Mbreti saudit anulon pjesëmarrjen në samitin e G20

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ka thënë se Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, nuk do të marrë pjesë në samitin G20 në Hamburg.

Ky samit do të mbahet në datat 6-7 korrik. Zëdhënësi, Steffen Seibert, ka thënë se qeveria saudite e ka njoftuar Berlinin se mbreti 81 vjeçar, nuk do të marrë pjesë në këtë samit. Seibert nuk ka përmendur ndonjë arsye për anulimin e pjesëmarrjes. Burime diplomatike nga Arabia Saudite i kanë thënë DPA-së, se anulimi është i lidhur me konfliktin e Arabisë Saudite me Katarin. Në qershor Arabia Saudite dhe vendet fqinje, Bahrenini, Emiratet e Bashkuara dhe Egjipti i kanë prishur marrëdhëniet me Katarin, të cilin e akuzojnë për mbështetje të terrorizmit. Këto vende po kërkojnë që Katari t’i jap fund mbështetjes së Vëllazërisë Myslimane, të ndalojë transmetimin e Al-Jazeera, të zvogëlojë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të mbyllë një bazë ushtarake turke në Katar. Ministri i financave i Arabisë Saudite, Mohammed al-Jadaan, do të jetë pjesë e samitit në vend të Mbretit Salman. Katari thotë se nuk i frikësohet ndonjë aksioni ushtarak për refuzimin e kërkesave të disa shteteve arbabe deri më 3 korrik. Ministri i jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, përsëri i ka hedhur poshtë kërkesat, duke i cilësuar ato si shkelje e sovranitetit të Katarit. Megjithatë, ai theksoi se Doha është e gatshme të diskutoj për çështjet aktuale, që janë shtruar nga fqinjët arabë. “Lista e kërkesave do të refuzohet, e jo të pranohet”, tha Al Thani dhe ka shtuar se “ne jemi të gatshëm të angazhohemi në dialog, por nën kushte përkatëse”. Ai tha se Katari nuk do ta mbyll një bazë ushtarake turke në vendin e tij ose ta mbyll rrjetin Al-Jazeera, me seli në Doha, siç është kërkuar nga katër shtete arabe./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne