Maqedoni e Veriut, liderët politik nuk arrijnë marrëveshje për datën e zgjedhjeve

Liderët e partive politike në mbledhjen e sotme të mbajtur në zyrën e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nuk arritën marrëveshje për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Në takim të pranishëm ishin kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i Alternativës, Afrim Gashi, i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, si dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Azem Sadiku.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, pas përfundimit të takimit tha se është e mundur që zgjedhjet të mbahen më 21 qershor, por në takim nuk është arritur konsensus për një datë të caktuar.

“Pres që të jenë gati të gjithë dhe të gjitha proceset e institucioneve që janë përgjegjëse, të përfundojnë punët e tyre. Demokracia dhe zhvillimi maqedonas ka nevojë për institucione të qëndrueshme dhe sa më shpejt që të jetë e mundur një rifillim i ekonomisë maqedonase dhe kthimin në rrugën normale të integrimit evropian”, tha Zoran Zaev.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, propozoi tre data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve: 23 gusht, 30 gusht dhe 13 shtator.

“Duke pasur parasysh konsultimet që VMRO DPMNE ka pasur ndërkohë me ekspertë nga vendi dhe jashtë, ne propozuam tre data kur vlerësojmë se shëndeti i qytetarëve më së paku do të jetë i rrezikuar”, tha Mickoski.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se zgjedhjet janë të rëndësishme por siç u shpreh ai, duhet të arrihet konsensus për datën dhe të respektohen masat e autoriteteve shëndetësore.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në mbledhjen e sotme propozuan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 26 korrik.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, tha se pikëpamjet e partive maqedonase ishin të largëta dhe se partia në pushtet ishte për zgjedhjet në qershor, ndërsa opozita për në fillim të shtatorit, duke shtuar se gjatë takimit nuk kishte përafrim të qëndrimeve.

Nga ana tjetër, Presidenti i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela rikujtoi se Komisioni i Sëmundjeve Infektive tha se situata me pandeminë po përmirësohet, por se ekziston një rrezik i lartë për shëndetin e qytetarëve.

Liderët e partive politike edhe javën e kaluar kishin një takim të ngjashëm ku gjithashtu nuk arritën marrëveshje për datën e zgjedhjeve.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut fillimisht ishin caktuar për më 12 prill. Mirëpo, shkaku i përhapjes së koronavirusit në vend, liderët në një takim të ngjashëm të mbajtur më 17 mars prolonguan zgjedhjet, duke mos caktuar datë të re për mbajtjen e tyre./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne