MEK-u perhap mashtrime kundër Iranit në kulmin e negociatave

Nga Ivan Kesic

Pretendimet për të ashtuquajturat “objekte sekrete ushtarake bërthamore” të Iranit janë rikthyer sërish në qarkullim kohët e fundit – në mes të bisedimeve indirekte mes Iranit dhe SHBA-së për çështjen bërthamore të përhapura nga një ushtri e robotëve (bots) që ndodhen në Shqipëri.

Më 8 maj, sekti terrorist anti-iranian, Organizata Mujahedin-e-Khalq (MKO) e njohur edhe me emrin Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), publikoi një raport duke pretenduar se Irani operon “objekte sekrete të lidhura me një program armësh bërthamore.”

Po atë ditë, Fox News raportoi mbi këtë pretendim pa asnjë kontroll editorial apo verifikim faktesh, gjë që u pasua nga një kor i retorikës anti-iraniane nga mediat dhe komentatorët amerikanë, izraelitë dhe të MKO-së që përsëritën të njëjtin narrativ.  Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara, si dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, e hodhën poshtë raportin e Fox News si të fabrikuar dhe pjesë e një përpjekjeje të koordinuar nga regjimi izraelit për të sabotuar bisedimet indirekte bërthamore mes Teheranit dhe Uashingtonit.

“Ky raport i fabrikuar ndjek modelin e zakonshëm të grupit terrorist NCRI, i cili prodhon raporte të rreme në formë të ashtuquajturave inteligjenca dhe i dorëzon ato shërbimeve perëndimore, përfshirë edhe ato në Shtetet e Bashkuara,” thuhet në deklaratën e misionit iranian. “Si me orë, përsëri qarkullojnë ‘imazhe shumë të frikshme satelitore’ pikërisht kur bisedimet bërthamore Iran–SHBA pritet të rifillojnë,” theksoi Araghchi me ironi.

Pretendime dhe fabrikime

Në paketën e fundit të pretendimeve për programin civil bërthamor të Iranit, sekti terrorist MKO me bazë në Shqipëri identifikoi katër vende në provincën qendrore Semnan, si dhe një tjetër në objektin Parchin në Teheran, duke pretenduar se ato janë të lidhura me zhvillimin e armëve bërthamore.

Megjithatë, objekti në Parchin është nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), e cila nuk ka gjetur asnjë provë që sugjeron ndonjë dimension ushtarak të aktiviteteve paqësore bërthamore të Iranit atje – gjë që bie ndesh drejtpërdrejt me pretendimet e MKO-së.

Dy nga vendet e përmendura, të ndodhura pranë qyteteve Semnan dhe Shahrud, janë dëshmuar të jenë baza për raketa dhe nisje hapësinore. Këto baza janë të njohura publikisht që nga viti 2008, pas lançimeve të para të satelitëve nga Irani, dhe nuk kanë asnjë lidhje me programin bërthamor.

Ndër “zbulimet” më teatrale të MEK është një objekt që ata e quajnë “Objekti i Ylberit”, i pretenduar si qendër për prodhimin e armëve bërthamore.

Faktet, megjithatë, i hedhin poshtë këto pretendime. Objekti quhet “Diba Energy Sina”, një impiant industrial që funksionon prej më shumë se 12 vitesh pa tërhequr ndonjëherë vëmendjen e IAEA-së.

Një tjetër vend i theksuar – një stacion radarësh pranë Garmsar – është keqinterpretuar në mënyrë të ngjashme.

Një analizë më e thelluar i hedh poshtë të gjitha pretendimet e paqëndrueshme të MKO-së, duke i zbuluar ato si interpretime amatoreske të imazheve satelitore të disponueshme publikisht.

Sipas ekspertëve, një aspekt themelor në planifikimin e çdo objekti bërthamor, veçanërisht në një vend si Irani me aktivitet të lartë sizmik, është vlerësimi i rrezikut nga tërmetet.

Ndërtimi i një objekti të tillë në një zonë me rrezik të lartë sizmik mund të sjellë pasoja katastrofike për mjedisin dhe jetën njerëzore, sidomos nëse ndodhet afër zonave të banuara dendur. Megjithatë, i ashtuquajturi “Objekti i Ylberit” që pretendohet të jetë një objekt sekret bërthamor, ndodhet pikërisht në një zonë të tillë të ndjeshme sizmike, vetëm 50 kilometra nga Teherani i Madh, që ka mbi 15 milionë banorë. Madje edhe më e pakuptimtë, ai është ndërtuar mbi tokë dhe jo nëntokë.

Objekti ndodhet në pikëtakimin e tre linjave të mëdha të tërmetit: Garmsar, Eyvanakey dhe Sorkheh, dhe është vetëm 30 kilometra larg nga e famshmja çarjeje sizmike Mosha. Në Hartën A, vendndodhja është e shënuar me një rreth të bardhë dhe jeshil në skajin jugor të vargmalit Alborz, me shënimin “743 pas Krishtit” – duke iu referuar një tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.2 që goditi rajonin atë vit.

Realiteti Sizmik dhe Keqinterpretimi Industrial

Studimet gjeologjike konfirmojnë se tërmete të rëndësishme përgjatë çarjes së Garmsarit janë regjistruar në historinë e fundit, veçanërisht në vitet 1945 dhe 1982. Harta B, nga i njëjti burim shkencor, e identifikon qartë zonën si një nga më aktive sizmike në rajon.

Rastësisht, tërmete në Semnan u regjistruan ndërmjet 7 dhe 9 majit – pikërisht kur MEK nisi fushatën e saj dezinformuese. Kjo përputhje kohore i dha sërish mundësi mediave propagandistike anti-iraniane të spekulojnë për “teste bërthamore” të supozuara.

Ekspertët i hodhën menjëherë poshtë këto pretendime si absurditete mashtruese, duke theksuar se epiqendrat e tërmeteve ndodheshin 8 deri në 12 kilometra nën tokë – shumë më thellë se çdo shpim i kryer ndonjëherë nga njerëzit.

Sekti MEK gjithashtu përmendi izolimin relativ të objektit në këmbët e një mali, rrugën e vetme të aksesit dhe një rrethim me gardh si “shenja” të aktivitetit ushtarak “të fshehtë”.

Në realitet, objekti është i rrethuar vetëm me një gardh bazik, pa kulla vrojtimi apo infrastrukturë tjetër sigurie që zakonisht shoqëron objektet ushtarake me siguri të lartë.

Arsyeja e vërtetë për vendndodhjen e objektit lidhet me funksionin e tij: ai operohet nga kompania Diba Energy Sina, e cila prodhon rreth 5,000 ton në vit të etilaminës – një përbërje organike që nuk ka asnjë lidhje me teknologjinë bërthamore.

Etilamina (C₂H₅NH₂) është shumë e ndezshme, toksike dhe korrozive, dhe kërkon protokolle strikte sigurie gjatë prodhimit industrial. Ajo mund të krijojë përzierje shpërthyese me ajrin dhe, për shkak të sasisë së madhe të prodhimit, një aksident industrial mund të jetë krahasueshëm me incidentin kimik të ndodhur kohët e fundit në qytetin jugor iranian, Bandar Abbas.

Masat standarde të sigurisë në impiantet e etilaminës përfshijnë:

  • Sisteme të mbyllura prodhimi,

  • Ventilim industrial,

  • Reaktorë të izoluar,

  • Inertizim me azot për të minimizuar kontaktin me ajrin.

Përbërja ruhet në ambiente të ftohta (nën 20°C), të ajrosura mirë, për të ulur presionin e avullit dhe rrezikun e ndezjes.

Këto kërkesa të sigurisë shpjegojnë pse objekti ndodhet në një vend të izoluar. Pamjet satelitore të objektit perëndimor – ende në ndërtim e sipër – tregojnë qartë veçori industriale si:

  • Ventilatorë të mëdhenj në çati,

  • Tuba për inertizim me azot,

  • Rezervuarë për ruajtjen e kimikateve –

të gjitha tipike për një impiant standard për prodhimin e etilaminës.

Pretendimet e pabaza dhe shtrembërimet e MEK

Informacioni mbi kompaninë Diba Energy Sina është i disponueshëm publikisht në internet. Megjithatë, MKO e paraqet “zbulimin” e saj si rezultat i një të ashtuquajturi “punë inteligjente gjithëpërfshirëse” dhe në mënyrë absurde këmbëngul se kompania është thjesht një mbulesë për një program të fshehtë armësh bërthamore. Këto akuza të pabaza u pasqyruan edhe nga disa propagandistë të mediave anti-iraniane, të cilët cituan deklarata të vjetra të Dr. Gholamreza Kateb, ish-deputet i zonave Garmsar dhe Aradan në Asamblenë Konsultative Islamike të Iranit. Në vitin 2013, Kateb deklaroi publikisht se një pjesë e zonës industriale të Garmsarit ishte caktuar për Ministrinë e Mbrojtjes, dhe një tjetër pjesë iu dha kompanisë Diba Energy Sina.

Këto komente u raportuan gjerësisht nga mediat iraniane në atë kohë, duke dëshmuar më tej se nuk bëhet fjalë për objekte sekrete apo të klasifikuara.

Kateb gjithashtu përmendi se ky hap do të krijonte vende pune për banorët lokalë – një rezultat i pamundur nëse zona do të përdorej për një projekt të fshehtë bërthamor, pasi programe të tilla zakonisht nuk përfshijnë punëtorë civilë vendas. Një tjetër pretendim i dyshimtë i MKO-së është se i ashtuquajturi “Objekti i Ylberit” ka lidhje të ngushta me stacionin e radarit Qadir, që ndodhet 28 kilometra në juglindje – pretendim që sipas tyre “vërteton” rëndësinë strategjike ushtarake të objektit.

Në realitet, stacionet e tilla statike të radarëve nuk janë as të rralla e as sekrete. Ka të paktën tetë instalime të tilla në gjithë Iranin, të gjitha të identifikueshme përmes strukturës së tyre – një shtyllë e lartë metalike dhe katër panele të mëdha radari të vendosura pingul me njëra-tjetrën. Stacioni Qadir në fjalë, i ndodhur në jug të Garmsarit, ishte i pari i këtij lloji dhe hyri në funksion në vitin 2014. Zbulimi i tij, bashkë me detaje teknike dhe fotografi, u raportua gjerësisht nga mediat iraniane.

Qadir është një sistem radari “përtej horizontit” (Over-The-Horizon – OTH), i projektuar për paralajmërim të hershëm me rreze të gjatë veprimi, i aftë për të zbuluar kërcënime deri në 1,100 kilometra larg. Ai funksionon në brezat e frekuencave HF, VHF dhe UHF – duke ofruar mbulim të gjerë, por me rezolucion më të ulët krahasuar me radarët me gjatësi vale më të shkurtër. Për shkak të dizajnit dhe qëllimit të tij, sistemi Qadir ka pak ose aspak vlerë mbrojtëse ndaj sulmeve të drejtpërdrejta ose me rreze të shkurtër ndaj objekteve industriale të afërta, siç është impianti i Diba Energy Sina. Në raste të tilla, zakonisht përdoren sisteme të mbrojtjes ajrore të lokalizuara – nëse konsiderohet e nevojshme fare.

Siç pritej, kjo realitet teknik u shpëton anëtarëve të MKO-së, të cilët nuk kanë asnjë ekspertizë në fushën e shkencës bërthamore apo të sistemeve radarike. Formimi i tyre lidhet kryesisht me përdorimin e armëve të vogla dhe eksplozivëve të improvizuar – mjete terrori, jo analize. Pretendime të tjera të rreme të MKO-së, të përhapura nga shumë media perëndimore dhe arabe, si përfshirja e supozuar e dëshmorit shkencëtar bërthamor Dr. Mohsen Fakhrizadeh, nuk mbështeten në asnjë provë. Në kontekstin e pretendimeve të tjera të MKO-së, të cilat janë rrëzuar në mënyrë të përsëritur, edhe këto duken të fabrikuara dhe të motivuara politikisht.

Praktikat e përsëritura të MKO-së dhe Izraelit

Motivimet pas fushatës më të fundit të dezinformimit, e cila përkoi me bisedimet indirekte mes Iranit dhe SHBA-së, rrjedhin nga një dëshirë e hapur për të sabotuar diplomacinë dhe për të provokuar një ndërhyrje ushtarake kundër Republikës Islamike të Iranit – diçka për të cilën Irani ka paralajmëruar me forcë. Këtë qëndrim e ndajnë si terroristët e MKO-së, ashtu edhe mbështetësit e tyre në regjimin izraelit. Historikisht, si MKO-ja, ashtu edhe Izraeli janë të njohur për përhapjen e akuzave të ngjashme të rreme ndaj Iranit, me të njëjtin qëllim.

Një shembull i rëndësishëm ndodhi në vitin 1995, kur MKO pretendoi në mënyrë të rreme se një objekt sekret për zhvillimin e armëve bërthamore ndodhej pranë qytetit bregdetar të Chalus, në Detin Kaspik. Sipas tyre, ekspertë nga ish-Bashkimi Sovjetik, Kina dhe Koreja e Veriut po bashkëpunonin me zyrtarë iranianë në këtë objekt.

Në stilin e tyre tipik të dezinformimit anti-iranian, sekti MKO – i sponsorizuar nga SHBA-ja dhe Izraeli – u referua tek të ashtuquajtur “informatorë në terren,” duke u përpjekur të krijonin përshtypjen e rreme se dispononin burime të brendshme dhe kapacitete të avancuara inteligjence brenda Iranit. Edhe pse shumë media perëndimore i raportuan këto pretendime pa ndonjë analizë kritike, hetimet më pas zbuluan se ato ishin plotësisht të fabrikuara. IAEA, pas inspektimit të disa vendeve të diskutueshme në Iran, nuk gjeti asnjë provë për ekzistencën e ndonjë objekti bërthamor pranë Chalus-it.

Një Rast më i Dalluar: Fabrikimet e Netanyahu-t

Një shembull edhe më i njohur i fabrikimeve të ngjashme vjen nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili në mars të vitit 2018 mbajti një prezantim me PowerPoint, ku paraqiti atë që ai e quajti “dokumente sekrete bërthamore” – të cilat pretendohej se ishin vjedhur nga agjentë izraelitë në Iran.

Sipas këtij rrëfimi të fabrikuar nga Netanyahu, pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Irani supozohej se kishte “intensifikuar përpjekjet për të fshehur dokumente të klasifikuara bërthamore,” duke i ruajtur ato në një vend të fshehtë në Teheran. Në prezantimin e tij, ky vend u paraqit si një ndërtesë në lagjen Shorabad, në pjesën jugore të kryeqytetit.

Por një vëzhgim më i afërt i këtij vendi të ashtuquajtur “super-sekret”, përmes imazheve satelitore, tregoi se në të vërtetë bëhej fjalë për një magazinë të zakonshme, e rrethuar nga një fabrikë kallajesh, një dyqan qilimash, një restorant, një xhami, një librari dhe një magazinë tregtare për libra dhe elektronikë – të gjitha në afërsi të menjëhershme me njëra-tjetrën.

E gjithë zona ishte qartësisht civile dhe e hapur për publikun nga disa anë. Nuk kishte gardhe, pika kontrolli apo kulla vëzhgimi – elemente të zakonshme për objektet ushtarake të ndjeshme në Iran.

Vetëm disa metra në jug të vendndodhjes së supozuar ndodhej klubi “Shahab”, që ndan emrin me një raketë balistike të njohur iraniane. Kritikët kanë spekuluar se agjentët e PR-it të Netanyahu-t u mashtruan duke menduar se bëhej fjalë për një objekt ushtarak, ndonëse në realitet ishte thjesht një klub hipizmi.

Ironikisht, Netanyahu më parë kishte pretenduar se objektet iraniane të pasurimit të uraniumit ishin fshehur thellë në male për të “fshehur natyrën ushtarake” të programit.

Por kjo narrativë e re binte ndesh me atë pretendim, pasi sugjeronte se dokumentet më të ndjeshme bërthamore ruheshin në një garazh të improvizuar.

Për më tepër, përmasat e brendshme të paraqitura në slajdet e Netanyahu-t (5 deri në 6 metra gjerësi) nuk përputheshin me imazhet satelitore dhe fotografitë reale, të cilat tregonin një sallë me përmasa mes 12 dhe 15 metra.

Pretendime të tjera qartësisht të rreme përfshinin edhe akuzën se ishin vjedhur gjysmë ton dokumente – një sasi më e madhe se dosjet e zhvillimit të programit hapësinor amerikan Apollo – si dhe skica fëmijërore të supozuarve koka të bombave bërthamore iraniane, të cilat ishin identike me ato të gjetura në faqet e internetit që dokumentojnë historinë e armëve bërthamore.

Pavarësisht talljes nga ana e ekspertëve dhe faktit që IAEA e hodhi poshtë si të pavlerë prezantimin e tij, Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë e trajtuan atë si “provë” për qëllimet e dyshimta bërthamore të Iranit. Vetëm dy muaj më vonë, Trump shpalli tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja Bërthamore e vitit 2015 (JCPOA), duke shënuar fillimin e marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve – tensione që vazhdojnë edhe sot./gazetaimpakt/presstv

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne