Zari i muxhahedinëve të Manzës, John Bolton akuzohet për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar

Një juri e madhe në Merilend ka ngritur padi ndaj ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, John Bolton, për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar.

Sipas burimeve hetimore, Bolton dyshohet se ka ndarë informacione konfidenciale në komunikimet e tij me email me gruan dhe vajzën, duke shkelur rregullat e sigurisë kombëtare.

Gazeta The New York Post raportoi se, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Bolton u ka kaluar me vetëdije materiale të politikës së jashtme palëve të treta, përfshirë dokumente të ndjeshme që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA-së.

Në komentet e tij për gazetarët, ish-presidenti Donald Trump tha se sapo kishte mësuar për akuzat dhe e cilësoi Boltonin si një “djalë të keq”, duke kujtuar përplasjet e mëparshme mes tyre pas publikimit të kujtimeve të ish-këshilltarit.

Sipas Politico, agjentët e FBI-së kanë kontrolluar banesën e Boltonit në Merilend dhe zyrën e tij në Uashington, ku kanë gjetur dokumente të klasifikuara që lidhen me armët e shkatërrimit në masë, misionin amerikan në OKB, si dhe komunikimet strategjike të qeverisë amerikane. Disa prej dokumenteve ishin të shënuara “sekret” dhe “konfidencial”.

Hetimi ndaj Boltonit ka marrë vëmendje të veçantë edhe për faktin se ai ka qenë një nga zërat më të fortë të muxhahedinëve të Manzës, gjatë vizitave të tij të shpeshta në Tiranë, ku ka marrë pjesë në takime me drejtues të organizatës. Në podiumet e tyre, Bolton deklaronte se “regjimi në Iran do të rrëzohet” dhe se “ndryshimi i pushtetit në Teheran është i pashmangshëm”.

Sot, ndërsa përballet me akuza federale për keqpërdorim informacioni, zëri i dikurshëm i muxhahedinëve të Manzës duket se po përmbytet nga heshtja e turpshme e një skandali që godet pikërisht njeriun që predikonte “rregull dhe transparencë demokratike”./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne