Behar Kaceli
Sudani, prej gati dy vitesh, po lëngon në darën e një lufte të brendshme tepër të përgjakshme dhe të egër. Vetwm se, kohët e fundit ngjarjet kanë filluar të marrin përmasa që “të tërheqin edhe vëmendjen globale”. Veçanërisht pamjet që vijnë nga rajoni i Darfurit, në kuptimin e plotë të fjalës tregojnë se po ndodh një gjenocid. Ndryshe nga ajo që po bën Izraeli në Gaza, këtë herë kemi të bëjmë me një mizori që ndodh brenda botës myslimane. Të vrarët dhe vrasësit, të dyja palët, janë nga e njëjta anë.
Le të kalojmë fillimisht te aktori kryesor i dukshëm i mizorisë, më pas te mbështetësi i tij prapa skene dhe motivi kryesor i këtij të fundit:
Komandanti i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Muhamed Hamideti, ka lindur në vitin 1975 në Kutum, në veri të Darfurit. Që në rininë e tij, ashtu si të gjithë burrat e fisit ku bënte pjesë, u mor me tregtinë e deveve dhe me kalimin e kohës nisi të udhëhiqte karvane me mijëra deve ndërmjet Sudanit, Çadit, Nigerisë dhe Libisë. Pak para shpërthimit të luftës civile në Darfur, pas vrasjes së vëllezërve të tij gjatë një sulmi të organizuar nga fise rivale, ai krijoi një njësi të vetën të armatosur.
Në vitin 2003, kur fiset që ngritën flamurin e kryengritjes kundër qeverisë qendrore në kryeqytetin e Sudanit, Hartum, ndezën kryengritjen që shumë shpejt do të shndërrohej në luftë civile, Muhamed Hamideti mori pjesë në luftime me grupin e të rinjve të armatosur që komandonte. Ky grup, që në Darfur fitoi ndikim më të madh se ushtria e rregullt sudaneze, përbëhej nga forcat paramilitare të vetquajtura “Xhanxhavid”.
Për origjinën dhe kuptimin e fjalës “Xhanxhavid” ekzistojnë tre shpjegime kryesore. Sipas të parit, Xhanxhavidët janë një grup grabitësish dhe plaçkitësish me origjinë nga Çadi, dhe emri i tyre vjen nga rajoni ku janë rritur. Sipas shpjegimit të dytë, emri rrjedh nga një bandit darfurian me emrin Hamid Xhanxhavid. Së fundmi dhe kjo është edhe teoria më e përhapur mendohet se fjala “Xhanxhavid” është formuar nga një term lokal që do të thotë “njësi kalorësish të armatosur”.
Cilidoqoftë shpjegimi i saktë etimologjik, një gjë është e sigurt: Xhanxhavidët nën udhëheqjen e Muhamed Hamidetit kryen një sërë krimesh lufte dhe krimesh kundër njerëzimit gjatë krizës së Darfurit që shpërtheu në vitin 2003. Përleshjet ku humbën jetën dhjetëra mijëra njerëz bënë që afro një milion të tjerë të shndërroheshin në refugjatë.
Gjatë këtij procesi, Muhamed Hamideti zhvilloi edhe aftësitë e tij diplomatike. Në kulmin e krizës së Darfurit, në vitin 2006, ai u takua në Hartum me presidentin e atëhershëm të Sudanit, Omer Beshir. Qeveria sudaneze kishte mohuar gjithmonë akuzat se kishte marrë mbështetje nga “Xhanxhavidët” për të shtypur kryengritjen në Darfur. Megjithatë, takimi Beshir–Hamideti e vërtetoi në mënyrë të qartë këtë bashkëpunim. Me urdhër të Beshirit, njësitë nën komandën e Hamidetit morën status zyrtar nën emrin “Ushtria e Mbrojtjes së Kufirit”. Në vitin 2011, kjo forcë ndryshoi emrin dhe u quajt “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë” (RSF).
Me kalimin e kohës, këto forca u shndërruan në një “ushtri brenda ushtrisë” në Sudan dhe morën pjesë aktivisht në grushtin ushtarak të 11 prillit 2019 që e rrëzoi Omer Beshirin nga pushteti. Por fakti që në krye të atyre që e rrëzuan Beshirin ndodhej vetë Muhamed Hamideti njeriu që Beshiri e kishte ushqyer dhe ngritur me duart e tij nuk i habiti aspak ata që ndiqnin nga afër zhvillimet në Sudan. Pas rrëzimit të Beshirit, Sudani u shndërrua në një arenë përplasjesh brenda botës arabe. Ndërsa udhëheqësin zyrtar të vendit, gjeneralin Abdul-Fettah Burhan, e mbështesin Egjipti dhe Arabia Saudite, Muhamed Hamideti ka marrë përkrahjen e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Masakrat dhe mizoritë që po shohim sot po kryhen me armë të rënda, municione dhe avionë luftarakë që Forcat e Mbështetjes së Shpejtë kanë siguruar përmes kanaleve të EBA-së.
Arsyeja kryesore e përfshirjes kaq të hapur të EBA-së në luftën e Sudanit është rezerva e jashtëzakonshme e arit që zotëron vendi. Në gjysmën e parë të vitit 2025, sasia e arit të transferuar në mënyrë zyrtare nga Sudani drejt EBA-së vlerësohet të ketë qenë rreth 8.8 ton. Edhe pse qeveria qendrore e Sudanit e di që Emiratet po mbështesin grupin që lufton kundër saj, ajo vazhdon t’u shesë ar për të siguruar nevojat bazë të qytetarëve të vet. Por dihet se sasi shumë më të mëdha të arit nxirren jashtë vendit në mënyrë të paligjshme dhe shpërndahen në tregjet botërore përmes Dubait. Pas kësaj lufte të përgjakshme për ar, e cila zhvillohet mbi trupat e civilëve sudanezë, qëndrojnë edhe aktorë të tjerë të mëdhenj ndërkombëtarë, ata që vijnë menjëherë ndër mend sa herë që përmendet fjala financë.
Kush janë, mund ta merrni me mend lehtësisht./fb
Taha Kılınç.
https://www.yenisafak.com/yazarlar/taha-kilinc/altin-savasi-4764185

















