Lubonja: Rama rrezik institucional, mohon rolin e tyre

Analisti Fatos Lubonja u shpreh se dëgjesat e Edi Ramës me qytetarët e Vlorës ditën e sotme, janë një “show” i tij pas fitores në zgjedhje.

Sipas Lubonjës, Rama duhet të diskutojë me ekspertët dhe specialistët problematikat në vend, dhe të mos anashkalojë institucionet.

Lubonja shprehet se kjo mënyrë që po ndjek Rama është tërësisht populiste dhe e shëmtuar si imitim.

“Në vend që të diskutojë me ekspertë e specialistë situatën dhe mënyrat si do të veprojë për ta zgjidhur atë, ai po bën show sikur është në fushatë. Kjo është mënyra si e kupton ai politikën. Ana tjetër e medaljes, është ky popull. Sepse ky popull këtë feste do. Zihen aty se kush do marrë mikrofonin. Kjo lloj qeverisje direkt me popullin siç mund të kuptohet nuk është demokratike, dhe është antiinstitucionale. Janë institucionet ato që janë më afër qytetarit. Ky është një lider madhështie që identifikohet me njeriun e pagabueshëm, apo edhe populli mendon se është i pagabueshëm. Padyshim që ankesa ka, por nuk mund të veprohet kështu, apo të zgjidhen kështu. Ankesat e qytetarëve duhet të filtrohen në institucione. Mënyra që po ndiqet është komplet populiste, e shëmtuar si imitim”, – tha Lubonja.

Teksa ka analizuar mënyrën sesi do të jetë sipas tij qeverisja në 4 vitet e ardhshme, Lubonja thotë se nisur nga ajo që po duket deri më tani, nuk pritet shumë ndryshim. Sipas Lubonjës pas veprimeve të Ramës qëndrojnë oligarkët.

“Nga sistemi i tepsisë, dalim tek ky i lidhjes direkt me popullin. Eliminohen institucionet, mediat, po e po, i quajti kazani, dhe shoqërinë civile e ka quajtur të vdekur me kohë. Kjo mund të na sjellë pasoja më të këqija nga ç’i kemi menduar. Nuk duhet ta mendojmë vetëm Ramën në këtë. Pas Ramës është një oligarki e tërë, një sistem që po punon me formën e piramidave të viteve ’97. Tani janë paratë e pista që po pastrohen, që nuk dihet ku do na çojnë”, – u shpreh Lubonja.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne