Disa adoleshentë shqiptarë arrestohen në Belgjike për grabitje banesash. Pjesa tjetër e grupit i shpëton policisë dhe kthehet në Shqipëri. Gjykata në Bruksel jep dënim me kusht. Ata kthehen në Tiranë për t’iu gjendur pranë shokëve. Bazuar mbi dosjen e autoriteteve belge, prokuroria e krimeve të rënda këtu shqyrtoi çështjen për pjesën tjetër të grupit që i kishte shpëtuar drejtësisë belge. Në sallën e gjyqit shohin se shokët e tyre (ushtarët) marrin dënime të renda, minimumi: 7 vjet burg. Ligji! Imagjinoni trajektoren që mori e ardhmja e këtyre të rinjve.
Është rasti ku përgjigja e parë dhe e fundit për çdo lloj krimi apo shkelje është: burg, burg, burg. Nga krimet më të vogla, si mospagimi i faturave të energjisë elektrike, deri tek krimet më të rënda të trafikut ndërkombëtar të drogës, duket sikur ligji shqiptar shpesh funksionon si një thikë prestigjatori – bëhet thikë kasapi për qytetarët e zakonshëm dhe kthehet në thikë gome ndaj kriminelëve të mëdhenj.
Para një jave në Fier gjykata dënoi një çift pensionistësh (73 vjeç) me 14 vjet burg për “shfrytëzim prostitucioni”! Dhe të mendosh që për çështjet e mëdha kjo shifër duket po aq e largët sa Maja Kilimanxharos!
Në Shqipëri ka disa rekorde të zeza sa i përket politikës së dënimit. Jemi vendi që kemi numrin më të lartë të kërkesave për arrest ndërkombëtar në Interpol. Dhe për çfarë krimesh shpallim kërkim ndërkombëtar?
Një shembull që ilustron absurdin: një qytetar shqiptar, u ekstradua nga Athina për mos-pagesën e një fature energjie elektrike prej 28 000 mijë lekësh. Shpenzimet që shteti shqiptar pagoi për sjelljen e tij për të kryer dënimin janë pesëfish më të larta se detyrimi i pashlyer i qytetarit. A ia vlen ky lloj shpenzimi për raste të tilla?
Kjo politikë e egër e te drejtës penale ka çuar në një shifër të frikshme. Që nga viti 1991 kemi 380 000 qytetarë të dënuar me burg. 380 000 të dënuar! 380 000! Te kjo shifër nuk futen ata që janë dënuar me kusht apo me punë në komunitet. Sot një në katër persona është i dënuar me vendim burgim i formës së prerë!
Ky është rekord i zi i vendosur sa me ndihmën e ligjvënësit, aq edhe me ndihmën e drejtësisë. Është absurde, por ende kemi nene të kodit penal që dënojnë nga gjobë deri në 10 vjet burg!
Ndërsa kur bëhet fjalë për drogën, absurdi kap maja të reja. Një adoleshent i huaj i kapur në kufi me katër gram hashash rrezikonte dënimin me pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burg për “trafik ndërkombëtar,” sepse “kështu është ligji”. Por rasti në Sukth kur u kapen 700 kilogram kokainë u trajtua si “posedim i paligjshëm,” me dënim maksimal prej katër vjetësh. Ligji!
Kjo situatë është skandaloze, e pakuptimë, thellësisht e padrejtë dhe e papranueshme!
Një tjetër rekord të zi që mban vendi është numri i të ndaluarve me masën e dënimit arrest me burg. Nëse në BE, masa e dënimit me burg është përjashtim, këtu është kthyer në normë.
Duke marrë në konsideratë shifrat dhe situatat: Kodi i ri Penal nuk është thjesht i dëshirueshëm, por i domosdoshëm.
Në vend që të përqendrohet në dënim te ashpër për çdo rast, drejtësia duhet të kalojë nga një qasje automatike: “burg për gjithçka” në një qasje “të diferencuar” dhe “proporcionale”.
Duhen ndërhyrje në legjislacion që të mbrohen qytetarët e zakonshëm nga ndëshkimi i tepruar dhe të përqendrohen energjitë e sistemit të drejtësisë në ndëshkimin e atyre që kryejnë krime të rënda/ “krime intelektuale”.
Një politikë e re penale duhet të përqendrohet në proporcionalitetin dhe alternativat ndaj burgimit, duke krijuar një sistem që jo vetëm dënon, por kryesisht parandalon dhe rehabiliton.
Penalizimi për shkelje administrative si mospagimi i faturave apo krimet e vogla të posedimit të drogës mund të shërbejnë si shembuj të qartë ku dënimi me burg mund të zëvendësohet me dënime të tjera të përshtatshme, si shërbimi në komunitet apo gjoba, duke kursyer energjitë e sistemit dhe fondet publike.
Qasja “burg, burg, burg” kriminalizon shoqërinë. Një Kod i ri Penal, bazuar në proporcionalitet dhe trajtimin e rasteve sipas rrezikshmërisë së tyre reale, do të kontribuonte që të bëheshim një vend ku drejtësia i përgjigjet krimit në mënyrë efektive, pa sakrifikuar qytetarët e zakonshëm dhe fondet publike./shqiptarja