Mediat, Politikanët dhe Pseudosuflerët: Roli i Kazanit Mediatik në Sulmin ndaj Kryepeshkopit Anastas

Vasiljano Buba
Unë kurrë nuk kam pranuar të shfaqem në media, as më intereson dhe as kam për ta bërë ndonjëherë, pasi personalisht nuk më intereson fare mendimi i kazanit të mediave, të cilat shpesh funksionojnë si instrumente të manipulimit dhe përhapjes së mediokritetit. Mjedisi i mediave në Shqipëri është i tejmbushur me zhurma boshe dhe spekulime, ku shpesh mbizotërojnë raportimet e pasakta dhe opinione që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Pavarësisht se për këto mjete nuk kam asnjë interes, këtë herë ndjej detyrimin të reagoj për shkak të llumit të neveritshëm dhe të pabesueshëm që kam lexuar këto ditë, ku Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, po përballet me sfida shëndetësore.
Në vend që të bëjnë detyrën e tyre duke investiguar regjimin dhe shkeljet e tij të pafundme, mediat shqiptare shpesh zgjedhin të bëjnë fresk atij dhe të mbulojnë pasigurinë dhe paaftësinë e pushtetit. Më shumë se kaq, ato përdorin jargavitje nacionaliste për të sulmuar Kishën dhe Kryepeshkopin, sikur ai të kishte ndonjë lidhje me gjendjen mjerane ekonomike dhe sociale që mbizotëron në Shqipëri. Ata harrojnë se Kryepeshkopi Anastas ka qenë një udhëheqës që ka kontribuar me gjithë forcën e tij për shpëtimin e shumë jetëve dhe për zhvillimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore, duke ofruar shpresë dhe ndihmë për ata që janë lënë pas dore nga të tjerët. Këto sulme janë një përpjekje e ulët për të shmangur përgjegjësinë për krizat reale që janë rezultat i politikat dhe paaftësisë së atyre që mbanin dhe mbajnë pushtetin.
Nuk pres që mjedisi i këtushëm të shfaqë nderim për një figurë si Kryepeshkopi Anastas, i cili ka kontribuar në rindërtimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, as të njohë vlerat e tij të jashtëzakonshme, madje përkundrazi, sa më shumë të sulmohet Orthodhoksia dhe figura e tij, aq më shumë na forcohet bindja se ecim në rrugën e duhur. Kryepeshkopi Anastas është jo vetëm një lider shpirtëror i jashtëzakonshëm, por një personalitet i njohur dhe i vlerësuar në nivel ndërkombëtar, me shumë tituj dhe çmime për kontributet e tij. Ai është nderuar për arritjet e tij në fushën e theologjisë dhe edukimit, si dhe për angazhimin e tij të pashoq për paqen dhe harmoninë ndërmjet grupeve të ndryshme fetare dhe etnike. Vlerësimet akademike për të janë të shumta, dhe ai është një figurë që i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe botës orthodhokse.
Por minimumi që mund të pritet, edhe nga ata që e shohin me skepticizëm apo nuk e duan figurën e tij, është të heshtin për gjëra që nuk i kuptojnë, të respektojnë vështirësinë shëndetësore të Kryepeshkopit dhe të mos fusin hundët aty ku nuk kanë asnjë të drejtë apo kompetencë. Ne nuk i japim askujt llogari për kë kemi për bari të grigjës sonë, përveç Zotit.
Sa për gazetarinë shqiptare: kazanë të mbushur me “informacion” të përpunuar, ku vlojnë raportime të shpikura, të porositura nga interesat e pushtetit apo të pronarëve të tyre. Gazetarët tanë të nderuar? Arkitektë të realiteteve alternative, që me një zell të admirueshëm ia dalin të heshtin për çdo të vërtetë të pakëndshme dhe të amplifikojnë çdo gënjeshtër që i shërben axhendës së radhës. Nëse mendoni se gazetarët janë zëri i popullit, gaboni rëndë! Ata janë më tepër si orkestrantë, që i bien veglës së qeverisë me një harmoni të përsosur. Një simfoni e përditshme hipokrizie dhe manipulimi, ku çdo artikull është një partiturë e shkruar nga interesat e lobeve dhe të pushtetit. Dhe kështu, publiku shqiptar ushqehet me lajme të përpunuara, njëkohësisht të vakëta e të pabesueshme, ndërsa kazani vazhdon të ziejë.
Nuk ka dyshim se këta mjeshtra të lapsit të stisur e kanë fituar vendin e tyre të nderit në historinë e turpit të gazetarisë. Në fund të fundit, nuk është e lehtë të bëhesh një “profesionist” në heshtjen për të vërtetat që kanë rëndësi dhe në promovimin e gënjeshtrave që u leverdisin atyre që paguajnë faturën. Sigurisht, nuk janë të gjithë gazetarët dhe analistët si këta, por pa dyshim 90% e tyre po.
Por gazetaria nuk është e vetme në këtë koncert hipokrizie. Disa Politikanët dhe analistët gjithologë, dy nga kategoritë më të zhurmshme dhe më të pakuptimta të kësaj zhurme folkloriste kocaqiste/dalipiste, bashkëpunojnë ngushtë për të ruajtur këtë teatër absurd. Politikanët flasin me orë të tëra, duke përdorur fjalë të mëdha, por duke thënë shumë pak, ndërsa analistët, mjeshtër të retorikës boshe, prodhojnë “mendime” që ndryshojnë me erën e interesave të ditës. Në fakt, të dyja këto grupe nuk janë veçse dy anë të së njëjtës medalje: propagandues të heshtjes ndaj problemeve reale dhe përhapës të iluzioneve që i shërbejnë vetëm atyre.
Në këtë ambient të helmatisur, çdo njeri që ka bërë diçka të mirë për këtë vend bëhet automatikisht objekt sulmesh. Dhe Kryepeshkopi Anastas, një figurë që ka rindërtuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga hiri dhe që ka sjellë paqe e shpresë për mijëra njerëz, nuk është përjashtim. Por historia nuk shkruhet nga llumi; ajo ruan veprat dhe ndikimin e atyre që kanë ndërtuar, jo rrënuar. Kazanët do të ziejnë përherë, politikanët dhe analistët do të flasin gjithmonë, por e vërteta mbetet mbi gjithçka.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne