Ka përfunduar senca gjyqësore në ambientet e një spitali privat në Tiranë ndaj 14-vjeçarit që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani. Mësohet se gjyqtarja Lorena Çabej pasi dëgjoi palët, vendosi masën “arrest me burg”.
Gjyqtarja dhe prokurori i çështjes mbërritën mëngjesin e sotëm në spitalin privat në kryeqytet, ku i mituri Mario Perlleshaj, i dyshuar si autor i krimit, po merr ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve që ka marrë gjatë konfliktit me bashkëmoshatarin e tij, më 18 nëntor.
Ndaj të miturit Prokuroria kërkoi “arrest me burg”, të cilin e akuzon për “vrasje në rrethana cilësuese”.
Ndërkohë Policia e kishte referuar për akuzën e vrasjes me dashje 14-vjeçarin. Gjithashtu ndaj të miturit rëndon edhe akuza e mbajtje pa leje të armëve të ftohtë.
Grupi hetimor është rikthyer ditën e djeshme në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ku dyshohet se autori është larguar me vrap me shokët dhe kushërinjtë e tij.
Kamerat janë sekuestruar pasi dyshohet se ka pasur persona të tjerë që kanë marrë autorin dhe e kanë larguar nga vendngjarja./Tpz