Maqedoni, VMRO-DPMNE kërkon qeveri teknike, nuk njeh referendumin

Partia më e madhe opozitare në Maqedoni ka vendosur që të mos njohë rezultatin e referendumit dhe njëkohësisht ka kërkuar qeveri teknike. Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, pas mbledhjes së Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv.

“Janë shqyrtuar informacionet në lidhje me referendumin e mbajtur, situatën aktuale politike dhe disa konkluzione rreth veprimeve për periudhën e ardhshme. Komiteti Ekzekutiv e ka shpallur referendumin të pasuksesshme, duke pasur parasysh se dalja e vetëm 36 për qind të votuesve, tregoi vullnetin e qartë të popullit kundër pranimit të kësaj marrëveshjeje”

Ai shtoi më tej se nëse Zaev ka ndërmend të shpallë zgjedhje të parakohshme, paraprakisht duhen plotësuar disa kushte.

“Është e nevojshme që menjëherë të respektohet Marrëveshja dhe Ligji për zgjedhjet ku do të formohet një qeveri teknike sipas “Marrëveshjes së Përzhinës”, me një mandat prej 100 ditësh. Kjo do të thotë dorëheqjet e Zaevit, Spasovskit dhe Carovskës dhe ministrat për Punë të Brendshme dhe për Politikë Sociale t’i takojnë VMRO-DPMNE-së, në afat prej 100 ditësh. Vetëm kjo është parakusht për zgjedhje të lira dhe demokratike”

Sakaq, lidhur me kalimin e ndryshimeve Kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, VMRO-ja vazhdon te mbajë të njëjtin qëndrim për të mos i kaluar ato.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne