Lufta e Erion Veliajt me tregtarët ambulantë

Nën presionin e masave ndëshkuese administrative dhe kërcënimeve për sekuestrim të mallit, policia bashkiake e Tiranës e ka kthyer në mision spastrimin e trotuareve nga shitësit ambulantë të cilët me vështirësi sigurojnë paratë e mbijetesës nga shitja e produkteve bujqësore në kryeqytet.

Autor: Lindita Çela | BIRN | Tiranë

Mëngjesin e së hënës, më 30 korrik, Mustafa Koni zuri një cep të rrugës në bulevardin  “Bajram Curri”, në bllokun Vasil Shanto në kryeqytet. Në një qese jeshile kishte ca kile fasule ndërsa në një trastë fasule dhe ca tufëza erëzash. Kjo ishte gjithë sa kishte për të shitur 65 vjeçari nga fshati Pezë i Tiranës. Ngjitur me të, bashkëfshatarë të tjerë shisnin fiq, rrush, vezë të freskëta dhe zarzavate të stinës. Numri i tyre nuk i kalonte gishtat e njërës dorë.

Megjithatë, tregut të improvizuar i erdhi fundi sapo në krye të rrugës u duk makina e Policisë Bashkiake. Me një shpejtësi rrufe fshatarët mblodhën gjithë sa kishin dhe u tretën nëpër rrugica sikur t’i kishte përpirë dheu.

Kjo skenë nuk është e pazakontë në kryeqytetet. Të dhënat zyrtare të siguruara nga BIRN nëpërmjet një kërkese bazuar në ligjin ‘Për të drejtën e informimit’, tregojnë se gjatë vitit 2017 dhe në 6-mujorin e parë të vitit 2018, Policia Bashkiake e Tiranës ka ndëshkuar me masa administrative dhjetëra mijëra tregtarë ambulantë për zënie të hapësirave publike dhe një pjese i është sekuestruar edhe malli, ndonëse baza ligjore për sekuestrim malli është e paqartë.

E pyetur nga BIRN, Policia Bashkiake i justifikoi aksionet e saj me lirimin e hapësirave publike,luftën ndaj konkurrencës së pandershme, si dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Ajo mohoi se tregtarëve ambulantë i sekuestrohej malli dhe shtoi se ndërhyrjet e saj vinin si pasojë e ankesave të qytetarëve.

“Janë me dhjetëra ankesa, shkresa, telefonata që vijnë çdo muaj pranë Policisë Bashkiake, të cilat kërkojnë ndërhyrjen për marrjen e masave ndaj tyre dhe lirimin e hapësirave publike, sheshe, parqe, trotuare të zaptuara padrejtësisht,” tha Policia Bashkiake në një përgjigje me shkrim.

“Gjatë vitit 2017 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2018, nuk kemi ndaluar dhe sekuestruar mallin asnjë ambulanti, në kuptimin si akte procedurale,” shtoi ajo.

Sekuestrimi i mallit apo i pajisjeve nga ana e policive bashkiake ka një bazë të dyshimtë ligjore për shkak se në legjislacionin shqiptar, vetëm administrata tatimore ka të drejtë të kryejë sekuestrime dhe vetëm pas një procedure të gjatë administrative, ku kriteri kyç për kryerjen e sekuestrove është moscënimi i burimeve ekonomike për të jetuar të subjektit që i sekuestrohet malli.

Lufta kundër tregtarëve ambulantë

Postera, të kandidatit për bashkinë e Tiranes, Erion Veliaj për zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, pranë Komunës së Parisit.

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore në vitin 2015, Erion Veliaj zbuloi se kur kishte qenë i ri kishte shitur fiq tek Pazari i Ri për të siguruar të ardhura.

“Unë jam me parimin që askush nuk duhet të ndihet keq që në një moment të jetës ka bërë një punë të ndershme për të jetuar,” i tha Veliaj emisionit ‘Wake Up’ në Top Channel në vitin 2017.  “Shumë njerëz e përflasin me humor këtë histori, por unë them që kushdo i ri që kërkon të eci përpara me punë, pavarësisht vështirësive që mund të ketë në familje, duhet ta bëjë këtë, sepse jetës asnjëherë nuk i dihet,” shtoi Veliaj.

Shumë syresh që e sigurojnë bukën e gojës duke shitur ne trotuaret e Tiranës, tregimi i kryebashkiakut Veliaj mund t’i jetë dukur hipokrit.

Pasi Veliaj u zgjodh në krye të Bashkisë, një nga vendimet e para që mori ishte miratimi i një plani të detajuar për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.  Ky vendim, i cili mban datën 14 gusht 2015,u prezantua nga kryetari i bashkisë si një nevojë për të pastruar trotuaret e Bllokut nga karriget dhe vazot me lule të lokaleve të luksit.

Tre vjet më vonë zotimet e Veliajt për tolerancë zero ndaj lokaleve të shtrenjta nuk u materializuan. Ndryshe, intervistat dhe të dhënat e mbledhura nga BIRN, se ato u përkthyen në një luftë të pa kompromis ndaj tregtarëve ambulantë – një nga shtresat shoqërore më të dobëta në Tiranë, të cilës Veliaj pretendon se dikur i përkiste.

Në bllokun “Vasil Shanto” tregtarët i thanë BIRN se janë me dhjetëra rastet kur efektivat e policisë i kanë sekuestruar fiqtë, vezët, tufat e erëzave dhe zarzavatet e stinës. Kjo gazetare ishte gjithashtu prezent kur një efketiv i policisë bashkiake i “sekuestroi” çantën me erëza Mustafa Konit.

Policia bashkiake i tha BIRN se gjatë dy viteve të fundit ka lëshuar mbi 21 mijë gjoba ndaj tregtarëve ambulantë si Koni që variojnë nga 500 lekë deri ne 5000 lekë.

“Gjatë vitit 2017 dhe 6-mujorin e parë të vitit 2018, janë konstatuar e ndëshkuar me masë administrative nga Policia Bashkiake, 21,329 shtetas, për tregti të paligjshme (ambulante) në hapësirat publike të Bashkisë Tiranë,” tha Policia Bashkiake në përgjigje të kërkesës për informacion nga BIRN.

Premtimi i pambajtur i Veliajt

Ibrahim dhe Hanke Cullhai duke shitur misra të pjekur | Foto nga : Lindita Cela

Dhjetë korriku duhet të ishte një ditë e mirë tregtie për Ibrahim Cullhain. Kallinjtë e njomë të misrave i kishte gjetur me një çmim të lirë në tregun e Medresesë. I ngarkoi në trasta e më pas telefonoi të shoqen, Hanken, të cilës i kërkoi që të merrte zgarën dhe të nisej për në vendin e zakonshëm, një qoshëzë në afërsi të Piramidës së ish diktatorit Enver Hoxha, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

“Kemi 23 vjet që tregtojmë këtu tek Piramida. Më parë shisnim paketa cigaresh apo sende të tjera të vogla. Kemi dy vjet që shesim vetëm misra dhe gështenja, asgjë tjetër. Shtëpinë e mbajmë vetëm me këtë që shesim këtu,” tha Hanke Cullhai.

Në qershor  2017 kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi se tregtimi në rrugët e bashkisë së Tiranës do të rregullohej dhe bashkia do t’i mbështeste tregtarët ambulantë si çifti Cullhai.

“Do të propozojmë që në të gjitha njësitë administrative, për luleshitësit, tregtarët e fruta-perimeve, librashitësit, një dizajn të ri të pikës së tyre të shitjes, diçka estetike, që të mos e pengojë rrugën, por edhe të kesh kënaqësi të bësh biznes,”deklaroi Veliaj.

Megjithatë, shpërndarja në rrjetet sociale e një video të filmuar me celular me 10 korrik, ku çifti Cullhai përplaset me katër policë bashkiakë, të cilët i sekuestrojnë me dhunë zgarën për pjekjen e misrave, ka ngritur dyshime të forta mbi zotimin e fundit të kryebashkiakut.

Hanke Cullhai kujton se atë ditë nuk kishin shitur as 10 kallinjtë e parë kur u shfaq policia bashkiake. Gruaja tregon se për minuta të tëra Ibrahimit iu desh të “luftonte” për të mbrojtur karrocën që i siguronte bukën e gojës. Katër efektivat e Policisë nuk u tutën, as nga lutjet e gruas e as nga përpjekja e dështuar e Ibrahimit.

“Pa më thënë gjë fare vunë dorën tek karroca. Kërkonin ta merrnin pasi unë tregtoja në mënyrë të jashtëligjshme. Iu luta mos ta merrnin se ushqehem me këtë punë ose më mirë të më çonin në burg,” kujton Ibrahimi.

Të nesërmen 58-vjeçari u detyrua t’i paguante Bashkisë 3 mijë lekë gjobë për të rimarrë zgarën e tij.

“Shkova tek Policia Bashkia dhe që të merrja karrocën më duhej të paguaja gjobën, prej 30 mijë lekësh [të vjetrra], për zënie të hapësirave publike. Pagova dhe e mora zgarën që pjek misrat, por u thash se prapë do dilja të shisja se s’kam ku të shkoj,” kujton Ibrahimi.

Babai i katër fëmijëve shprehet se ka provuar të marrë licencë për “biznesin” e tij në zyrat  e Bashkisë së Tiranës. Sipas ligjit tregtarët ambulantë si Ibrahimi, regjistrohen pranë drejtorive rajonale tatimore vetëm pasi të kenë siguruar lejen nga bashkia.

“Kam qenë në sportelet e Bashkisë për të marrë leje dhe atje më kërkojnë lloj-lloj procedurash që, as nuk arrij t’i përshkruaj e as t’i realizoj. Më kërkuan një hartë gent-plani për vendin ku shes, a thua se do ndërtoja shpi,” shpjegoi ai.

Ibrahimi thotë se sërish do të dalë të shesë misra të pjekur dhe pse shprehet se ka frikë se do të gjobitet apo të dhunohet nga policia.

“Jam i sigurt që do vijnë dhe shpresoj mos të sillen dhunshëm,” tha Ibrahimi.“Unë do të dal se s’kam asnjë rrugë tjetër. Deri sa të dal në pension do e bëj këtë punë,” përfundoi ai./ reporter.al

Video e sekuestrimit të zgarës së Ibrahim Cullhait:

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=ral15wntsNI?rel=0&showinfo=0&ecver=1]

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne