Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me anë të një postimi në rrjetet sociale njofton se në orën 19:00 janë mbyllur të gjithë qendrat e votimit në të gjithë territorin e Himarës.
Sipas KQZ, procesi i votimit në të 36 qendrat e votimit ka qenë e qetë. Nga informacionet paraprake dhe të dhënat e raportuara, pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 36.9%. Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me largët.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria, ka folur për mediat pas përfundimit të procesit të votimit. Gjikuria falënderoi himariotët për besimin, partitë opozitare dhe stafin e tij, për mbështetjen dhe punën e bërë gjatë fushatës së shkurtër.
I pyetur po ashtu nëse do ta pranojë ftesën e Tavos, për të qenë nënkryetar në rast se kandidati socialist fiton zgjedhjet, Gjikuria u shpreh se Tavo nëse do të punojë për të është mirëpritur, pasi ai është fitues. “Unë do të jem fitues, Tavo po desh të punojë për mua është i mirëpritur” tha kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Pjesë nga fjala e Gjikurisë:
Do të jem këtu për numërimin. Himariotët kanë verdiktin e tyre, ata folën. Mendoj që asnjë njeri nuk do ti prekë këto kuti. Mendoj që asnjë njeri s’do ti prekë këto kuti, sepse janë kutitë ku himariotët vendosën për djalin e tyre të ardhshëm.
Duhet të dini një gjë, që këtu në këtë fushatë kishte zbritur e gjithë administrata shtetërore e cila me presione dhe kërcënime kanë frikësuar një pjesë, por himariotët nuk i tremben kërcënimeve. Puna e pjesëmarrjes në zgjedhje tregon që himariotët nuk e ulin kokën.
Kjo është puna e KQZ, jo puna ime. Unë do të pranoj verdiktin e himariotëve. Unë do të jem fitues, Tavo po desh të punojë për mua është i mirëpritur./Tpz