Lufta globale ndaj Islamit

Përpjekja e grushtit të shtetit të 15 korrikut në Turqi mund të përshkruhet si një operacion i kryer si pjesë e luftës globale ndaj Islamit

Turqia ka pësuar një transformim të madh gjatë 15 viteve të fundit. Vendi është bërë më i sigurt, më i fuqishëm dhe më me ndikim, gjë që ka rezultuar në një luftë serioze të pushtetit.

Nga njëra anë, Turqia u përpoq të çlirojë veten nga barra e rëndë që shteti dhe kombi mbartën mbi shpatullat e tyre për dekada të tëra. Para së gjithash, vendit iu desh të kapërcente krizën e sovranitetit, të cilën shteti e kishte përjetuar midis viteve 1993 dhe 2002. Një nga një, politikat e gabuara që e shtynin shtetin kundër popullit u braktisën, dhe më vonë, filloi demokratizimi institucional.

Nga ana tjetër, Turqia ka përjetuar efektet anësore negative të luftës globale kundër botës islamike që nga viti 2001. Sidomos pas vitit 2010, vendi u bë një objektiv i madh për agresorët. Duke treguar mospërfillje të plotë për vullnetin politik të popullit turk, ata u përpoqën që me forcë të largonin qeverinë e zgjedhur të Turqisë nga pushteti. Për të qenë të qartë, armiqtë e vendit tonë ishin të përgatitur të punonin me të gjitha llojet e grupeve “opozitare” për të realizuar qëllimet e tyre. Për fat të keq, vetëm një pjesë e vogël e grupeve të opozitës në Turqi u treguan të gatshme ta hidhnin poshtë këtë ofertë joshëse. Për shumicën e kundërshtarëve, sigurimi i largimit të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan nga pushteti me çdo mjet të nevojshëm ishte i mjaftueshëm. Pa dyshim, ata nuk donin të lodheshin e të mendonin se si do të ndikonte largimi i Erdoganit në vendin e tyre dhe në bashkëqytetarët e tyre.

Në një takim të kohëve të fundit me një zyrtar të lartë turk, më thanë se Grupi Terrorist Gylenist (FETO), grupi i udhëhequr nga Fetullah Gylen, kishte qenë duke mbledhur prova kundër Erdoganit, që kur ai ishte larguar nga skena në Forumin Ekonomik Botëror, në shenjë proteste ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza, moment që është i mirënjohur në Turqi si “incidenti njëminutësh”. Unë u përpoqa ta ndryshoja dhe të thoja se grupi kishte mbedhur prova për presidentin dhe Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) që nga ardhja e tyre në pushtet në vitin 2002. Sidoqoftë, vetëm pas krizës së Davosit, FETO arriti të besonte se mund t’i shiste sekretet shtetërore të Turqisë ofertuesit më të lartë për të vazhduar axhendën e tij. Për të, tensionet në rritje midis Turqisë dhe Izraelit përfaqësonin një mundësi për t’i treguar botës se Gylenistët mund të jenë të dobishëm në luftën kundër botës islamike.

Deri në atë pikë, qasja e qeverisë së SHBA-së ndaj Gylenit kishte qenë shumë e kujdesshme. Kur një gjykatë federale e SHBA-së refuzoi kërkesën e qëndrimit të Gylenit, ajo paralajmëroi se udhëheqësi i FETO-s kontrollonte një sasi të panjohur burimesh ekonomike dhe i përdorte ato para për qëllime të paqarta. Megjithatë, të gjitha dyert u hapën për militantët e FETO-s kur Turqia u bë një objektiv në luftën kundër botës muslimane. Në vitet e fundit, qelizat e përgjumura të Gylenit në Turqi u aktivizuan dhe filluan një sërë sulmesh ndaj qeverisë së zgjedhur të Turqisë, duke përfshirë konspiracionin e dhjetorit 2013, bastisjen e kamionëve të Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MİT) dhe përpjekjen e grushtit të shtetit të 15 korrikut.

Për fat të mirë, Turqia ka qenë në gjendje të triumfojë mbi FETO-n dhe i ka ndaluar forcat e së keqes në rrugët e tyre. Megjithatë, për të qenë të qartë, as lufta kundër Islamit nuk ka përfunduar, as Turqia nuk është hequr nga lista e objektivave me prioritet të lartë. Por Turqia u bë më e fuqishme dhe më e madhe, duke krijuar një aleancë midis shtetit dhe popullit për të kapërcyer krizën e sovranitetit nga e cila vuajti rreth 15 vjet më parë. Sot, kemi marrë rolin tonë në luftën globale kundër botës islamike.

FAHRETTIN ALTUN

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne