Makinat, shëndeti, zjarret, ç’dëme u paguan në 2023? Si u ndanë 60 mln euro dëmshpërblime të paguara nga kompanitë

Kompanitë e sigurimeve kanë paguar një total prej rreth 60 milionë euro dëmshpërblime për të mbuluar dëmet e klientëve të tyre, shifër që edhe për këtë vit dominohet tërësisht nga segmenti i automjeteve. Janë zbardhur të dhënat zyrtare të tregut të sigurimeve për 11 muajt e vitit që sapo lamë pas, ku bie në sy një rënie shumë e fortë e sigurimit të aksidenteve. Nga 81,4 milionë lekë në 2022, ato kanë rënë me plot 44%, për të mbyllur 11 muajt e vitit 2023 në vlerën 44,3 milionë lekë. Dëmshpërblimet e paguara në portofolet e sigurimit të mallrave në transport si dhe ato nga zjarri kanë shënuar rënë të fortë në 2023, me përkatësisht 63.19% dhe 50.54%.

Ndërkohë që të para në total, për vitin 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,3 miliardë lekë, ose 3.22% më shumë se në muajin janar-nëntor 2022. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 4,386 milionë lekë, afërisht 40 milionë euro apo 69.21% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Më specifikisht, sa i përket segmentit të jo-jetës, 53% e totalit të dëmeve i përket produktit MTPL e brendëshme me 3 miliardë lekë. Sigurimi i mjeteve tokësore renditet në vend të dytë sa i përket pjesës ndaj totali, duke zënë 13.4% të tij, me 775 milionë lekë.

Sigurimi i garancive është zëri tjetër me njëfarë peshe në totalin e dëmshpërblimeve me 1.6%, ndërkohë që në vlera shumë të ulëta janë portofolet e tjerë, sigurimi i përgjegjësive, i aksidenteve apo i mallrave në transport. Shumë më modeste janë dëmet e paguara në segmentin e jetës, të cilat megjithëse në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë, nuk e kalojnë totalin e 1.6 miliardë lekëve, apo afërisht 16 milionë eurove./SCAN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne