Lufta për të vrarë Ndokën/ Arrestohet Xhelal Rraja, si u futën në hasmëri dy deputetët e PS

Policia e Shtetit ka arrestuar Xhelal Rrajën të shpallur në kërkim për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘sigurim të kushteve për të kryer vrasje’. Xhelal Rraja është vëllai i deputetit socialist, Rrahman Rrajës ndaj të cilit Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.

“Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xh. Rr. Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Operacioni i SPAK që goditi 7 grupe kriminale ku u zbardhën vrasje dhe atentate të dështuara, mes tyre u zbulua edhe tentativa për ekzekutimin e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Në dosjen e SPAK thuhet se organizatori në planin për vrasjen e Ndokës, që nuk u realizua, ka qenë Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja.

Xhelal Rraja, sipas SPAK ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist Arben Ndoka. Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohet në janar 2021, kur ky të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha. Por, Ndoka nuk shkoi për ngushëllim, ndaj edhe plani dështoi. Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashjkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë deputetin socialist Arben Ndokën.

Ky i fundit kishte tentuar disa herë më ndihmën e Ervis Martinaj, Emiljano Shullazin dhe pjesëtarë të grupit kriminal Avdulaj, Aldo dhe Astrit Avdylaj, të vriste Durim Bamin, pasi dyshonte se ishte i implikuar në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Pavarësisht se e ndoqën e vëzhguan për një kohë të gjatë, ata nuk e arritën dot Bamin, pasi lëvizte me makine të blinduar dhe merrte masa të lartë sigurie në cdo lëvizje.

Sipas SPAK, Endrit Dokle kishte marrë përsipër të siguronte informacionin për lëvizjen e ish deputetit Ndoka, Durim Bami dhe Xhelal Rraja ishin organizatorë, ndërsa Marklen Haka kishte marrë përsipër të gjente vrasësit e ish deputetit. Në dosjen e SPAK theksohet se “pasi ka pritur deri në orën 16:04 duke marrë informacion nga Marklen Haka për ardhjen e shtetasit Arben Ndoka, është larguar, pasi ai e ka informuar që të mos rrijë më aty pasi ai nuk do të vinte”./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne