Lufta 183 ditore e Shkodrës!

nga Indrit Vokshi.

Kombet frymëzohen tek lufta. Sepse vdekja në betejë është shkalla më e lartë e sakrificës për njerëzit e tu dhe nderin e tyne, për tokën dhe lirinë, për ta gëzuar jetën. Krahas punës për komunitetet, arsimin, institucionet, mbrojtjen e pronsisë, zhvillimin e ekonomisë dhe shpalosjen e talenteve, vjen fronti, vdekja në betejë për të gjitha këto së bashku!
SHBA-të, Rusia, Turqia që përlavdon Çanakkalanë dhe Luftën për Pavarësi të 1919-1923 të finalizume në Kemal pasha e Izmir, Britania, Greqia me Revolucionin 1821 prej tek Beteja e Tripolicas dhe deri në luftën italo-greke në 1940, Serbia prej në mesjetë e deri tek “Migrimi i Madh” në Luftën e Parë dhe me rradhë.
Po Shqiptarët? Pak njerëz e dinë e beteja më epike e kohëve tona është “Rrethimi i Shkodrës”. Ishte 183 ditë betejë! Aty ishin 15.000 ushtarë; 5 mijë të ushtrisë dhe 10.000 shqiptarë redife nga Elbasani, Durrësi, Tirana, Kruja, Librazhdi, Kavaja, Peqini. Shkodrën përveçse Shkodra e mbrojti edhe Shqipëria e Mesme. Krahas Hasan Riza pashës, pas vrasjes së tij, Shkodrën e mbrojti Esad pashë Toptani i cili u shpall gjerësisht si “Mbrojtësi i Shkodrës” si nga gazeta “Dielli” e kohës, si nga ushtarakët austriake. Shkruan Eqerem bej Vlora në “Kujtime” se kur shkuam në Vjenë me Esad pashën, ushtarakët austriakë thanë “Erdhi mbrojtësi i Shkodrës”. Komandant i Beratit ishte një tirans plak, Muhmud pashë Jella i cili marshoi me rreth 20.000 ushtarë nga Berati deri në lumin Mat por pa mundur t’i bashkohet pjesës tjetër të ushtrisë. Ndërkohë beu i ri 18 vjeçar Ahmet bej Zogu, marshon nga Mati deri në Kakarriq të Lezhës në krye të 2000 ushtarëve dhe bën disa përpjekje ushtarake jo fort të suksesshme. Populli i Matit i ka kënduar “Ahmet beq, ku i çon kta trima/ n’Karadag, me pre qefina/ Ahmet beq, ku e çon ket ushtri, me luftu me Mal të Zi”.
Aty në atë betejë për 183 ditë ka pasur vuajtje, sëmundje, mungesë ushqimesh, ilaçesh e gjithçka. Mijëra vetë, djem të këtij vendi shumica, të tjerë joshqiptarë nën detyrë në granizonin e Shkodrës, kanë qëndruar, me çmimin e lartë të dhanies së jetës. Mirëpo shumica nuk e di, nuk e ka të qartë, se ua kanë fshehur, cekur rrëshkanas si me siklet. Kjo edhe sepse historiagrafia jonë u rakodrua me atë serbe, kurse në një aspekt tjetër iu shpalli luftë “klasës së urryer të blejlerëve” dhe s’mund të dilte kurrsesi se këta drejtuan luftën, se luftën sipas atyne e drejton gjithmonë fshatarsia, madje kanë shkruar në botimet e Akademisë së Shkencave se edhe Skendërbeu ishte prijës i fshatarsisë. Siç ka shkruar edhe Enver Hoxha “Gjergj Fishta me lahutën e tij, synoi të sjellë përçarje mes nesh dhe popujve të Jugosllavisë”, duke pasur parasysh se Lahuta përlavdëron luftrat e shqiptarëve me Malizn e Zi.

E shkruajta ketë sepse po mendoja mbi luftrat e Greqisë, Serbisë, Turqisë, Gjermanisë, po nigjoja himnin e Polonisë “Marsz, marzs Dabrowski/ zi ziem vloskiej do Polski” i cili ka në thelb marshimin e gjeneralit Jan Henryk Dabrowski dhe, bazat e kombeve të tjera. Këtu ka humbur lufta shkallë eprore sakrifice për vendin. Edhe ajo që është kujtuar është kujtuar në mënyrë banale. Janë fsheur dhe baltosur ata të cilët kanë bërë vërtet beteja. Nuk kujtohen më djemt dhe burra të cilët ndoshta në pamundësi për t’i dhënë vendit diçka tjetër i kanë dhënë të vetmen gjë që kanë pasur në përdorim; jetën.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne