Në një fjalim të mbajtur përpara përfaqësuesve politikë nga vendet perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën, Kanadanë, Zvicrën, Holandën, Portugalinë, Maltën dhe Rumaninë, Maryam Rajavi – udhëheqësja terroriste e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) u bëri thirrje nje sere politikanesh perendimor për përmbysjen e qeverise iraniane, duke u kërkuar politikanëve të këtyre vendeve që të ndërhyjnë në mënyrë aktive në çështjet e brendshme të Iranit.
Rajavi e paraqiti regjimin aktual në Teheran si burim të të gjitha të këqijave në rajon dhe në botë, duke pretenduar se ai ka marrë “peng lirinë e popullit iranian, paqen në Lindjen e Mesme dhe sigurinë globale.” Ajo mohoi kategorikisht mundësinë e reformimit të regjimit dhe e përjashtoi çdo zgjidhje përmes dialogut apo mjeteve diplomatike, duke e konsideruar përmbysjen me forcë si të vetmen rrugëdalje. Një retorikë e tillë, e drejtpërdrejtë dhe e padiplomatike, ngre shqetësime serioze për nxitje të tensioneve dhe destabilizim rajonal.
Ajo kërkoi nga Europa dhe Kanadaja që:
të shpallin Gardën Revolucionare Iraniane (IRGC) organizatë terroriste,
të aktivizojnë mekanizmin “snapback” për rikthimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit,
dhe të njohin rezistencën e armatosur terroriste muxhahedine te Maryam Rajavit kundër regjimit si legjitime.
Në këtë drejtim, Rajavi nuk kërkon thjesht mbështetje morale apo politike për ndryshim regjim, por veprime konkrete dhe agresive nga jashtë, në mbështetje të një “alternative” që vjen nga një organizatë me histori të errët dhe të diskutueshme.
Organizata që ajo udhëheq, PMOI/MEK, është përfshirë për vite me radhë në lista terroriste ndërkombëtare dhe ka qenë akuzuar për bashkëpunim me regjime armiqësore ndaj popullit iranian, si ai i Sadam Huseinit. Ajo që Rajavi shet si “alternativë demokratike” është në fakt një lëvizje e mbyllur, me strukturë sektare, që ish-anëtarët e saj e kanë përshkruar si autoritare dhe të përqendruar rreth kultit të udhëheqjes.
Deklaratat e saj janë jo vetëm të rrezikshme për stabilitetin në Iran, por edhe për vetë kredibilitetin e institucioneve perëndimore që e mbështesin. Thirrjet për përmbysje të qeverive nga jashtë, përmes presioneve dhe ndërhyrjeve politike dhe mbeshtetje te organizatave terroriste, janë kundër çdo parimi të sovranitetit dhe të të drejtës ndërkombëtare.
Në vend të një zgjidhjeje për krizën iraniane, Maryam Rajavi ofron një axhendë radikale, të motivuar nga interesat e një organizate që kërkon legjitimitet përmes lobimit politik në vendet perëndimore dhe luftes terroriste. Kjo qasje nuk përfaqëson interesat e shumicës së popullit iranian, por përpiqet të përdorë institucionet demokratike të Europës dhe Amerikës së Veriut si levë për pushtet./gazetaimpakt