Maqedonia “josh” investitorët shqiptarë; Kastrati i premton Zaev 100 milionë euro investime

Pasi ka qenë mjaft konkurruese në tërheqjen e investitorëve të huaj, që kanë zgjedhur Maqedoninë ndaj Shqipërisë, si psh prodhuesin e mjesëve të makinave Jonson Control, shteti fqinj po tenton të joshë edhe sipërmarrësit shqiptarë.

Agjencia maqedonase e lajmeve INA shkruan se Ministri përgjegjës për Investimet e Huaja të Maqedonisë, Ramiz Merko ka pohuar sot se “në ambientet e Ministrisë dhe më pas bashkë me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, zhvilluam takim pune me mikun tim dhe një ndër biznesmenet më të suksesshem jo vetëm në Republikën e Shqipërisë por edhe i rajonit, Shefqet Kastratin, themelues dhe njëkohësisht drejtori gjeneral i kompanisë “Kastrati Group” , i shoqëruar nga partnerët e tij, Nova Global Group nga Republika e Turqisë”.

Merko shtoi se “Gjatë takimit biseduam rreth klimës pozitive për investime dhe kushteve që ofron legjislasioni i Republikës së Maqedonisë në drejtim të investimeve për kompanitë e huaja në vendin tonë, e në veçanti në zonat e lira zhvillimore ekonomike. Mora mbështetjen nga zotëri Kastrati për themelimin e një bashkëpunimi për realizimin e projekteve të shumta, në aspektin strategjik që të hartojmë investime avancuese dhe reformuese në fushën e ekonomisë. Ai më premtoi se, të paktën investimet që do të realizohen në vendin tonë do të arijnë deri në 100 milionë euro. Planprogrami dhe biznesplani do të konkretizohet në muajt në vijim, për çka do të prezantohet për opinionin. Gjatë takimit, prezent ishte edhe Zëvendës Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale Asip Useini, ku në bashkëpunimin institucional do të ndihmojë kompanive proceduarat e dokumentacioneve, që sa më lehtë dhe shpejtë të fillohen investimet në vend”, përfundon njoftimi i agjencisë maqedonase.

Grupi Kastrati është ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri dhe sipërmarrja kryesore e tregtimit të naftës në vend. Kompania kryesore e grupit Kastrati sha, që tregton me shumicë karburante kishte një qarkullim vjetor në vitin 2016 prej 320 milionë eurosh, sipas bilancit zyrtar. Sipërmarrja tjetër, Kastrati shpk, që tregton naftën me pakicë, kishte të ardhura prej 93 milionë eurosh.

Grupi ka interesa edhe në fushën e sigurimeve (Alb Siguracion, me të ardhura 13 milionë euro në 2016-n) dhe të tregtimit të automjeteve (Benz Mercedes).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne