“Marrëveshja Izrael-EBA, tradhti ndaj kauzës palestineze”

Marrëveshja e diskutueshme midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit për normalizimin e marrëdhënieve vazhdon të kritikohet nga e gjithë bota, marrëveshje kjo e cila mori emrin si “tradhti e kauzës palestineze”.

Shoqëria civile dhe grupet muslimane kërkuan nga Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) të thërrasë mbledhjen e një samiti për të “riafirmuar solidaritetin për krijimin e një Shteti sovran Palestinez”.

Në një deklaratë, Lëvizja për Shoqëri të Informuar e Malajzisë (WADAH) i bëri thirrje OBI-së të thërrasë një mbledhje të një samiti për të rivendosur angazhimin për paqen në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez dhe të riafirmonjë solidaritetin për krijimin e një Shteti sovran Palestinez, me Kudsin si kryeqytetin e tij.

Duke dënuar marrëveshjen EBA-Izrael, lëvizja tha se kjo do të dëmtojë të drejtat e palestinezëve për t’u kthyer apo për të mbetur në atdheun e tyre.

“EBA tani shihet si një peng i thjeshtë që po shfrytëzohet nga Izraeli dhe SHBA për të përmbushur ambiciet e tyre gjeopolitike në Lindjen e Mesme”, tha grupi.

Pakti u njoftua të enjten e kaluar, në një veprim që “pezulloi përkohësisht” planet e diskutueshme të Izraelit për të aneksuar një pjesë të madhe të Bregut Perëndimor të pushtuar.

EBA është shteti i parë i Gjirit dhe kombi i tretë arab që ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin pas Egjiptit dhe Jordanisë.

“Balanca e fuqisë është përkulur në mënyrë të dukshme drejt Izraelit”, shtoi grupi malajzias dhe theksoi se “Marrëveshja diplomatike do të shfuqizojë Planin e Paqes 2002, i cili parashikonte një normalizim të marrëdhënieve diplomatike midis Botës Arabe dhe Izraelit në këmbim të një tërheqjeje të plotë të Izraelit nga territoret e okupuara palestineze”.

“Tradhtia” ndaj kauzës palestineze

Në një deklaratë të përbashkët, një grup musliman me seli në Malajzi tha: “Ne ritheksojmë pa rezervë qëndrimin tonë se ky hap nuk është vetëm një tradhti ndaj çështjes palestineze, por edhe e dëmshme për interesin e umetit (komunitetit të përgjithshëm musliman)”.

“Çështja është thelbësore në lidhje me ligjshmërinë e ekzistencës së Izraelit dhe shtypjen e vazhdueshme të palestinezëve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Këshilli Konsultativ Malajzias i Organizatave Islame, Aleanca e Xhamive Botërore në mbrojtje të Al Aksasë dhe Sekretariati i Asamblesë së Ulemave të Azisë.

Grupet palestineze kanë denoncuar marrëveshjen, duke thënë se kjo nuk është aspak në shërbim të çështjes palestineze dhe injoron të drejtat e palestinezëve.

“EBA nuk mbron interesat e kombit dhe popullit të tij pasi Izraeli, i njohur për mashtrim, do të sigurojë që interesat e tij të vendosen të parat. Kjo është ajo që ndodhi me Jordaninë dhe Egjiptin”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Marrëveshja pengon krijimin e një shteti të pavarur palestinez”

Këshilli Kombëtar i Imamëve Australianë (ANIC) tha se do të vazhdojë të “qëndrojë pranë dhe të mbështesë” popullin palestinez dhe të drejtat e tyre për një shtet palestinez sovran dhe të pavarur.

“Marrëveshjet e fundit midis forcave okupuese të Izraelit dhe vendeve arabe (EBA) minojnë negociatat ekzistuese dhe pengojnë krijimin e një shteti të pavarur palestinez”, thuhet në deklaratën nga ANIC.

ANIC i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe botës arabe dhe muslimane që “të bëjnë më shumë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të popullit palestinez dhe të marrin si detyrë ndërmarrjen e hapave proaktivë drejt lehtësimit të krijimit të një shteti të pavarur palestinez”.

“Këshilli Kombëtar i Imamëve Australianë (ANIC) është i përkushtuar të qëndrojë pranë dhe të mbrojë të drejtat e popullit palestinez dhe shtetit të Palestinës me kryeqytetin e tij Kudsin”, thuhet më tej në deklaratë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne