Marrëdhëniet turko-amerikane përjetuan periudhën më të keqe me ambasadorin Bass

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Ankara, John Bass, i cili tani është në përgatitje të dorëzimit të detyrës së tij, për rreth tre vite sa ishte në detyrë, me daklaratat e tij në fushën politike dhe atë gjyqësore u përfshi në çështje të shumta të punëve të brendshme të Turqisë dhe për këtë arsye mori reagime të shumta, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i cili njoftoi se këtë fundjavë do të largohet nga Turqia, së fundmi u vlerësua se ka ndërhyrë në gjykatën turke me deklaratat e tij pas ndalimit të nëpunësit lokal të konsullatës së përgjithshme të SHBA-ve në Stamboll, Metin Topuz.

Përkundër asaj që Topuz u ndalua nën akuzat “përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues”, “spiunazh” dhe “përpjekje për ta përmbysur qeverinë e Turqisë”, vlerësimi i Bass se kjo është “një përpjekje për hakmarrje”, mori reagime të shumta.

Bass nuk qartësoi kontaktet e tij me anëtarët e FETO-s

Ambasadori i SHBA-ve, gjatë kohës së tentativës së grusht shtetit të FETO-s në Turqi më 15 korrik të vitit 2016 ishte në pozitën e përfaqësuesit më të lartë të shtetit të tij në Turqi.

Por, ambasadori Bass nuk arriti që ta tregojë aq sa duhet ndjeshmërinë e Turqisë për këtë tradhti kundër saj dhe për çështjen e ekstradimit të anëtarëve të FETO-s të cilët realizuan këtë tradhti, duke filluar nga kryesuesi i saj Fetullah Gylen, të cilët ndodhen në SHBA.

Pas zbulimit se njëri nga të akuzuarit kryesor të tentativës për grusht shteti, një i dyshuar i lartë i FETO-s, Adil Oksuz, kishte marrë telefonatë nga Konsullata e SHBA-ve në Stamboll, disa ditë pas puçit të dështuar më 15 korrik, u pretendua se ai ishte thirrur vetëm për arye të “procesit të vizave”.

Kurse në rastin penal të kamionëve të shërbimit informativ turk MIT, në aktakuzën e Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit u përfshinë edhe telefonatat e disa të akuzuarve me misionet diplomatike të SHBA-ve. Përkundër kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, përfaqësuesit e SHBA-ve në Turqi ende nuk dhanë sqarime për këtë çështje.

Ambasadori i SHBA-ve Bass, i cili në mënyrë të shpejtë jep daklarata për çështje të shumta në lidhje me Turqinë, deklaratën e parë për tentativën për grusht shteti më 15 korrik, e cila kishte rëndësi jetësore për Turqinë, e dha më 18 korrik.

Gënjeshtra se “nuk e mbështesin PYD-në”

Ambasadori Bass deri në një kohë të afërt çdo herë i mohoi lajmet lidhur me atë se shteti i tij ofron ndihma ushtarake për organizatën terroriste PKK/PYD në Siri. Por, fotografitë dhe videot e zbuluara për shumë herë, treguan të kundërtën prej asaj që thoshte ambasadori Bass.

Ai në muajin dhjetor të vitit të kaluar, pas deklaratës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan se koalicioni në kryesimin e SHBA-ve po jep mbështetje për YPG-në dhe PYD-në, përfshirë edhe DEASH-in, në një deklaratë me shkrim ishte shprehur se “SHBA nuk ka ofruar armë apo eksplozivë për YPG-në apo PKK-në, pikë”.

Deklarata e Bass-it ishte kritikuar ashpër nga qeveria turke. Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu iu ishte përgjigjur duke u shprehur se “SHBA i ka dhënë armë YPG-së. Pikë”.

Së fundmi, dje ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Nurettin Canikli tha se SHBA-ja i ka ofruar organizatës terroriste YPG për të luftuar kundër DEASH-it mbështetje me armë dhe municion, me të cilat mund të pajiset një ushtri prej 40-50 mijë pjesëtarësh.

Embargo ndaj mediave

Sidomos deklaratat e fundit të John Bass para se të largohet nga Turqia shkaktuan reagime të shumta në Turqi. Njëra prej tyre ishte deklarata e tij në Stamboll në një takim “vetëm me një grup të gazetarëve”.

Në një konferencë për media të organizuar javën e kaluar në Stamboll, ambasadori Bass bëri embargo ndaj disa institucioneve mediale. Bass me këtë ka rrënuar precedentin e ambasadorëve amerikanë për takimet me një pjesëmarrje të gjerë mediale. Ai në këtë mënyrë para se të përfundojë afati i detyrës së tij, e goditi edhe lirinë e shtypit dhe të marrjes së lajmeve, të cilën e kishte përmendur shpesh.

Bass duke e mbrojtur praktikimin e akreditimit për mediat turke, thoshte se dëshiron që të takohet me përfaqësuesit “seriozë” të organeve mediatike dhe pretendoi se të tjerët i preferojnë trillimet e jo të vërtetat. Ai ishte kritikuar nga mediat turke për shkak të fjalëve të tij se “Nuk i shoh ata si gazetarë”.

Edhe në recepcionin lamtumirës të organizuar në rezidencën e tij në Ankara, ai kishte ftuar një numër të vogël të përfaqësuesve medial, me të cilën kishte treguar një qëndrim kundër shprehjeve të tij lidhur me lirinë e shtypit.

“Për 9.5 muaj nuk ka terrorizëm”

Deklaratat e ambasadorit Bass gjatë takimit lamtumirës me gazetarët në Ankara rikujtuan deklaratat e presidentit të SHBA-ve Donald Trump gjatë periudhës së zgjedhjeve presidenciale se “themeluesit e organizatës terroriste DEASH” në të vërtetë janë presidenti Barack Obama dhe kandidatja nga Partia Demokratike Hillary Clinton.

Bass pretendoi se arsyeja e mosrealizimit të ndonjë sulmi të rëndësishëm në Turqi për 9.5 muaj të fundit nga DEASH-i, buron nga bashkëpunimi i Turqisë dhe SHBA-ve për këtë çështje.

“Turqia në 9.5 muaj të fundit nuk përjetoi ndonjë sulm të rëndësishëm nga DEASH-i. Kjo buron nga ajo që DEASH-i ka hequr dorë nga realizimi i sulmeve në Turqi. DEASH-I tani nuk mund të kryejë sulme në Turqi”, thotë Bass.

Ndërkaq, fjalët e Bass-it në opinionin publik u vlerësuan si kërcënime.

Lidhur me deklaratën e ambasadorit i cili mori reagime të shumta nga opinioni publik, zv/kryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë, Bekir Bozdağ tha se “Zotëri ambasadori duhe të shpjegojë se çfarë ka dashur të thotë”.

Ka ndërhyrë në gjyqësorin

Ambasadori Bass, çështjet e shumta të cilat ishin në procese gjyqësore, i ka përfshirë në deklaratat e tij, duke e arsyetuar këtë me lirinë e shprehjes dhe të shtypit.

John Bass më 27 nëntor të vitit 2015 shpërndau një fotografi të zezë nga llogaria e tij në Instagram pas arrestimit të ish-kryeredaktorit të gazetës turke “Cumhuriyet”, Can Dündar, dhe përfaqësuesit në Ankara, Erdem Gül, për veprat penale “marrja me qëllim të spiunimit apo qëllime politike të informatave të cilat në aspektin e përmbajtjes dhe në bazë të sigurisë së shtetit dhe interesave të brendshme apo të jashtme politike duhej të mbaheshin sekret”, “zbulimi i informacioneve të cilat në aspektin e përmbajtjes dhe në bazë të sigurisë së shtetit dhe interesave të brendshme apo të jashtme politike duhej të mbaheshin sekret”, dhe “ndihma ndaj organizatës terroriste me vetëdije dhe me dashje duke mos qenë anëtar i saj”.

Bass me mesazhin e shkruar pranë kësaj fotografie se “Ndjej shqetësim të thellë për të parë shuarjen e më shumë zërave në mediat e pavarura të Turqisë” edhe një herë ishte ndërhyrje në vendimin e gjyqësorit dhe në çështjet e brendshme të Turqisë.

Ambasadori po ashtu lidhur me fillimin e hetimeve pas njoftimit të publikuar nga “Iniciativa e Akademikëve për Paqen”, me nënshkrimin e 100 akademikëve në fillim të vitit të kaluar, ishte shprehur se “Demokracia e Turqisë është e fuqishme dhe rezistente sa që mund ta përqafojë shprehjen e lirë të mendimeve të pakëndshme”.

Vizitë në zyrën e të arrestuarve për FETO”-n

Bass në muajin korrik të vitit të kaluar kishte vizituar zyrën e Amnesty International, pas arrestimit të menaxherit të zyrës në Turqi të kësaj organizate, Taner Kılıç dhe të drejtoreshës İdil Eser, të cilët ishte zbuluar se kanë përdorur aplikacionin e fshehtë të komunikimit ByLock, i cili përdoret nga pjesëtarët e organizatës terroriste FETO.

Në të njëjtën periudhë, lidhur me pyetjet e ekstradimit të kryesuesit të organizatës FETO, Fetullah Gylen, ambasadori Bass kishte pretenduar se po punojnë “me seriozitet dhe jashtëzakonisht ngushtë me Turqinë” dhe se do të vazhdojnë të punojnë “me të njëjtën frymë dhe vendosmëri”.

Por, nga administrata e SHBA-ve që nga tentativa për grusht shteti më 15 korrik nuk është bërë ndonjë hap konkret lidhur me kryesuesin e kësaj organizate./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne