Marine Le Pen ka fituar tashmë

Nga SUDHIR HAZAREES

OKSFORD, ANGLI – Nëse u besojmë komentuesve francezë, Marine Le Pen ka humbur tashmë. Udhëheqësja e partisë Fronti Nacional, e ekstremit të djathtë, mund të jetë një nga kandidatet kryesore në zgjedhjet presidenciale të së dielës, por mendohet se ajo ka shumë pak shanse për të fituar raundin e dytë më 7 maj.

Dhe kështu, pak kush po ballafaqohet me faktin se partia e saj – që dikur konsiderohej e papërfillshme – është bërë tashmë nga më populloret në vend. Është pothuajse sikur humbja e saj tashmë është tretur, dhe mund të rifillojë biznesi si zakonisht.

E vërteta është shumë më alarmante. Si fillim, nuk është aspak e sigurtë që Le Pen do të humbasë; Se si sillen votuesit në balotazhe, kjo është shumë e vështirë të parashikohet. Por edhe nëse ndodh të humbasë, ajo do të dalë gjithësesi, si një nga fituesit e zgjedhjeve.

Eshtë pothuaj e sigurtë, që Le Pen do të sigurojë nivele rekord të mbështetjes popullore në vitin 2017, duke bërë një përparim spektakolar, në ato pjesë të Francës që janë tradicionalisht indiferente kundrejt partisë së saj (si Brittany) dhe në mesin e punëtorëve, banorëve të Francës provinciale e rurale, grave dhe votuesve për herë të parë. Miliona do të kenë përqafuar vizionin autoritar, jo-egalitar dhe jotolerant të Frontit Nacional.

Më e rëndësishmja, Le Pen po fiton betejën e ideve, pasi partia e saj influencon qëndrimet e politikës qendrore, për një sërë çështjesh qendrore.

Merrni imigrimin: Shumica e francezëve ndajnë pikëpamjen e Frontit Nacional, se vendi i tyre ka shumë emigrantë dhe duhet të mos pranojë më shumë. Si rezultat, qeveria franceze lejoi vetëm një numër modest refugjatësh nga Siria – në një kontrast të dukshëm me Gjermaninë. Diskutimi i kësaj teme është bërë tashmë një tabu politike. Ajo nuk është paraqitur fare gjatë fushatës.

Po kështu, edhe çështja shumë e ndjeshme, e vendit që zë Islami në shoqërinë franceze. Ngatërrimi i qëllimshëm që Fronti Nacional i ka bërë fesë paqësore të shumicës së muslimanëve francezë me “islamizmin” (ideologjia shkatërrimtare e grupeve xhihadiste) ka kontribuar në një rritje të intolerancës ndaj ndjekësve të këtij besimi.

Partia ka ndikuar gjithashtu për promovimin e një forme agresive të laicizmit, që shpeshherë i stigmatizon myslimanët, dhe kërkon të kontrollojë liritë e tyre sociale dhe kulturore. Një sondazh i vitit 2016 zbuloi se shumica e popullit francez, tani besojnë se Islami është “i papajtueshëm me vlerat e Republikës”.

Aftësia e Frontit për të formësuar opinionin publik, është lehtësuar nga përdorimi i zgjuar i mediave sociale (faqja Facebook e Le Pen ka më shumë se 1.2 milionë ndjekës, më shumë se çdo politikan tjetër francez), por edhe normalizimi i tij institucional. Shfaqjet nga Le Pen në radio dhe televizion janë të zakonshme, dhe vetëm rrallëherë politikat e saj janë sfiduar seriozisht nga transmetuesit e vetëkënaqur televizivë të Francës.

Publiku i Frontit Nacional është rritur gjithashtu falë mbështetjes së heshtur të publicistëve konservatorë nacionalistë, të cilët shpërndajnë shumë nga idetë e saj kryesore në shtyp dhe në pamfletet më të shitura, si “L’identité malheureuse” i Alain Finkielkraut dhe “Le suicide français” e Eric Zemmour. Asnjë nga këta autorë nuk është zyrtarisht i lidhur me partinë, por ideologjia e tyre e një nacionalizmi të mbyllur dhe pesimist, përputhet gjerësisht me atë të Le Penit.

Tema e përbashkët është nocioni i një “rënieje franceze” – ndërkombëtarisht (dobësimi i Francës nga dominimi anglo-sakson), politikisht (dështimi i elitave kombëtare për të mbrojtur Francën nga globalizimi), kulturalisht (dobësimi i ndikimit intelektual francez) dhe shoqërisht (zhveshja e “identitetit kombëtar” francez nga multikulturalizmi dhe kozmopolitanizmi).

Kjo ideologji e mbyllur nacionaliste përqafon një vizion miop të së kaluarës, duke lartësuar madhështinë perandorake dhe koloniale franceze, si dhe duke hedhur poshtë përpjekjet e historianëve për të hedhur dritë mbi episodet më të zymta të historisë së kombit.

Pikërisht në emër të kundërshtimit ndaj një “pendimi” të tillë, Le Pen ndezi debat, kur e “shkarkoi” Francën nga përgjegjësia për dëbimin e hebrenjve nga regjimi i Vichy-së, gjatë Luftës së Dytë Botërore. E përshkruar gjerësisht si një gafë, deklarata provokuese ishte në të vërtetë një sinjal i paramenduar, drejtuar konservatorëve kulturorë, me të cilin kërkonte t’u thoshte Le Peni dëshiron ta bëjë Francën përsëri të madhe – madje edhe me koston e së vërtetës historike.

Nëse Le Peni shkon në raundin e dytë, të gjitha këto “arritje” do të hyjnë në lojë. Retorika e saj populiste në lidhje me korrupsionin dhe elitizmin e politikanëve francezë, gjithashtu do të tërheqë votuesit, veçanërisht nëse ajo përballet me François Fillon, kandidati republikan, i tronditur prej akuzave për përvetësime financiare.

Në të vërtetë, është shenjë e dobësisë së Fillon, fakti që ai ka huazuar nga retorika e Frontit Nacional, sidomos kur ai thërret fort për “identitetin francez” ose dënon “racizmin anti-francez” – një jehonë e drejtpërdrejtë kjo e Frontit (tërësisht e pabazuar), se sistemi i mirëqenies sociale shfrytëzohet sistematikisht nga imigrantët, në dëm të shtetasve francezë.

Kryesisht, ideja se Fronti Nacional është një lëvizje “normale” politike, ka depërtuar shumë mes votuesve të krahut të djathtë: Shtatë në dhjetë votues republikanë tani besojnë se lëvizja e Le Penit është tashmë, një “parti si gjithë të tjerat”.

Në një miting elektoral në fund të shkurtit në Nantë, Le Pen e përshkroi përhapjen e ideve të saj si një “fitore ideologjike të përmbushur tashmë”. Skepticizmi me të cilin u prit ky pretendim i saji, vetëm e bën më të mundshme që në fund ajo do të vërtetojë se ka të drejtë. Nëse suksesi i saj në riformimin e opinionit francez nuk gjen kundërvënie të fortë, gjasat janë që ajo do të qeshë e fundit.

* Sudhir Hazareesingh, politolog në Balliol College, Oksford, dhe autor i “Si mendojnë francezë: një portret dashamirës i një populli intelektual” / Politico – Bota.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne