë dhe Bushati, që, sëbashku me Ylli Rakipin, “hamë pula dhe prodhojmë gjellë qensh” dmth. mut. Në momente të tjera “gjellën e qenve” që ne prodhojmë ai e quajti “fake news”. Arsyen se pse gazetarët e katundit e prodhojnë këtë gjellë e shpjegoi me atë se janë të blerë me lekët që ua japin ata që kanë interesa kundër tij, – ndërsa unë e prodhoja edhe pa lekë, nga marrëzia.

Kështu, sipas Ramës, ideja se vendi është në krizë morale, ekonomike, politike është një lajm i rremë, kurse Shqipëria përtej katundit, jeton e punon e lumtur nën udhëheqjen e tij dhe të Rilindjes së tij.

Në këtë shkrim nuk dua t’i drejtoj Ramës replikat  e munguara, por s’mund të mos ve në dukje, se fakti që ai na hoqi me kaq lehtësi nga emisioni tregon se, nëse ka një “katund mediatik” këtu tek ne, – dhe jo me shtëpi fshati, por me vila dhe pallate luksoze shumë milionëshe, – ky është katundi i ngritur sipas projektit të tij, me paratë publike e me lejet e tij të ndërtimit të dhëna sipas parimit “një pallat një votë”. Në këtë aspekt sjellja dhe fjala e tij në atë emision  kundër nesh ishte shprehje e nevojës së sëmurë për të dëbuar nga ekrani edhe ata pak gazetarë që ende qarkullojnë të lirë në katundin e tij.  Ishte gjithashtu edhe ilustrimi më i mirë i portretizimit që i kam bërë si politikan i rrezikshëm për vendin sepse i paaftë për të dëgjuar kritikën, për të ndryshuar sadopak mendim nën ndikimin e kujtdo që i thotë të vërteta që shkojnë kundër nevojave të patologjisë së tij prej narçizisti malinj.

Megjithatë, besoj se duke vazhduar detyrën e gazetarit, vlen të merremi me tezën manipulative që ka hedhur Kryeministri lart e poshtë, e që qarkullon deri në rrethe diplomatike, se në Shqipëri punët shkojnë bukur e mirë me këtë qeveri, por se kriza është produkt i interesave të një opozite që ka frikë nga Vetingu dhe nga humbja e zgjedhjeve dhe e ndoca gazetarëve që hanë pulat që ua jep Basha dhe miku-armiku i tij Ilir Meta për të prodhuar “fake news”.

/Burimi: Gazeta Panorama/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne