Mbi 30 mijë pensionistë i shtohen vendit, masa e pensionit mesatar arrin në 15.560 lekë në muaj

Gjatë vitit 2023, 30,247 të moshuar kanë mbushur moshën dhe kanë lidhur pension pleqërie me Institutin e Sigurimeve Shoqërorë. Referuar të dhënave zyrtare të këtij institucioni,  nga pensionistët që kanë hyrë në skemë gjatë vitit që lamë pas afro 17 mijë prej tyre janë meshkuj dhe 13 mijë janë femra.

Por sa është masa mesatare mujore për pensionet e reja dhe a po ecën në të njëjtën linjë me kostot e jetesës? Ajo që vihet re është se masa mesatare mujore e një pensionisti për gjininë mashkullore është 16.702 lekë në muaj, ndërsa masa mesatare mujore për gjininë femërore është 14.077 lekë në muaj.  Për të dy gjinitë se bashku, pensioni mesatar llogaritet në 15.560 lekë në muaj, apo rreth 1/3 e pagës minimale në shkallë vendi.

Hendeku i përfitimeve midis meshkujve dhe femrave evidentohet ndër vite, gjë që lidhet drejtpërdrejt me hendekun e pagave midis dy gjinive. Duke qenë se pensioni llogaritet në bazë të kontributeve të derdhura mbi pagën, sa më e ulët të ketë qenë ajo, aq më e vogël është vlera e përfituar.

Nga ana tjetër, sa i takon numrit të pensioneve të mbyllura, rezulton se gjatë 2023-shit janë 13,727 pensionistë që kanë humbur jetën, duke bërë që numri real i shtesës të jetë 16.520 pensionistë. Koha mesatare e “gëzimit” të pensionit është 21.1 vite. Aktualisht, mosha e daljes në pension për meshkujt është 65.2 vjeç, ndërsa për femrat 61.7 vjeç, ndërsa mosha mesatare për të dy gjinitë është 63.9 vjeç./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne