Shqipëria nënshkruan marrëveshje ekstradimi me SHBA-në

Shqipëria firmosi sot një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për ekstradimet, raporton Anadolu Agency AA).

Traktati i ri i bashkëpunimit, i cili u firmos nga ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë Etilda Gjonaj dhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim zëvendëson traktatin e ekstradimit të vitit 1933.

Në fjalën e saj, ministrja Gjonaj tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një ngjarje historike.

“Marrëveshja e re që nënshkruajmë sot zëvendëson Traktatin Dypalësh të Ekstradimit, të nënshkruar në vitin 1933, hyrë në fuqi në vitin 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të Protokollit të Shkëmbimit nga Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA dhe Cordell Hull, Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, duke e modernizuar dhe përshtatur atë me realitetin e kohës që jetojmë”, tha Gjonaj.

Më tej gjatë fjalës së saj Gjonaj, duke folur për rëndësinë e marrëveshjes tha: “Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje bëhet i mundur edhe zgjerimi e përditësimi i kategorive të veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike e çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti ose për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik”.

Sipas Gjonajt, mbështetja politike dhe teknike e Shteteve të Bashkuara është shprehur më së miri që në fillesat e konceptimit dhe hartimit të reformës në drejtësi.

“Reforma në drejtësi si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë qenë që në krye të herës kryefjala e punës së Ministrisë së Drejtësisë. Bashkëpunimi ndërmjet organeve gjyqësore dhe agjencive ligj zbatuese Shqiptare me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të luftës kundër krimit të organizua”, deklaroi Gjonaj.

“Ky traktat siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve”

Ndërsa ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në fjalën e saj tha se ky traktat i ri siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, të cilët përpiqen që të fshihen pas kufijve.

Sipas ambasadores, nënshkrimi i traktatit, është dëshmia e fundit e partneritetit në rritje mes dy vendeve.

“Ky traktat bashkëpunimi siguron një kornizë modern e cila do ti mundësojë dy vendeve të përballen në mënyrë më efikase me sfidat dinamike të paraqitura nga krimi ndërkombëtar. Ky traktat siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, të cilët përpiqen që të fshihen pas kufijve. Nuk do të ketë asnjë strehë të sigurtë në Shqipëri apo në SHBA për të arratisurit që përpiqen ti shpëtojnë drejtësisë. Personat e kërkuar për ndjekje penale, për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati”, tha Kim.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së re të Ekstradimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së morën pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) Arben Kraja dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne