Bota

Macron: Vendimi i Trumpit për Lartesitë Golan kundër të drejtës ndërkombëtare

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se njohja e sovranitetit izraelit mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe vetëm rrit tensionet në rajon, transmeton Anadolu Agency.

Përmes një kumtese nga Pallati Elysee bëhet e ditur se president francez Macron dje në Paris u takua me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II. Në takim u theksua se të dyja vendet janë të vendosura të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër terrorizmit.

Të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike për situatën në Siri dhe se në rast të mosgjetjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse politike në atë vend nuk do të jetë e mundur të vendoset paqja.

Gjatë takimit u diskutua edhe vendimi fundit i SHBA-së për njohjen e sovranitetit izraelit mbi zonën e pushtuar siriane, Lartësitë e Golanit.

“Presidenti francez Macron tha se njohja e sovranitetit izraelit mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe vetëm rrit tensionet në rajon”, thuhet në deklaratë.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi të hënën një deklaratë presidenciale me të cilën zyrtarisht njohu Lartësitë e Golanit si territor izraelit.

Izraeli pushtoi dy të tretat e Lartësive siriane të Golanit gjatë luftës gjashtë-ditore në vitin 1967 dhe shpalli aneksimin e rajonit në vitin 1981.

Sipas ligjit ndërkombëtar, Lartësitë e Golanit kanë statusin e territorit të pushtuar me konflikt.

OPINIONE