Maqedoni – 17 vite nga Marrëveshja e Ohrit

Republika e Maqedonisë sot shënon 17 vjetorin nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni duke krijuar një kornizë për bashkëjetesë ndëretnike.

Marrëveshja Kornizë, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve specialë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, e cila i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnik në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit u zhvilluan nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, Boris Trajkovski, ndërsa marrëveshja u nënshkrua edhe nga kryetarët e atëhershëm të partive politike, LSDM-së Branko Cërvenkovski, PDSH-së Arbën Xhaferi, VMRO-DPMNE-së Lupço Georgievski dhe nga ai i PPD-së Imer Imeri.

Dëshmitarë në nënshkrimin e marrëveshjes në cilësi të garantuesve ishin François Léotard, përfaqësues i posaçëm nga Bashkimi Evropian dhe James Perdue, përfaqësues i posaçëm nga SHBA.

Në vitet mbrapa, nga zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë miratuar më shumë se 130 ligje, ndryshime ligjore, prej të cilave 59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të barabartë, 40 janë në fushën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit .

Në mars të këtij viti, Kuvendi me 64 vota “pro” dhe asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, miratoi Ligjin për Avancimin e Gjuhëve.

Ligji parashikon që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në vend, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, zyrat, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë me autoritet publike, në përputhje me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj ,është edhe gjuha e folur nga 20 për qind të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Ligji për Avancimin e Gjuhëve ende nuk është shpallur në Gazetën Zyrtare.

Përfaqësimi i barabartë i bashkësive etnike në institucionet publike është një segment tjetër i Marrëveshjes Kornizë.

Sipas Raportit Vjetor të vitit 2017 të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Republikës së Maqedonisë që ka të bëjë me punonjësit e sektorit publik, nga 109.304 të punësuar, 82,374 (75,36%) janë maqedonas, 21,112 (19,31%) shqiptarë, 2.012 (1,84%) turq, 994 (0,91%) serbë, 1.245 (14,1%) romë, 429 (0,39%) boshnjakë, 408 (0.37%), vllahë dhe 730 (0,67%) janë të tjerë ose nuk janë deklaruar. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne