“Mali” i mbetjeve urbane jashtë kontrollit shton frikën për epidemi te qytetarët e Kamzës

Koshat e mbeturinave janë plot në bashkinë Kamëz, pasi zona ka mbetur pa një destinacion të mbetjeve urbane prej mëse një muaji. Banorët ankohen për shëndetin, ndërsa bashkia thotë se po pret miratim për landfillin e ri, pas pengesave të pushtetit qendror.

Kriza e mbetjeve urbane ka shpërthyer në çdo rrugë të bashkisë së Kamzës. Koshat e mbeturinave janë plot dhe banorët i frikësohen shpërthimit të mundshëm të një epidemie.

Kjo situatë është edhe më e rënduar në lagjet e brendshme, ku aktivistët thonë se makinat e pastrimit kalojnë një herë në javë dhe ku qytetarët i djegin vetë mbeturinat.

Aktivistët e Qendrës Rinore ATA thanë për BIRN se mbetjet ndotnin lumin Tërkuzë prej të paktën një viti dhe se kulmi qe djegia e mbeturinave  urbane dhe spitalore në një fushë të hapur në rrugën Argjinatura.

“Ne si të rinj për çështjen e plehrave jemi në dijeni prej gati më shumë se një viti. Patëm vënë re se gjithë ujërat e landfillit kullonin në lumin e Tërkuzit,” tha për BIRN, aktivisti i ATA, Alban Tufa.

“Hapi i parë i joni ishte të bënim një video të tillë dhe ta shpërndanim në rrjetet sociale,” tha ai duke shtuar se situata degradoi në fund të korrikut.

Më 31 korrik, banorët dolën në protestë përpara Bashkisë ku dhanë alarmin se djegia e plehrave po helmonte ajrin në të gjithë qytezën duke e bërë atë të rrezikshme për jetën. Ata protestuan i kërkuan kryetarit të Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu të gjejë një zgjidhje për mbeturinat.

“Shkaku kryesor ishte djegia, tymërat, era e keqe hedhja e mbeturinave lloj-lloj nga të gjitha anët dhe në fund sollën edhe mbetjet spitalore. Aty nuk jetohet,” tha një protestues përpara bashkisë.

Për situatën e rënduar të higjienës në Kamëz, banorët shprehen të shqetësuar për shëndetin e tyre, si dhe thonë se i druhen një epidemie të mundshme.

“Shiten ushqimore dhe këtu janë mbeturinat. Tumor për popullin. Kemi kërkuar [zgjidhje] por kanë rënë në vesh të shurdhët,” tha një tregtar.

Bashkia Kamëz, e kontaktuar nga BIRN, tha se është në pritje të përgjigjes nga Ministria e Mjedisit për landfillin e Valiasit.

“Tani pjesa kryesore e mbetjeve urbane po mblidhet nga Bashkia e Fushë-Krujës dhe një pjesë më e vogël po groposet në zonën e mëparshme të djegies, tashmë mbuluar me dhè,” – sqaroi bashkia.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne