Me Turqinë në ajër dhe në tokë

Swissair, Air Albania, Turkish Airlines, UNYT dhe Maarif në një intervistë ekskluzive me diplomatin e njohur dhe Rektorin e University New York Tirana, Prof. Dr. Fatos Tarifa.

 

z.Tarifa, Ditës i ka rënë një letër që ju, në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, në gjysmën e parë të viteve 2000, i keni dërguar ambasadorit zviceran në Uashington në atë kohë me kërkesën që shoqëria ajrore Swissair të mos i ndërpriste fluturimet e saj në Tiranë. Cili ka qenë qëllimi juaj me atë letër?

Më vjen mirë që më drejtoheni me këtë pyetje në një kohë kur, vetëm pak ditë më parë, Shqipëria ka lançuar, edhe pse jo për të parën herë, shoqërinë e fluturimeve ajrore Air Albania. Një koincidence e rastit me kërkesën tuaj për këtë intervistë? Ndoshta jo. Ajo letër, për të cilën më pyesni, është bërë publike, në anglisht, në librin tim To Albania, with Love (ff. 174-175), botuar në Lanham, Maryland (SHBA), nga shtëpia e madhe botuese Hamilton Books, pjesë e gjigandit të industrisë së botimeve The Rowman and Littlefield. Besoj ky libër duhet të ketë qenë burimi i informacionit tuaj.

 

Në fakt, redaksia jonë zotëron një kopje të letrës suaj dërguar ambasadorit të Zvicrës në Uashington, faksimilen e së cilës, me lejen tuaj, ashtu si dhe vetë letrën të përkthyer në shqip, dëshirojmë t’i botojmë për shkak të rëndësisë dhe vlerës që ka kjo letër për publikun shqiptar dhe për diplomacinë shqiptare.

E keni lejen time, nuk ka pse jo. Ajo letër e të tjera si ajo kanë qenë vazhdimisht pjesë e punës si me si ambasador dhe, pavarësisht rezultatit të saj, mendoj se kam bërë gjënë e duhur, atë që duhet të bëjë çdo ambasador që përfaqëson, shpreh dhe mbron interesat shtetërore dhe ato publike të vendit të tij.

 

Ç’përfaqësonte për ju Swissair?

Siç mbaj mend të jem shprehur në atë letër, të cilën shpresoj që redaksia e gazetës juaj ta ketë përkthyer mirë, Swissair ishte një shoqëri fluturimesh shumë e rëndësishme për vendin tonë, e para shoqëri ajrore që solli avionët e saj në Tiranë menjëherë (më 1986) pas vdekjes së Enver Hoxhës. Si e tillë, fluturimet e Swissair-it kishin, veç të tjerash, vlerën e madhe simbolike të hapjes së Shqipërisë drejt Perëndimit.

 

Tani Shqipëria ka Air Albania, një shoqëria ajrore me fluturime ende të kufizuara, me avionë që mbajnë flamurin kombëtar, por që është krijuar me mbështetjen e shoqërisë gjigante Turkish Airlines. Largim nga Perëndimi? Afrim me Turqinë?

Perëndim apo Lindje? Këto nocione, në “fshatin global” në të cilin jetojmë sot janë bërë, gjeografikisht dhe politikisht, terma shumë relativë. Më thoni ju lutem, ç’janë Tokio, Singapori apo Hong Kongu, tri nga pesë qendrat më të mëdha të kapitalit financiar global (bashkë me Nju Jorkun dhe Londrën), Lindje apo Perëndim? A nuk është Turqia po aq pjesë e Azisë Perëndimore, sa edhe pjesë e Europës Lindore? Po Rusia, a nuk është ky vend dualist sa lindor, aq edhe perëndimor? Marrëniet shumë të mira të Shqipërisë me Turqinë nuk e largojnë vendin tonë nga Perëndimi dhe nga vlerat e tij. Në asnjë mënyrë jo. Si një vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron të anëtarësohet plotësisht në Bashkimin Europian, Shqipëria është, pa dyshim, një vend tërësisht europian dhe i orientuar pa asnjë ekuivok nga Perëndimi. Edhe Air Albania, siç duhet të jeni në dijeni, pas Stambollit, parashikon të nisë fluturimet e avionëve të saj në destinacione të tillë, si, Romë, Milano dhe Londër, pra në vende të rëndësishme perëndimore të kontinentit tonë. Ju pyesni: afrim me Turqinë? Pse jo? Turqia ka qenë dhe është një vend i madh, shumë i rëndësishëm, anëtar i NATO-s dhe veçanërisht miqësor për Shqipërinë. Në të jetojnë rreth pesë milionë njerëz me origjinë shqiptarë dhe dhjetëramijëra shqiptarë që studiojnë, ose kanë emigruar në atë vend gjatë dekadave të fundit. Një “human bond” i tillë domosdo i bën të rëndësishme marrëdhëniet e vendit tone me Turqinë. Kjo nuk duhet të na shqetësojë. Të mos harrojmë edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm: Turkish Airlines është ndër shoqëritë ajrore më të mëdha dhe më me reputacion në botë, e lidhur në një “Star Alliance” me shoqëri ajrore të tjera të mëdha, si shoqëritë amerikane United Airlines, US Air and Continental, Lufthansa, Austrian dhe Swiss International Air Lines, All Nippon Airways, Air China dhe Singapore Airlines, Scandinavian Airlines, Thai Airways, South African Airways e shumë të tjera. Për ne shqiptarët, Turkish Airlines është një mundësi e madhe për t’u lidhur me Perëndimin dhe me Lidjen, një mundësi që Air Albania pritet ta lehtësojë e zgjerojë.

 

Meqë ra fjala, Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë, që ju drejtoni, si Rektor i tij, është blerë kohët e fundit nga një fondacion shtetëror turk, Maarif. A do të thotë kjo se ndikimi i Turqisë në vendin tonë po zgjerohet edhe në fushën e arsimit?

Unë vetë, ashtu si dhe stafi pedagogjik i këtij universiteti, e kemi mirëpritur këtë ndryshim. Me Fondacionin Maarif, UNYT, i cili do ta ruajë këtë emër, do të vazhdojë të rritet e të ketë edhe më tej në fokus përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies e të kërkimit shkencor. Standardet dhe përvoja e tij ndërkombëtare e spikatur do të pasurohen edhe më tej përmes bashkëpunimit efektiv me universitete të klasit të parë në Turqi, në Europë, në SHBA e në vende të tjerë. Investime të mëtejshme pritet të bëhen për të zgjeruar ofertën akademike përmes krijimit të fakulteteve dhe programe të reja në të trija ciklet e studimit, si dhe për rritur cilësinë e metodave e të praktikave ekzistuese pedagogjike e kërkimore përmes krijimit të laboratorëve bashkëkohorë dhe teknologjive inovative në funksion të të mësuarit, të kërkimit shkencor e të zhvillimit profesional të studentëve e të pedagogëve. Studentët e këtij universiteti do të pasurojnë përvojën e tyre edhe përmes mundësive që ofrojnë këto programe shkëmbimi për të studiuar deri në një vit në disa prej universiteteve më të mirë në Turqi, në Europë ose gjetkë. Pjesëmarrja aktive në programet e mobilitetit ndërkombëtar të pedagogëve e studentëve, si Erasmus +, Mevlana etj. do të sigurojnë që UNYT t’i bëjë vetes një vend nderi mes universiteteve më të mirë në rajon e më gjerë. Të gjitha këto i shohim dhe vlerësojmë plotësisht të mundura e të domosdoshme për të siguruar që ky universitet, si deri më sot, të jetë në avangardë të arsimit të lartë shqiptar.

 

***

Letër e ambasadorit Fatos Tarifa për ambasadorin zviceran në Uashington për të mos i ndërprerë fluturimet e Swissair-it në Shqipëri

 

Uashington, D.C., 3 mars 2003

Shkëlqesisë së Tij, Christian Blickenstorfer Ambassdor i Zvicrës Uashington, DC

I dashur koleg,

Më kujtohet se sa krenarë ishin shqiptarët kur, në vitin 1986, Swissair filloi fluturimet e tij nga Zyrihu  në Tiranë. Swissair ishte vërtet, nga çdo pikëpamje, një lider në hapjen e një vendi që për vite të tëra kishte qenë nën kontrollin e hekurt të komunistëve.

Fermerët shqiptarë që punonin në fushat pranë Aeroportit të Rinasit do të shihnin nga qielli e do të mrekulloheshin duke parë avionin e bardhë Swissair, me kryq të kuq në krahët e tij, që do të ulej në tokë e do të ngrihej mëpas mbi malet e Shqipërisë. Ai avion nënkuptonte liri dhe shpresë për popullin shqiptar. Swissair ishte e para linjë europiane fluturimi në Shqipëri pas vdekjes së udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Ishte një hapje drejt Perëndimit.

Edhe pse ai avion ishte vetëm një 30 Saab Fairchild 340, që vinte dhe largohej nga Tirana vetëm dy here në javë, shqiptarët, ashtu si dhe populli e mirë i Zvicrës, e dinin se trafiku ajror drejt Shqipërisë dhe jashtë saj do të rritej ndjeshëm sapo komunistët të binin nga pushteti e të vendosej demokracia. Dhe kështu ka ndodhur.Qysh nga ajo kohë, Swissair ka fluturuar drejt Tiranës çdo ditë, me avionë të mëdhenj Airbus 319 dhe 320 të mbushur me mbi njëqind njerëz në çdo fluturim—shqiptarë, amerikanë, kanadezë, europianë—që vizitojnë Shqipërinë ose që duan të bëjnë biznes në këtë vend.Kjo është arsyeja pse vendimi i Swissair-it për të ndalur, më 30 mars, fluturimet e tij nga Zyrihu në Shqipëri ishte tronditës për ne. Ky është një vendim shumë dëshpërues, që do i bëjë shumë shqiptarë të ndihen sikur, pa Swiss Airline, vendi i tyre do të mbetet një vend i harruar. Për Shqipërinë, Swissair ishte një linjë jete drejt Perëndimit.

Pasardhësi i saj, Swiss International Air Lines, njihet nga të gjithë shqiptarët dhe është zgjedhja e tyre e parë. Për mua dhe familjen time ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë. Me përjashtim të Alitalias dhe Austrian Airlines, linjat e tjeraajrore që fluturojnë në Tiranë janë linja të dorës së tretë, si Malev dhe JAT. Olimpic Aiways nuk është një linjë e përditshme dhe, zakonisht, nuk lidhet me linjat trans-Atlantike.Arsyeja për marrjen e një vendimi të tillë duket se janë të ardhurat. Me sa duket, numri më i madh i trafikut që shkon përmes Zyrihut në Tiranë vjen nga Amerika e Veriut, kryesisht nga Nju Jorku, Çikago, Bostoni dhe Uashingtoni DC dhe kjo mbulon shpenzimet për fluturimin trans-atlantik, ndërsa ajo që mbetet shkon për segmentin Zürich-Tiranë.

Kjo është arsyeja që shpjegon humbjen e mijëra frangave zviceriane. Sidoqoftë, problemi është se, ndërsa Swiss mund t’i ndalojë fluturimet e tij në Bremen ose në Sevilje dhe kjo nuk do të kishte vërtet ndonjë pasojë në ekonominë gjermane ose atë spanjolle, për fat të keq, kjo nuk është e vërtetë për ekonominë shqiptare dhe do të ketë një ndikim shumë negativ për të.JAT sapo ka filluar të fluturojë në Tiranë nga Beogradi dhe një linjë ajrore rumune, e quajtur Angel Air, po kërkon të fillojë, gjithashtu, të fluturojë në Tiranë. Gjërat kanë nisur të venë mbarë për Europën Juglindore dhe, prandaj, Shqipëria dhe populli i saj nuk do të donin që Swissair të largohej tani.Shqipëria është bërë një demokraci e lulëzuar e vibrante, me një ekonomi tregu që po rritet shpejt. Përveç kësaj, Shqipëria është në prag të anëtarësimit të saj në NATO dhe në Bashkimin Europian, çka dëshmon edhe më mirë rëndësinë në rritje të këtij vendi.
Për t’i vazhduar fluturimet në Tiranë, Swiss ndoshta mund të konsiderojë rritjen e tarifave. Komuniteti gjysmë milionësh i shqiptarëve të Amerikës është sot pak më i pasur sesa dikur dhe mund të paguajë disi më shumë për të fluturuar me Swiss. Ky komunitet po rritet çdo ditë e më shumë dhe nuk është një komunitet sezonal, si ai që jeton në Greqi, një vend që është kryesisht një treg veror për shqiptarët.Ekziston edhe Albanian Airlines dhe ndoshta segmenti Zurih-Tiranë mund të punohet si një kod i përbashkët me Swiss. Kjo do të kërkonte dhënien e së drejtës së uljes për këtë linjë kombëtare shqiptare.Unë do ta çmoja shumë çdo përpjekje tuajën për t’ua përcjellë autoriteteve zvicerane shqetësimin tim, që është shqetësim i të gjithë shqiptarëve.Në pritje të përgjigjes suaj, mbetemJuaji sinqerisht, Fatos Tarifa 

Intervistoi: Erion Habilaj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne