Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi më 16 dhjetor në Bruksel se Mali i Zi kurrë nuk ka qenë më afër Bashkimit Evropian (BE).
Bëhet fjalë për kapitujt: 3 – Liria e lëvizjes së kapitalit dhe e ofrimit të shërbimeve; 4 – Liria e lëvizjes së kapitalit; 6 – Ligji për tregti; 11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural dhe 13 – Peshkimi.
“Por, duhet të jemi të sinqertë: pjesa më e vështirë ende është përpara, sepse Mali i Zi ka njoftuar se dëshiron t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026, dhe Komisioni Evropian ju mbështet. Për ta arritur këtë, duhet të vraponi shpejt”, tha Kos.
Zyrtarja e lartë evropiane theksoi se Mali i Zi tani duhet t’i përshpejtojë reformat.
“Çelësi do të jenë reformat në sundimin e ligjit. Prioritet janë emërimet, për të siguruar një gjyqësor të pavarur, ku gjyqtarët mund të marrin vendime lirshëm dhe pa presion politik. Kjo nënkupton gjithashtu vazhdimin e luftës së fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin”, tha Kos.
Ajo përsëriti se Podgorica do ta ketë mbështetjen e BE-së “në çdo hap”.
“Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar dhe më shumë se kurrë Malit të Zi i nevojitet unitet kombëtar për të arritur qëllimin. Viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i mirë”, u shpreh ajo.
Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se Mali i Zi ka mbyllur më shumë se një të tretën e kapitujve në negociatat për anëtarësim në BE, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh.
Ai tha se BE-ja me Malin të Zi po fiton një anëtar të aftë të ecë krah për krah me disa shtete anëtare, edhe pse dikur ishte republika më e varfër e ish-Jugosllavisë.
“Mali i Zi nuk do të jetë një barrë të madhe tatimore për qytetarët e BE-së”.
Sipas tij, çdo ditë po dëshmohet se është një qëllim realist që Mali i Zi t’i mbyllë të gjitha kapitujt deri në fund të vitit 2026.
“Ne po krijojmë kushtet që t’i përmbushim të gjitha deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha Spajiq.
Nga Qeveria e Malit të Zi më herët kanë përsëritur disa herë plani që 21 kapitujt e mbetur të mbyllen gjatë vitit 2026, në mënyrë që shteti të anëtarësohet në BE më 2028.
Më herët nga Qeveria ishte bërë e ditur se janë përmbushur të gjitha kushtet për mbylljen e Kapitullit 31, i cili lidhet me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, por vendimi për mbylljen e tij ishte shtyrë më herët me kërkesë të Kroacisë.
Kroacia bllokoi mbylljen e këtij kapitulli pasi Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2024 miratoi Rezolutën për gjenocidin në Jasenovac, me iniciativë të partive proruse dhe proserbe në shumicën qeverisëse, lider i të cilave është kryetari aktual i parlamentit, Andrija Mandiq, çka Zagrebi zyrtar e vlerësoi si provokim.
Mali i Zi i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2012./REL/















