Medreseja e Shkodrës që mbështetet nga institucionet turke zhvilloi ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor

Medreseja e Shkodrës javën e kaluar zhvilloi ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor me pjesëmarrjen e autoriteteve vendore, drejtuesve të shkollës, përfaqësuesve të institucioneve arsimore dhe humanitare, mësuesve, nxënësve dhe të ftuarve të tjerë.

Në fillim, përshëndeti koordinatori i shoqatës “Istanbul”, pranë medresesë, dega e djemve, Fehmi Dushku, i cili vuri në dukje sukseset dhe arritjet e kësaj shkolle arsimore, kulturore dhe fetare, e cila është më e madhja në Ballkan për nga numri i nxënësve dhe nxënesve.

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari duke uruar nxënësit e medresesë në mbylljen e vitit shkollor tha se arsimi në Shqipëri përballet me sfida të mëdha.

Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, një emër që na bën të ndjehemi krenarë, brenda vendit dhe jashtë tij”, tha në fjalën e tij, myftiu Sytari.

“…Arsimimi sot është një sfidë e madhe për vendin, për kombin, për të sotmen dhe për të ardhmen. Medreseja jonë, medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, medreseja e Shkodrës është një garanci shumë e madhe për edukimin e duhur me vlerat ma të mira të besimit e të dashnisë për vendin, për atdheun, për kombin dhe për vlerat qytetëruese të këtij Islami të madh me të cilin na begatoi Allahu xh.sh. Prandaj, të ndjehemi krenarë kur themi medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, kudo që të jemi në çdo cep të botës, ne kemi thënë një fjalë shumë të madhe. Unë jua them këtë me garancinë ma të madhe, kur ti thua medreseja e Shkodrës ke thënë një fjalë që të bën të ndihesh krenar, kur ke thënë medreseja e Shkodrës ke thënë për vlerat, për arritjet, ke folur e ke thënë për një udhëtim shumë të gjatë, të cilin janë bashkuar duart  e zemrat e shumë burrave e grave të devotshëm e të përkushtuar për të mirën e punës e të vendit, e për të mirën e rinisë tonë si dhe për të mirën e familjeve tona shumë të madhe…”.

Myftiu i Shkodrës përpara zgjedhjeve presidenciale të parakohshme që u zhvilluan më  24 qershor uroi Turqinë për një mbarëvajtje në këtë proces duke e quajtur si një ditë të madhe dhe vend që lidhet ndër shekuj me Shqipërinë.

“…Kur themi “Istanbul” kemi thënë emrin e madh të një vendi me të cilin jemi lidhë përtej shekujve, me të cilën jemi lidhë për mos tu ndarë më asnjë herë deri në ditën e gjykimit. Istanbuli i madh dhe Turqia e madhe përgatitet për një etapë të re në historinë e saj, një etapë të re për mbarë ymmetin islam. Më lejoni të lutem me zemër që këto ditë, kjo etapë e re për të cilën përgatitet të hyjë Turqia të jetë e mbarë me bekimet e Allahut s.w., sepse kjo kohë është koha e rimëkëmbjes, së vlerave tona, është koha e rizgjimit të ymmetit islam për t’u prezantu myslimanët si një vlerë e madhe…”.

Drejtori i medresesë së Shkodrës, “Haxhi Sheh Shamia”, Kujtim Dervishi përshëndeti arritjet e nxënësve.

“…Festa e mbylljes së vitit shkollor është festa e dijes, festë të cilën e mirëpresin të gjithë familjet tona, të gjithë nxënësit, të gjithë mësuesit dhe të gjithë ato që kanë punuar me përkushtim dhe me mund, me djersë e me sakrificë, me qëllim për të përmbushur objektivat që ka ky institucion, një institucion me prestigj në rrethin tonë, bile edhe në shkallë kombëtare…”.

Aktiviteti përmbyllës në medresenë e djemve u shoqërua me një koncert artistiko-kulturor, e kthyer në një traditë të bukur.

Medreseja e Shkodrës, që sponsorizohet fuqishëm nga shoqata “Istanbul” është një nga institucionet ku vit pas viti qindra nxënës marrin dije dhe kulturë për të qenë gati në të ardhmen e afërt./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne