Marreveshja ruso-turke për largimin e Asadit nga Siria

Nga Gëzim Katuçi
Draft-marrëveshje
Ankara – Moska
Datë (…) / (…) / 2024

Në dritën e kontakteve të zhvilluara javët e fundit lidhur me fatin e presidentit sirian Bashar al-Assad dhe regjimit e qeverisë së tij – kontakte që kanë përfshirë qeverinë aktuale të Shteteve të Bashkuara [qeverinë e Joe Biden] dhe qeverinë e ardhshme [qeverinë e Trump], si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretërinë e Arabisë Saudite, Katarin dhe qeverinë izraelite – Federata Ruse dhe Republika e Turqisë kanë rënë dakord për sa vijon:

Federata Ruse garanton që:
1. Presidenti sirian Bashar al-Assad, në cilësinë e komandantit suprem të forcave të armatosura siriane, do të japë urdhra të nevojshëm për të gjitha forcat tokësore, detare, ajrore dhe për të gjitha agjencitë dhe aparatet e sigurisë që, duke filluar nga ora 00:01 e ditës (…) dhjetor 2024, të mos kundërshtojnë dhe të mos përdorin armë kundër forcave të armatosura të opozitës (“Hay’at Tahrir al-Sham” dhe “Ushtria Kombëtare”).
2. Presidenti sirian do t’u urdhërojë gjithashtu të gjitha forcat e tij ushtarake dhe të sigurisë të dorëzojnë armët, të heqin çdo shenjë ushtarake dhe të lirojnë pozicionet e tyre.
3. Presidenti sirian duhet të largohet nga vendi brenda mesnatës së ditës (…) dhjetor 2024 dhe të transferojë kompetencat e tij ligjore të paktën një orë para largimit tek kryeministri Mohammad Ghazi al-Jalali — dhe jo tek zëvendëspresidenti Faisal al-Miqdad apo tek zëvendësi për çështjet ushtarake dhe ministri i mbrojtjes Ali Mahmoud Abbas.
4. Presidenti sirian, së bashku me familjen e tij dhe me cilindo nga shoqëruesit e tij që dëshiron, duhet të largohet nga territori i Republikës Arabe të Sirisë deri në orën 24:00 të ditës (…) dhjetor 2024.
5. Pala ruse duhet t’i komunikojë palës turke orarin dhe rrugën e kolonës së presidentit sirian dhe të shoqëruesve të tij.
6. Rusia do të përqendrojë përsëri forcat e saj të pranishme në Siri në bazën ajrore të Khmeimim-it dhe/ose në bazën detare të Tartus-it, dhe kjo veprimtari duhet të përfundojë deri në fund të dhjetorit 2024.
7. Duke filluar nga ora 00:01 e ditës (…) 2024, forcat ruse – tokësore, detare apo ajrore – pavarësisht vendndodhjes së tyre, nuk do të sulmojnë forcat e armatosura të opozitës siriane.
8. Nga momenti i largimit të presidentit sirian nga territori kombëtar, ai dhe anëtarët e shoqërimit të tij nuk do të kenë asnjë aktivitet politik apo mediatik, veçanërisht kundër qeverisë së re të Damaskut, për të paktën një vit.

Republika e Turqisë garanton që:
1. Siguria dhe integriteti i të gjitha objekteve ushtarake, diplomatike, konsullore dhe fetare ruse në Siri, si dhe i pajisjeve ushtarake apo civile – të palëvizshme ose të lëvizshme – do të ruhen dhe respektohen për aq kohë sa flamuri rus do të jetë i ngritur mbi to.
2. Siguria dhe integriteti i të gjitha entiteteve të lidhura me Federatën Ruse, përfshirë diplomatët, ushtarakët dhe civilët rusë, do të garantohet për aq kohë sa ata ndodhen në zonat nën kontrollin e forcave të armatosura të opozitës të përmendura.
3. Siguria dhe integriteti i kolonës së presidentit sirian, siç do të komunikohet zyrtarisht nga Rusia, do të garantohet në të gjitha zonat nën sovranitetin sirian ose turk – përfshirë hapësirën ajrore dhe ujërat e të dy vendeve. Shtojcat:

A) Palët kuptojnë se grupi “Operacioni Fath al-Sham”, i lidhur me “Divizionin e 5-të / Pajtimet”, i udhëhequr nga Anas al-Salakhdi, i njohur si Anas al-Za’im, do të jetë grupi i parë i forcave të armatosura të opozitës së përmendur që do të hyjë në Damask nga jugu dhe juglindja dhe do të marrë nën kontroll vendet zyrtare qeveritare, përfshirë:
• Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut,
• Organizatën e Përgjithshme të Radios dhe Televizionit Sirian,
• Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura,
• Pallatet Presidenciale,
• Zyrën e Kryeministrit,
• Godinën dhe zonën e Parlamentit (Majlis al-Shaab), etj.

Kjo operacion do të ndodhë vetëm pas largimit të presidentit sirian nga kryeqyteti dhe pas marrjes së një njoftimi zyrtar nga komanda e forcave ruse në Siri, përmes Turqisë. Forcat e tjera të opozitës nuk do të hyjnë në Damask derisa të jetë siguruar kontrolli i plotë mbi vendet e përmendura.

Së dyti: Çdo prani ushtarake ose civile ruse në Siri pas dhjetorit (…) do t’i nënshtrohet një marrëveshjeje midis qeverisë ruse dhe autoriteteve të reja siriane.

Megjithatë, qeveria turke do të bëjë çdo përpjekje për të inxhinuar qeverinë e re siriane që të rinovojë kontratën e qirasë për bazën ajrore të Khmeimimit dhe për bazën detare të Tartusit, me qëllim që Rusia të marrë pjesë në luftën kundër grupeve terroriste, në veçanti kundër ISIS-it.

Në këmbim, Federata Ruse do të ndërmarrë masat ligjore të nevojshme për të hequr grupet e armatosura të opozitës siriane të përmendura më sipër nga lista e saj zyrtare e terroristëve.

Së fundi: Çdo aktivitet ushtarak, i sigurisë apo veprim tjetër i kryer nga ndonjë vend tjetër – përfshirë Izraelin dhe anëtarët e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it – në zonat e sovranitetit të njohur të Sirisë, nuk do të jetë përgjegjësi e Republikës së Turqisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq