Mali i Thatë në Pogradec, një destinacion për turizmin e aventurës

Një grup të rinjsh nga Pogradeci të apasionuar pas ecjes sportive dhe ngjitjeve malore, u drejtuan  në Malin e Thatë, bri Pogradecit.

Pas një ecje të lodhshme, arritën të ngjiten në  Majën e “Pllajës së Pusit”, 2287 m mbi nivelin e detit, pjesë e peizazhit të Mbrojtur Tokësor-Ujor të Pogradecit.Të rinjtë shoqëroheshin nga guidator profesionistë që e njohin zonën dhe malin kapricioz.

Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë dhe gjatë dimrit është i mbuluar nga bora.

Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a përrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit.

Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit.

Mali i Thatë ndan liqenin e Prespës së Madhe  nga ai i Ohrit.

Lartësia e tij lëviz nga 900m deri në 2287m, me një mesatare mbizotëruese në 1400m.

Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike.

Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287m mbi nivelin e detit.

Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të vet.

 

 

Mali i Thatë duket shumë bukur, si prej Korçës ashtu dhe prej Pogradecit.

Ai përmendet thuajse në një sërë përshkrimesh historike të bëra në shekuj, prej udhëtarësh, kronikanësh apo studiuesish të ndryshëm.

Në periudhën e verës,flora është e pasur dhe në mbulesën e gjelbër të këtij mali gjenden, luadhe, drurë ahu, dushk si dhe shkurre të ndryshme.

Në rrëzë të tij ndodhen një sërë fshatrash si, Tushemisht, Alarup, Bletas, Podgorie, Korritë, Gurbardhë, Zvezdë, Shën Gjergj, Burimas, etj.
Këtij mali, i ka kënduar dhe poeti ynë lirik Lasgush Poradeci, i frymëzuar nga  motive popullore të zonës, por sot ai shërben edhe si një vend për ushtrimin e sporteve malore, frekuentohet nga turistët e natyrës dhe të aventurës. Grupe turistike të organizuar nga agjenci turistike vendase, organizojnë ngjitje malore dhe rrëshqitje në dëborë me të rinj të ardhur nga gjithë Shqipëria dhe përtej saj. /a.g/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne