Mbaron turpi i drejtësisë amerikane: bie sajesa për “ndërhyrje ruse” në zgjedhje

Ministria e Jashtme e Rusisë është njohur me pjesën e publikuar të raportit përfundimtar të këshilltarit të posaçëm Robert Mueller, i cili prej 22 muajsh ka investiguar “pastërtinë” e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Në fakt, konkluzioni kryesor, që është mungesa e ndonjë marrëveshjeje të fshehtë midis shtabit elektoral të Donald Trump-it dhe Rusisë, nuk mund të ishte ndryshe. Gjithsesi, është e habitshme që për të nxjerrë një konkluzion të tillë ekipit të 19 juristëve, 40 agjentëve të FBI-së, ekspertëve kriminologë dhe specialistëve të tjerë iu deshën gati 2 vite punë. Gjatë kësaj kohe janë dërguar 2800 fletëthirrje, janë marrë në pyetje 500 dëshmitarë dhe janë kryer 500 bastisje. Pra, për të hedhur poshtë një falsitet të dukshëm, janë bërë përpjekje kolosale dhe janë shpenzuar, natyrisht, jo pak para të taksapaguesve.

Që nga momenti i publikimit rreth tre viteve më parë të raporteve të para për “ndërhyrje ruse”, Moska ka theksuar pathemelësinë e tyre absolute. Gjatë të gjithë kësaj kohe Rusia ka kërkuar pa sukses fakte vërtetuese, fillimisht nga administrata e mëparshme në Uashington, e cila e kishte bërë publik këtë gënjeshtër, dhe pastaj nga autoritetet aktuale të SHBA-së. Por as investigimi i Mueller-it nuk ka sjellë ndonjë provë të implikimit të Moskës në sulme famëkeqe kibernetike dhe përpjekje të tjera për të “minuar demokracinë amerikane”, akuza këto që po ngrihen vazhdimisht kundër Rusisë. Për sa u përket akuzave të ngritura vitin e kaluar ndaj 25 shtetasve rusë për të justifikuar, të paktën në njëfarë mënyre, punën e padobishme të skuadrës gjigante hetimore, ato thjesht duken qesharake. Motivimi politik i këtyre dosjeve është aq i dukshëm, sa që nuk mund të quhen ndryshe veçse turp i drejtësisë amerikane.

Moska ka kohë që i propozon Uashingtonit që të diskutohen në mënyrë profesionale të gjitha pretendimet e mundshme në lidhje me influencimin e proceseve elektorale. Pala ruse, në veçanti, del rregullisht me një iniciativë për të ringritur grupin e punës për çështjet e sigurisë kibernetike, por Shtetet e Bashkuara po e shmangin këtë gjë për asrsye se nuk kanë me çka të mbështesin pohimet e tyre të pabaza.

Është simptomatik refuzimi i kohëve të fundit i shërbimeve speciale amerikane për ta bërë publik letërkëmbimin mes Rusisë dhe SHBA-së të realizuar në periudhën tetor 2016 – janar 2017 përmes kanalit të njoftimeve për veprimtarinë kërcënuese në rrjete elektronike. Nuk ka dyshim që opinioni publik në SHBA dhe në botë do ta vlerësonte argumentimin grotesk që ka përdorur administrata e Presidentit Obama, duke ngritur kundër Rusisë akuza boshe për “hakerime”, me qëllim diskreditimin e Donald Trump-it.

Shpresojmë se me kalimin e kohës Uashingtoni do të ketë guxim të mjaftueshëm për të pranuar zyrtarisht që jo vetëm nuk ekzistonte asnjë “komplot”, por edhe të gjitha trillimet për “interferencë ruse” kanë qenë thjesht një shpifje e ligë e shpikur për nevojat e luftës së brendshme politike në SHBA. Atëherë ndoshta në këtë histori do të vihet një pikë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne