Mashtruesi që zhvati tre biznesmën nën emrin e Edi Ramës, djali i konsulles së Indonezisë

Klodian Ciruna, personi që mashtroi tre biznesmenë në Tiranë duke u marrë një shumë prej 488 mijë euro, rezulton të jetë djali i konsulles së nderit të Indonezisë në Shqipëri. Mësohet se Ciruna që momentalisht ndodhet i izoluar në burg, është djali i Irma Kapllanit. Duke ju referuar listës publike të konsujve të nderit që ministria e Jashtme ka publikuar, rezulton se Irma Kapllani është konsulle e nderit e Indonezisë në Shqipëri.

Dy ditë më parë konsujt e nderit me urdhër të ministrit të Jashtëm në detyrë Gentian Caka, janë detyruar të dorëzojnë targat diplomatike, duke u “zhveshur” nga imuniteti diplomatik. Klodian Ciruna, është një person që herë hiqej si prokuror herë si gjyqtar dhe me dikë tjetër prezantohej si djali i kryeministrit dhe herë si vetë kryeministri Edi Rama, është marrë i pandehur nga prokuroria e Tiranës,për akuzën e “Mashtrimit me shumë se një herë” dhe në ditët në vijim Ciruna do përballet me akuzat në gjykatë. Sipas hetimeve të kryera Ciruna rezulton të ketë mashtruar tre biznesmenë, mes tyre dhe një italian duke u marrë atyre në total një shumë prej 488.300 mijë euro. Klodian Ciruna, i cili rezulton pronar i një qendre “Call Centeri” në Tiranë, sipas dosjes së prokurorisë ka mundur të mashtrojë italianin Tommaso Sciavon, biznesmenin Luan Duraj dhe ndërtuesin Petraq Koka. “Shqiptarja.com” mëson se Ciruna gjatë takimeve me tre personat e sipërcituar prezantohej si prokuror apo si gjyqtar.

Ndërkohë që këtyre të fundit u thoshte se kishte lidhje të ngushta me djalin e kryeministrit Edi Rama, Gregor Ramën madje dhe vetë kryeministrin Rama. Duke shfrytëzuar këto teknika të mashtrimit, Klodian Ciruna, arrinte t’i bindte viktimat e tij duke u marrë shuma të konsiderueshme në euro, të cilët i jepnin me shpresën se Ciruna do i mundësonte leje ndërtimi nga bashkia e Tiranës. Madje për të bindur se këto para shkonin për djalin e kryeministrit apo vetë kryeministrin Rama, Ciruna arrinte të telefononte viktimat me numra të ndryshëm, duke u hequr se ishte Edi Rama apo Gregor Rama.I pari që ka rënë në grepin e mashtrimeve të Cirunës, është një biznesmen nga Italia, i quajtur Tommaso Sciavo. Ky i fundit mësohet se ka një biznes privat për tregtimin e peliçeve dhe xhaketave të lëkurës në zonën e “ish-bllokut” në Tiranë.

Italiani është njohur me Klodian Cirunën, i cili sipas tij i është prezantuar si prokuror dhe Ciruna së bashku me disa të afërm të tij e kanë mashtruar duke i thënë të blinte një banesë në shumën prej 30 mijë e 300 euro. Italiani ka paguar këto para, por në fakt nuk është bërë ende dhe sot pronar i kësaj shtëpie.

Njëherësh Ciruna ende nuk ja ka kthyer eurot e marra. Pas këtij mashtrimi Klodian Ciruna piketon viktimën e radhës ku këtë herë është ndërtuesi Petraq Koka, i cili qysh prej vitit 2003 ka lidhur një kontratë sipërmarrje për ndërtim pallati me familjet Muça, Pasmaçi, Shkëmbi, Bodinaku dhe Mjedi. Të njëjtën skemë mashtrimi ka përdorur edhe me biznesmenin Luan Duraj, të cilit Ciruna i ka marë një shumë prej 232 mijë e 500 euro me premtimin se do i nxirte një lejë ndërtimi, pasi sipas Duraj, Ciruna i ishte prezantuar si biznesmen, jurist dhe që kishte shumë lidhje. Plus që shumë shpejt do emërohej gjyqtar ose kandidat për këshilltar ligjor pranë kryeministrit Edi Rama.

Nisur nga kjo situatë Duraj ka pranuar t’i dorëzojë shumën prej 232 mijë euro. Por pas dhënies së kësaj shume, Duraj ka filluar të hulumtojë se kush është ky person dhe çfarë përfaqëson,duke kuptuar se kishte të bënte me një mashtrues. Kaq ka mjaftuar që ai të kërkojë sasinë e eurove mbrapsht dhe ti drejtohet prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal për mashtrim.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne