Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 12-të)

Në artikullin e javës së kaluar ju folëm për kryengritjet e vitit 1911 në Shqipëri dhe udhëtimin që bëri në viset shqiptare Sulltan Mehmet Reshati me qëllim për t’u dhënë fund trazirave. Këtë javë dhe disa javë në vijim zhvillimet që kanë ndodhur në procesin drejt Luftërave Ballkanike dhe pavarësisë së Shqipërisë do ti ndjekim në bazë të lajmeve dhe rubrikave që janë botuar në gazetat e kohës.

Gazeta “Sabah” (Mëngjesi) që dilte në atë periudhë është edhe gazeta që ka botuar më shumë lajme në lidhje me Shqipërinë. Nën titullin “Gjendja në Shqipëri” (Arnavudluk Ahvali) gazeta është përpjekur të informojë lexuesit mbi pothuajse të gjitha temat që kanë të bëjnë me shqiptarët. Në procesin që shkon drejt Luftës së Parë Ballkanike dhe ku kaosi politik vazhdon të mbetet i ngjeshur, kemi zhvillime e thyerje të rëndësishme, si ndryshimi i qeverisë, mbyllja e Parlamentit, Dhomës së Deputetëve (Mebusan Meclisi) dhe rrëzimi nga pushteti i Unionistëve (Anëtarët e Organizatës Bashkim-Përparim shën. i përkth.). Vihet re që në këtë proces një ndikim të rëndësishëm kanë edhe trazirat në Shqipëri.

Viti 1912 është një vit mjaft kritik si për Shtetin Osman, ashtu edhe për shqiptarët. Ndërsa nga njëra anë vazhdonte Lufta e Tripolit (Libi) me Italinë, luftë që kishte filluar një vit më parë, brenda vendit kemi forcimin e opozitarizmit të partisë Lira dhe Bashkimi, e ashtuquajtur Bashkimi Liberal. Si opozitë kundër oficerëve pjesëtarë të Bashkim e Përparim brenda ushtrisë formohet grupi i Oficerëve Shpëtimtarë (Halâskâr Zabitan). Përveç këtyre Shtetit Osman i duhet të merret në veçanti edhe me kryengritjet që nxorën armenët në Anadollin Lindor si dhe me lëvizjet kryengritëse në Jemen. Nga ana tjetër edhe Shtetet e Ballkanit përgatiten për luftë duke krijuar aleanca kundër Shtetit Osman. Në një situatë të tillë, në Shqipëri vazhdojnë problemet dhe mungesa e rendit publik, probleme të bartura nga vitet e kaluara.

Në këtë proces mbahen edhe “zgjedhjet me kërbaç”, ku pushteti i Komitetit për Bashkim dhe Përparim kishte marrë e zbatuar masa në drejtim të kufizimit të lirive të shtypit dhe tubimit. Në zgjedhjet që u bënë në Shqipëri Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina nuk zgjidhen më deputetë dhe shqiptarët katolikë nuk marrin pjesë në zgjedhje[1]. Humbësja e këtyre zgjedhjeve, opozita pretendon se në zgjedhje ka pasur presion, manipulime dhe shkelje të kushtetutës dhe nga njëra anë fillon të punojë në drejtim të organizimit të shqiptarëve kundër qeverisjes, ndërsa nga ana tjetër përpiqet të bëjë për vete oficerët nga radhët e ushtrisë[2]. Me ndikimin edhe të një polarizimi të tillë politik formohet Grupi i Oficerëve Shpëtimtarë (Halâskâr Zabitan). Bie në sy fakti që ndërkohë që Oficerët Shpëtimtarë bënin punë propagandistike brenda ushtrisë, në Shqipëri disa oficerë dalin në mal[3].

Kur e shikon se kryengritësit shqiptarë marrin mbështetje nga brenda ushtrisë, Ministri i Luftës njofton se i ka dërguar për miratim Portës së Lartë (qeverisë) ligjin që parandalon ushtrinë të merret me politikë[4]. Dhe kur nga Shqipëria nuk kanë të ndalur lajmet për kryengritje çështja fillon e diskutohet nën çatinë e parlamentit. Ministri i Punëve të Brendshme, Haxhi Adil Beu deklaron se disa nga deputetët shqiptarë nën drejtimin e Ismail Qemal Beut kanë vendosur mes tyre të rrëzojnë qeverinë duke shkaktuar një kryengritje të përgjithshme[5]. Deputetët shqiptarë në datën 23 qershor 1912 i dërgojnë ultimatum Ministrit të Punëve të Brendshme, Haxhi Adil Beu, ku rendisin kërkesat e tyre drejtuar qeverisë[6]. Ndërkohë që nga njëra vazhdonin debatet në lidhje me Shqipërinë në 2 korrik 1912 parlamenti miraton ligjin që do ta distancojë ushtrinë nga politika[7].

Disa prijës dhe drejtues shqiptarë të shqetësuar nga kryengritja në Shqipëri i bëjnë thirrje qeverisë që të kryejë detyrën. Prijësi i qytezës në Gjilan, Ahmet Beu, Muftiu i Gjilanit Fehmiu si dhe emra të tjerë nga paria e krahinës si Mustafai, Sajidi, Rashidi, Shefkiu dhe Binali në datën 15 korrik 1912 u dërgojnë nga një telegraf deputetit të Beratit nga Gjilani Syreja Beut dhe deputetit të Çamërisë Shahin Beut (Kolonja). Përmes këtij telegrafi të interesuarit i luten Padishahut, Sadrazamit (Vezirit të Madh), Kryetarëve të Dhomës së Deputetëve (Mebusan Meclisi) dhe Senatit (Meclisi Ayan) të parlamentit osman që t’u japin fund përleshjeve me armë që vazhdonin akoma në vilajetet e tyre[8].

Por kryengritja në Shqipëri vazhdon pavarësisht bisedimeve të zhvilluara dhe masat e marra nga Porta e Lartë. Pas këtyre zhvillimeve në 9 korrik 1912 Mahmut Shefqet Pasha detyrohet të tërhiqet nga posti i Ministrit të Luftës (Harbiye Nazırlığı), gjë të cilën e kërkonin edhe kryengritësit shqiptarë. Në 15 korrik 1912 Veziri i Madh Said Pasha dhe Ministri i Punëve të Jashtme Asim Beu bënë në parlament deklarata në lidhje me trazirat në Shqipëri[9]. Më 16 korrik, një ditë më vonë, pas informimit që u kishte bërë deputetëve në parlament në lidhje me kryengritjen në Shqipëri, Kryeministri (Sadrazam) Said Pasha dha dorëheqjen bashkë me kabinetin e tij. Kjo dorëheqje solli me vete edhe rënien nga pushteti të Bashkim e Përparim[10]. Me vazhdimin e trazirave në Shqipëri dhe me qëllim qetësimin e veprimeve kryengritëse Padishahu nxori një Urdhër Perandorak (İrade-i Seniyye) dhe ky vullnet i sulltanit në 10 korrik mbërriti në Mitrovicë. Padishahu përmes këtij dekreti bën të ditur se do të formojë një kabinet, i cili nuk do të jetë nën ndikimin e asnjë partie politike apo personaliteti. Edhe pse ardhja dhe njohja me dekretin e sulltanit ngjall një ndikim të madh, vihet re që në Mitrovicë nuk hapen madje as dyqanet[11].

Në 22 korrik 1912 në postin e Vezir të Madh (kryeministrit) caktohet Gazi Ahmet Muhtar Pasha, i njohur si kundërshtar i Unionistëve. Në qeverinë e re merr pjesë edhe Qamil Pasha, një emër mjaft i dashur për anglezët dhe shqiptarët si dhe Shpëtimtarët (Halaskârcılar). Në këto ditë kur kemi krijimin e kabinetit të ri nëpër gazetat e kohës zënë vend lajmet mbi kërkesat e shqiptarëve për amnisti dhe emërimin e nëpunësve që njohin gjuhën lokale (shqipen)[12]. Nën hijen e këtyre zhvillimeve Veziri i Madh, Gazi Muhtar Pasha jep një reportazh për gazetën “Sabah” mbi situatën në Shqipëri[13].

Ndërkohë që Shteti Osman është i zënë me lajmet që vijnë nga Shqipëria, Dervish Hima Beu, një intelektual shqiptar që gëzonte një pozitë të rëndësishme, vjen në Stamboll dhe me këtë rast gazeta “Sabah” realizon me të një reportazh mbi gjendjen në Shqipëri. Dervish në intervistën e tij thotë se shqiptarët i kanë braktisur armët dhe kanë pranuar reformat dhe kushtet e premtuara nga ana e qeverisë. Dervish Beu pohon se për shkak të mungesës së përvojës dhe gabimeve të qeverisë së mëparshme (Komiteti për Bashkim dhe Përparim) për katër vite në Shqipëri është derdhur kot gjaku i popullatës vendase dhe ushtarëve[14].

Në lidhje me gjendjen në Shqipëri një reportazh për gazetën “Sabah” në këtë periudhë jep edhe Hasan Prishtina, i cili thotë se shqiptarët po durojnë ndaj një mijë e një padrejtësive dhe vazhdojnë të sakrifikojnë për këtë. Sipas Hasan Prishtinës shqiptarët janë të kënaqur nga formimi i një qeverie të suksesshme. Në vijim të reportazhit të tij Hasan Beu thotë se pas festës së Bajramit Shqipëria do të marrë rrugë drejt paqes[15].

Intelektualët shqiptarë në reportazhet që i japin gazetës “Sabah” deklarojnë se me ndryshimin e qeverisë kanë marrë fund edhe kryengritjet në Shqipëri. Vetëm se trazirat do të përsëriten herë pas here deri në pavarësimin e Shqipërisë.

Bie në sy se në këtë periudhë gazeta “Sabah” (Mëngjesi) nën titullin “Çështja Shqiptare” boton në lidhje me Shqipërinë 10 intervista me përmbajtje të ndryshme, 29 lajme të cituara nga shtypi i huaj i kohës, 9 lajme nga shtypi turk, 9 lajme lidhur me Grupet Hetimore, 6 lajme me mbështetje të jashtme (nga korrespondentët).

Për kryengritjen e vitit 1912, kërkesat e shqiptarëve dhe pavarësinë e Shqipërisë do të vazhdojmë t’ju flasim në artikujt e ardhshme duke u mbështetur në lajmet që kanë publikuar gazetat e kohës. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni.

Burimet dhe literatura kryesore:

BAYUR, Yusuf Hikmet, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991.

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999.

SÖNMEZ, Banu İşlet, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.

TUNAYA, Tarık Zafer, Türkiye’de Siyasal Partiler C.I, İkinci Meşrutiyet Dönemi (1908-1918), Hürriyet Vakfı Yayınları, İstanbul,1984.

Gazeta “Sabah”, 8 Korrik 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 17 Korrik 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 26 Korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 31 Korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 18 Shtator 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 19 Shtator 1912, fq.2.

[1]Banu İşlet Sönmez, II.Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007, fq.172.

[2]Enver ZiyaKaral,Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918),Türk Tarih Kurumu, Ankara, 1999,fq.160-162.

[3]Karal, po aty,fq.163.

[4]Gazeta “Sabah”, 26 Qershor 1912, fq.2. dhe Bayur, po aty, fq.258.

Yusuf Hikmet Bayur, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991, fq.264-265.

[6]Tarık ZaferTunaya, Türkiye’de Siyasal Partiler C.I, İkinci Meşrutiyet Dönemi (1908-1918), Hürriyet Vakfı Yayınları, İstanbul,1984, fq.543.

[7]Gazeta “Sabah”, 8 Korrik 1912, fq.2.

[8]Gazeta “Sabah”, 17 Korrik 1912, fq.1.

[9]Bayur, po aty, fq.271.

[10]Bayur, po aty, fq.272.

[11]Gazeta “Sabah”, 26 Korrik 1912, fq.2.

[12]Gazeta “Sabah”, 26 Korrik 1912, fq.2.

[13]Gazeta “Sabah”, 31 Korrik 1912, fq.2.

[14]Gazeta “Sabah”, 18 Shtator 1912, fq.2.

[15]Gazeta “Sabah”, 19 Shtator 1912, fq.2.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne