“Më kërcënuan që të mos filmoja”, pedagogu Ergys Mërtiri rrëfen shoqërimin në polici: Si u dhunuan aktivistët e Aleancës, fshinë provat nga telefoni

Pedagogu i njohur Ergys Mërtiri në një rrëfim për ‘News24’ ka treguar detaje nga shoqërimi i tij i dhunshëm në polici, bashkë me 3 aktivistë të tjerë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Ngjarja ndodhi më 19 dhjetor të këtij viti para vendit ku ka qenë Teatri Kombëtar.

Nga studio e ‘News24’ Mërtiri tha se bashkë me Astrit Seranajn, Donald Martinin dhe Gentian Hasanin, janë ndaluar dhunshëm nga policia sipas tij pa shkak, ndërsa deklaroi se dhuna është përshkallëzuar brenda ambienteve të komisariatit nr.1.

Mërtiri tha se nuk ishin duke protestuar, por duke shkuar në kafe. Sipas tij, situata ka precipituar për faktin se aktivistët po regjistronin video me celular, teksa ata po ‘kapeshin’ me Seranajn, duke shtuar se punonjësit e policisë iu kanë fshirë regjistrimet që shërbenin si prova. Po ashtu Mërtiri tha se Astritit gati i thyen krahun, ndërsa Donaldin e goditën në mjekër duke e gjakosur.

Na tregoni se çfarë ndodhi ditën e shoqërimit?
Aty me xhupin e zi jam unë, duke debatuar me policinë. Ata po thonin; “Ne jemi në punë, po na pengoni: I thash: ti je në punë, dhe unë po ashtu!”. Telefoni nuk është i imi, por i Donald Martinit. Unë isha afër tij. Telefonat tanë janë skeustruar dhe na janë fshirë videot. Ishim aty në momentin kur astritin e lënduan, e goditën, e ndrydhën nga krahët. Na kanë shtyrë, na kanë ofenduar.

Ju kanë fshirë videot?
Punonjësit e policisë. Më kanë fshirë videot, ma marrin nga duart telefonin. Në momentin kur lëviz telefoni, e merr polici celularin. Dëgjohet dhe në video. Polici thotë; ‘jepi end, dhe fshije’. Në këto moment policia është duke fshirë videot nga telefoni i Donaldit. Përveç kësaj është ndërhyrë në telefonat tanë. Kjo e thellon situatën. Kanë ndërhyrë për të fshirë provat e dhunës së ushtruar nga policët.

Ju u shoqëruat në polici? Qëndruat disa orë atje?!
Pame se videot që kishim regjistruar, nuk ishim më.

Keni bërë denoncim?
Jam dhënë dëshmi në SHÇBA për atë që kam parë. Nga fillimi deri në fund. Kam qenë dëshmitar i ngjarjes. Kemi një kafe ku mblidhemi në një kafe me Aleancën. Në momentin kur po i bija rrotull për të shkuar tek pedonalja, shoh Astrit Seranajn që po tërhiqej. Astriti nuk dinte arsyen e shoqërimit. Polici thoshte; “eja me ne, s’do të japim ne llogari”. Astriti iu tha; “pse të vij?!”. Shkoj dhe i pyes policët; “Pse po e shoqëroni?!”. Mes dy policëve ishte dhe një civil, i cili m’u hakërrye dhe më tha pak a shumë; “ik se do gjesh belanë”. M’u kthye me kërcënim dhe më ka shtyrë. I thash; ç’është kjo sjellje?!’ Më pas nxora telefonin. Nisa të filmoja. Më kërcënuan duke thënë; “mos filmo se do të marrim dhe ty”. Më pas vijnë dhe dy pjesëtarë të tjerë të Aleancës. Një pjesë e filmoi duke transmetuar live tek Aleanca. Kjo zgjati rreth çerek ore. Titi (Astriti) ka pasur raste kur shtrihej në mes të rrugës nga policët. Ishte kafshëri, kishte fjalor policesk. Ne filmonim. Aty ishte një grup i madh policësh, ku një prej tyre goditi. Tentova që t’i filmoja numrin e tij, që të identifikohej. Më pas Donaldin e goditën nga duart dhe i hodhën telefonin. Ia marrin telefonin dhe mua po ashtu. Na dërguan në komisariatin nr.1.

Pse u shoqëruat?
I thamë në makinë se; “A mund të dimë se pse u shoqëruam?!” Ata thonin; nuk japim asnjë llogari. Donaldit po i binte telefoni në makinë, por policët nuk ia dhanë. Donaldin e kanë goditur, më pas ai u gjakos. Kishte gjak në mjekër dhe sy të nxirë. Më pas një polic qëlloi Astrit Seranajn. Mua dhe Gentian Hasanajn s’na prekën. Rezistenca e Seranajt ishte mosdakordësia për t’u arrestuar. Mesa e mbaj mend ngjarjen, s’mbaj mend se Astriti t’i ketë ofenduar.

Sa orë qëndruat në komisariat?
Unë dola shumë shpejt. Ndoshta ishte bërë lajm. Një polic m’u afrua dhe më tha; fol pak me shefin e komisariati. Fola me të në telefon dhe pasi ai erdhi tregoi se ishte vënë në siklet për ngjarjen. I thash; unë kam dy probleme; 1 personat që janë kapur duhet të dalin dhe të merret masë ndaj atyre që kanë ushtruar dhunë. Gjithçka ndodhi në korridorin e komisariatit. Më tha; pa merak, ne do të ndjekim të gjitha procedurat. Dola jashtë dhe më pas ikëm në shtëpi. Të tjerët qëndruan, pasi nuk pranuan as avokatë. Donaldi dhe Astriti janë nxjerrë me një akuzë ku kanë shfaqur mosbindje ndaj policisë. Se di deri ku shkon në aspektin ligjor e drejta e një qytetari ndaj një polici, por nuk shoh asnjë krim kur i thua një efektivi që; kjo që po bën është e padrejtë. Se shoh problem penal këtë. Donald Martini s’ka bërë asnjë rezistencë. Policia nuk ka të drejtë që të thotë; mos filmo. U shoqëruam 4 persona.

Përse protestuat?
Ne nuk ishim duke protestuar atë mbrëmë. Aleanca ka një mënyrë të sajën të reagimit, ku çdo natë regjistron një video dhe një personazh flet para kameras dhe denoncon e argumenton. Mban një fjalim, me një banderolë. Është simbolike. Ne nuk po organizonim një protestë, po shkonim në kafe.

Reagimi i juaj erdhi fill pas ndodhive të fundit, pas protestës për vrasjen e Klodian Rashës…
Nuk hamendësoj se shoqërimi ynë ka qenë i programuar, nëse ka pasur urdhër apo jo. Nuk mund të shtroj hipotezën në këtë mënyrë. Ajo egërsi që ka shfaqur policia ndaj protestuesve ishte e pashpjegueshme. Ajo ishte një indinjatë e thellë e shoqërisë, që ka një lloj irritimi ndaj këtij shteti. I sekuestrohen shitësve ambulantë paketat e cigareve, e deri tek sjellja nëpër protesta, e deri tek sjellja ndaj banorëve të Unazës. Kjo ka prodhuar një indinjatë ndaj shtetit. Vrasja ishte një shkëndijë që ndezi revoltën./news24

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne