Maqedoni e Veriut, një 15-vjeçar në mesin e të konfirmuarve dje me COVID-19

Asnjë rast i ri i koronavirusit të ri COVID-19 nuk është raportuar deri më tani në Maqedoninë e Veriut, ndërsa katër pacientët nga Dibra që më parë ishin konfirmuar se kishin sëmundjen pritet që sot të sillen në Klinikën Infektive të Shkupit, mes të cilëve një djalë 15-vjeçar, tha ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në një konferencë për shtyp informoi për gjendjen aktuale të koronavirusit në vend.

Ai tha se tetë pacientë, një nga Shkupi dhe shtatë nga Dibra, mbeten në trajtim në Klinikën e Shkupit. Sipas Filipçes, gjendja e një pacienteje në aparatet për frymëmarrje artificiale dhe në terapi të përshtatshme është përkeqësuar tutje.

Sipas informacioneve të publikuara nga ministri Filipçe, pacientja e parë për të cilën u konfirmua se kishte sëmundjen është shëruar plotësisht dhe do të lirohet nga spitali ditën e hënë.

Sipas ministrit Filipçe, aktualisht janë shtatë persona që po testohen për koronavirus, gjashtë nga Dibra dhe një i huaj. Po ashtu, analizave do t’u nënshtrohen edhe dy persona të tjerë që ishin në Spanjë dhe raportuan se kishin temperaturë të lartë.

Po ashtu, Filipçe njoftoi se do t’i propozojë Komitetit Drejtues pasdite që qendrat tregtare dhe qendrat e tjera më të vogla të mbyllen plotësisht, si masë kundër përhapjes së koronavirusit.

Numri i përgjithshëm i njerëzve në Maqedoninë e Veriut me koronavirus është 13, nga të cilët një pacient është shëruar.

Katër rastet e fundit të koronavirusit u konfirmuan dje nga ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, për të cilët tha se bëhet fjalë për persona nga Dibra.

Qeveria ditën e djeshme mori një vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Dibër dhe Qendër Zhupë, kurse presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, mori vendim për angazhimin e ushtrisë për të mbështetur vetëqeverisjen lokale në Dibër dhe Qendër Zhupë dhe për të mbështetur forcat policore të MPB-së për sigurimin e një pjese të kufirit shtetëror me Republikën e Shqipërisë në territorin e Komunës së Dibrës.

Kohëzgjatja e veprimtarisë dhe angazhimit të forcave dhe kapaciteteve të ushtrisë do të jetë nga 13 marsi deri më 11 prill./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne