Makineria Sekrete e Ndërhyrjes së Britanisë Jashtë Vendit

Nga Kit Klarenberg

Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD), një front i inteligjencës britanike, financon dhe orkestron fshehurazi përpjekje për destabilizim politik dhe ndryshim regjimi në mbarë botën, nën petkun e promovimit të demokracisë.

Pas “pezullimit” nga administrata Trump të shpenzimeve për “ndihmë” të huaj, përpjekjet e panumërta të financuara nga SHBA për destabilizim dhe ndryshim regjimi u çoroditën plotësisht. Pavarësisht thirrjeve të dëshpëruara nga përfituesit që Bashkimi Evropian të mbushte boshllëkun, shtetet e tij anëtare iu përgjigjën duke “ulur drastikisht” shpenzimet për “zhvillim jashtë vendit”. Megjithatë, nuk ka asnjë tregues se Britania ka ndërmend të kufizojë operacionet e Fondacionit Westminster për Demokraci, makinerisë së saj të fshehtë të ndërhyrjes ndërkombëtare.

I themeluar në vitin 1992, WFD u modelua drejtpërdrejt mbi Fondacionin Kombëtar për Demokraci (NED) të Uashingtonit, i krijuar një dekadë më parë nga CIA për të kryer publikisht atë që Agjencia më parë e bënte fshehurazi. Konkretisht, financimin e mediave, partive politike, grupeve aktiviste, “OJQ”-ve, sindikatave dhe elementëve të tjerë që mund të shfrytëzohen për të destabilizuar, nëse jo për të përmbysur qeveritë e huaja, kur ato guxojnë të dalin jashtë vijës së caktuar.

I financuar kryesisht nga Ministria e Jashtme e Britanisë, WFD e përshkruan veten si një “organ ekzekutiv jodepartamental”. Ky është një eufemizëm për të treguar se Fondacioni është një front i inteligjencës britanike, që operon formalisht si një organizatë e pavarur, por që në realitet kryen aktivitete politike të ndjeshme dhe të rrezikshme jashtë vendit, me të cilat Londra ngurron të identifikohet drejtpërdrejt.

Ky mision është përshkruar qartë në një raport të vitit 2005 mbi aktivitetet e WFD, i cili më vonë u fshi nga arkivat zyrtare. Raporti shprehet se “puna e WFD kërkon një marrëdhënie të distancuar nga qeveria” dhe se Ministria e Jashtme “përfiton nga mbulesa”. Sipas tij, Fondacioni ofron “asistencë” që Londra “nuk mund ose nuk do të dëshironte ta kryente drejtpërdrejt”. Mbështetja indirekte për projekte “kontroversiale”, qoftë për rrëzimin e udhëheqësve “armiq” apo për mbështetjen e qeverive kukulla të instaluara nga Perëndimi, ndihmon në “zbutjen e dëmit në marrëdhëniet qeveritare” dhe shmang “rrezikun” që një “prani britanike të interpretohet si ndërhyrje e huaj”.

Raporti thekson gjithashtu se “karakteristika dalluese” e WFD-së është liria për të dhënë grante politike, përfshirë fonde për “forcat politike… në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qeveritë ekzistuese”. Po ashtu, përmendet edhe financimi për “trajnimin e forcave të policisë në vendet në zhvillim” – një mjet i qartë për të mbajtur në pushtet regjime të papëlqyera, por të mbështetura nga Britania.

Ndërhyrja në Ballkan dhe Ukrainë

Raporti jep shembuj të shumtë të ndërhyrjeve britanike përmes WFD-së. Fillimisht, Fondacioni depërtoi në institucionet demokratike të Europës Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Në Afrikën e Jugut, gjatë zgjedhjeve historike të 1994-ës, WFD punoi për të ndikuar në fushatat e Kongresit Kombëtar Afrikan dhe Aleancës Demokratike, ndërsa mbështeste gjithashtu “media të pavarura” dhe “grupe që promovonin gratë në politikë”.

Në Ballkan, WFD luajti një rol kyç në rrëzimin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000. Raporti pranon hapur se WFD krijoi “marrëdhënie të forta” me “grupe reformiste civile” dhe “forca opozitare” për të nxitur antagonizmin ndaj Millosheviçit në të gjithë vendin, duke përfshirë zonat ku ai gëzonte mbështetje të fortë. Kjo punë “kontribuoi në disfatën e Millosheviçit”, thuhet në raport.

Pas rrëzimit të tij, WFD nisi një program trajnimi për mbi 900 gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, duke krijuar një “rrjet kombëtar reformistësh ligjorë”, shumë prej të cilëve morën poste kyçe në administratën e re pro-perëndimore, në Gjykatën e Lartë dhe në forcat e policisë.

Në Ukrainë, WFD veproi në mënyrë të ngjashme. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004, organizata mbështeti Viktor Jushçenkon, një politikan pro-NATO, kundër Viktor Janukoviçit. Fondacioni “mobilizoi mbështetje masive” për të sfiduar fitoren fillestare të Janukoviçit dhe për të nxitur protesta, duke përdorur “parti ukrainase dhe organizata rinore” për këtë qëllim.

Raporti përmend gjithashtu se “trajnues të rinj” nga revoltat e mëparshme në Jugosllavi dhe Gjeorgji u dërguan në Kiev për të ndarë “përvojat e tyre të fundit dhe të ngjashme” në përmbysjen e qeverive.

Ndërhyrja në Liban dhe Regjime të Tjera

Dokumente të rrjedhura tregojnë se WFD vazhdon të rekrutojë të rinj për të nxitur trazira në vende të ndryshme. Në Liban, Fondacioni krijoi një rrjet aktivistësh për të ndërhyrë në zgjedhjet e majit 2018. Plani përfshinte rekrutimin e të rinjve nga universitetet dhe partitë politike, duke i trajnuar ata për “avokim” dhe “aktivizëm politik”. WFD synonte të krijonte një brez të ri aktivistësh që do të “ndryshonin sjelljet dhe qëndrimet e tyre” dhe do të kërkonin “pjesëmarrje dhe llogaridhënie” nga autoritetet.

Pavarësisht kësaj përpjekjeje, zgjedhjet e 2018-ës e konsoliduan pozicionin e Hezbollahut si një forcë politike dominuese në Liban – një rezultat i padëshiruar për Londrën. Dokumente të Ministrisë së Jashtme britanike tregojnë se, menjëherë pas zgjedhjeve, fondet për destabilizim u shtuan ndjeshëm. Kjo përkoi me protestat e korrikut 2019, të cilat çuan në një revoltë të plotë katër muaj më vonë.

Në përfundim, Fondacioni Westminster për Demokraci është një mjet i fuqishëm i politikës së jashtme britanike për të ndikuar dhe destabilizuar qeveritë që nuk i përshtaten interesave të Londrës. Ndërhyrjet e tij, të fshehura pas retorikës së demokracisë, kanë pasur pasoja të mëdha politike në mbarë botën./AlMaedeen/GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne