Mandati nuk është për të fryrë xhepat, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, ka publikuar një mesazh për qytetarët, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e ish zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj dhe aprovimit të kësaj kërkese nga Kuvendi i Shqipërisë.

Rama deklaroi se është e vështirë kur bashkëpunëtorët përballen me drejtësinë, por tha se ai dhe PS nuk do të bëhen barrierë për drejtësinë.

Kryeministri e shpjegoi dhënien e autorizimit për arrestimin e Ahmetajt, me atë që e konsideroi “një dosje voluminoze” që përmbante dyshime të arsyeshme dhe shtoi se tashmë i takon drejtësisë të vendosë për Ahmetajn.

“Unë nuk pajtohem dot me askënd që abuzon këtë besim duke e kthyer mandatin e shqiptarëve, në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin, duke punuar për shtetin.

Jam gati të mbaj baltën e pambarimtë, që kundërshtarët e të gjithë llojeve më hedhin padrejtësisht, por nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem kurrë gati, të mbaj në shpinë askënd, që e kujton familjen tonë politike, si kurrizin e një kali.

Kur kam thënë dua një drejtësi që të shohë e të ecë drejtë, pa i matur gjërat me peshoren e politikës, e kam ditur se çfarë vjen.

Të përpiqesh që me mish e me shpirt kështu të ndodhë dhe ti shohësh të ndodhin kështu, nuk ka se si të jetë e njëjta gjë, sepse ndryshe nga çdo reformë tjetër transformuese, kjo e drejtësisë në veprim prek jetët e njerëzve, cënon lirinë e njerëzve.

Kur ndër këta ndodh të jenë persona me të cilët ke punuar edhe fare afër, ke ndarë kohë, mendime, ditë të mira dhe të këqija, kjo histori bëhet shumë më e vështirë ta jetosh, se sa ta imagjinosh, ta planifikosh, ta krijosh me votë dhe ta garantosh me bindje në vazhdimësinë e saj.

Kjo histori është e vështirë të tregohet me suksese me statistika sepse bëhet fjalë për njerëz që ndodh t’ju kesh njohur familjarët, përqafuar fëmijët, takuar prindërit.

Arben Ahmetaj është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam biseduar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë. Nuk më takon të them nëse është fajtor apo i pafajshëm. Por, ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, rasti i sotëm ishte një rast ku kërkesa e Prokurorisë duhej miratuar. Këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë, ajo dosje krijon dyshime për të mos e ndaluar kërkesën e SPAK.

Tani është në dorën e drejtësisë të na tregojë deri në fund, në është një rast fajësie apo pafajësie”, tha Rama./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne