Mediat serbe kanë reaguar me mllef dhe kritikë të ashpër ndaj futbollistëve dhe trajnerit, duke e quajtur ndeshjen e humbur ndaj nesh si “turp historik”, “disfatë” dhe “lojë pa identitet”, duke kërkuar që të ketë ndryshime urgjente, përfshirë largimin e trajnerit nga stoli. Telegraf e ka cilësuar humbjen si “një nga më të turpshmet në histori” për reprezentacionin serb. B 92 shkruan se “fati i skuadrës nuk është më në duart e tyre”. REPUBLIKA thekson se kjo ndeshje qe një debakl tragjik dhe turp epik që “nuk mund të shlyhet lehtë”
Ne komentin e saj e përditshmja Kurir shkruan
Pas mposhtjes së Serbisë prej Shqipërisë në Leskovc, me ç’rast ekipi serb e humbi pothuajse çdo shans për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror, trajneri Dragan Stojković (Piksi) ka ofruar dorëheqjen e tij nga drejtimi i kombëtares.
Në konferencën për shtyp, Stojković pranoi se mban përgjegjësinë e plotë për rezultatin dhe e quajti veten “fajtorin e vetëm” për dështimin. Ai deklaroi se e kishte diskutuar vendimin me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm të Federatës Serbe të Futbollit dhe se nuk do të udhëtojë me ekipin në Andorrë për ndeshjen e radhës. Sipas tij, skuadrën do ta drejtojë ndihmësi Goran Đorović.

Stojković theksoi se problemi nuk qëndron te lojtarët, por te vendimet dhe përgjegjësia e tij si selektor. Ai përmendi se kishte shumë mungesa për shkak të lëndimeve, por refuzoi ta përdorte këtë si justifikim.
Trajneri u përplas verbalisht me disa gazetarë, duke i quajtur disa pyetje “të pavenda dhe provokuese”, veçanërisht ato që nënkuptonin se kishte humbur kontrollin mbi ekipin. Ai tha se të gjitha vendimet i kishte marrë vetë, pa ndikime nga jashtë, dhe se ndjehet krenarqë ka drejtuar kombëtaren për katër vjet e gjysmë.
Në fund, Stojković pranoi se klima rreth ekipit është bërë e rëndë dhe armiqësore, duke iu referuar kritikave dhe fyerjeve personale që ka marrë së fundi. Ai shtoi se dorëheqja është “vendim i arsyeshëm dhe i matur”, pa presione nga askush.
Ne komentin e saj e përditshmja Danas shkruan:
“Shqiponjat” (pseudonimi i kombëtares serbe) u zhvendosën si zogj shtegtarë drejt jugut, por ky largim i detyruar politik nga Beogradi në Leskovc nuk solli asnjë përmirësim në cilësinë e lojës nën drejtimin e trajnerit Dragan Stojković – Piksi.
Pas turpërimit në ndeshjen kundër Anglisë (0:5), futbollistët e Serbisë pësuan një tjetër nokaut në shtëpi, këtë herë ndaj Shqipërisë – një skuadër që gazeta e përshkruan si me “njohuri dhe kapacitete modeste”.
Sërish, lojtarët e kombëtares serbe zhgënjyen kombin. Ata tentuan kryesisht përmes Dušan Vlahović-it të mposhtnin portierin Strakosha, por siç ndodh shpesh në futboll, ndëshkimi erdhi në fund të pjesës së parë.
Shënues ishte Rei Manaj, në minutën 45+1 të pjesës së parë. Pas golit, Manaj shkaktoi skandal dhe provokoi duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, gjë që ndezi reagime dhe fyerje nga tribunat.
Atmosfera në stadiumin “Dubočica” në Leskovc, përpara rreth 5.000 shikuesve, ishte e zbehtë dhe e ftohtë – “ashtu siç e meriton futbolli serb sot”, shkruan gazeta.
Vetëm në fund të ndeshjes u dëgjua më fort një thirrje e qartë nga tribuna: “Piksi, ik!”
Sipas “Danas”, lojtarët e përzgjedhur nga Stojkovići luajtën pa ide dhe pa stil, në ndoshta ndeshjen më të rëndësishme për shanset e tyre në “play-off” drejt Kupës së Botës. Gazeta konkludon: “Amerika është larg, dhe futbolli serb është i mallkuar në kthetrat e politikës. Dhe aty, sigurisht, nuk ka fat…”mbyllet me tone të zymta artikulli./Lapsi


















