Bota

Maria Zaharova: akuza të pabaza të ngritura nga Britania e Madhe kundër Rusisë

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë Maria Zaharova komentoi në intervistën e saj për televizionin rus “Vesti 24” akuza të pabaza të ngritura nga Britania e Madhe kundër Rusisë.

Sipas Zaharova-s, skandali i helmimit të Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia është organizuar nga autoritetet britanike. “Perëndimi është duke vepruar sikur duhet t`i tregojë botës që Rusia nuk është një shtet paqedashës, por gjoja po bën njëfarë loje të vet. Prandaj u shfaq një raund i ri i fushatës antiruse në formën e deklaratave të Kryeministres britanike Theresa May për rastin e helmimit të Sergej Skripal-it”. Autoritetet e Britanisë kanë refuzuar të lejojnë diplomatët rusë që të kenë akses tek familja Skripal, pavarësisht se vajza e Sergej Skripal-it është shtetase ruse. “Ne nuk kemi asnjë ide se si janë ata, ku janë, apo çfarë po ndodh me ata,” shtoi Zaharova.

Londra përdori emrin “Noviçok” për një substancë helmuese gjoja të përdorur në Salisbury, me qëllim që të krijojë një “lidhje” me Rusinë. Megjithatë, as Rusia, as Bashkimi Sovjetik nuk kanë bërë asnjëherë kërkime për zhvillimin e një substance kimike me emër të hapur ose të koduar “Noviçok”.

“Origjina më e mundshme të substancës helmuese të tipit “Novichok” mund të jetë Britania e Madhe, Sllovakia, Çekia apo Suedia. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu duhet të vihen në dyshim. Perëndimi thjesht po përpiqet të mashtrojë të gjithë dhe të largojë vëmendjen nga ajo se çfarë bëri vet në Siri dhe në Irak”.

Ndërkohë që edhe Ambasadori i Rusisë në Bashkimin Evropian Vladimir Çizhov përsëriti edhe një herë se Moska nuk ka asnjë lidhje me sulmin ndaj Sergej Skripal-it. Në një intervistë për BBC z. Çizhov sugjeroi se agjenti nervor, i cili sipas Londrës është përdorur gjatë atentatit, mund të jetë prodhuar nga laboratori britanik “Porton Down”, 12 kilometra larg qytetit Salisbury. Sipas diplomatit rus, Rusia nuk ka rezerva as të agjentit kimik të pretenduar, as të armëve kimike në tërësi. Siç dihet, në vitin 2017 Rusia ka asgjësuar plotësisht të gjitha arsenalet e saj kimike, fakt ky që është vërtetuar edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.

Në foto: Maria Zaharova dhe Vladimir Çizhov

OPINIONE