Merkel mbështet thirrjen për unitet evropian kundër “dominimit amerikan”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbështetur thirrjen e ministrit të jashtëm, Heiko Mass, për unitet midis evropianëve kundër dominimit të SHBA-ve në financat globale në vazhdën e tensioneve të rritura midis Uashingtonit dhe Berlinit për shkak të marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Kancelarja Merkel, në një konferencë për media në Berlin, duke mbështetur thirrjen e ministrit Maas shprehu kujdes për planet për të gjetur një alternativë evropiane ndaj sistemit të pagesave SWIFT të dominuara nga ShBA-të.

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Mass ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dominimit amerikan në financat globale

“Marrëveshjet transatlantike po ndryshojnë, ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi. Ne evropianët duhet ta marrim fatin tonë në duart tona”, tha Merkel.

Duke pranuar dallimet në rritje me administratën e presidentit Trump në disa çështje ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen bërthamore, Merkel tha se sanksionet e ShBA-ve ndaj Iranit kanë shkaktuar probleme në lidhje me sistemin SWIFT.

“Por në të njëjtën kohë, ne e dimë se marrëveshja SWIFT është jashtëzakonisht e rëndësishme, veçanërisht në çështjet e financimit të terrorizmit”, tha ajo, duke shtuar se evropianët ende kanë nevojë për bashkëpunim të ngushtë me ShBA-të për çështje të tilla të sigurisë.

Në një artikull që kishte shkruar për të përditshmen “Handelsblatt”, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas e kishte kritikuar presidentin amerikan, Donald Trump për imponimin e sanksioneve të njëanshme ndaj Iranit, pa u konsultuar me aleatët evropianë.

“Është thelbësore që ne të forcojmë autonominë evropiane duke krijuar kanale të pagesave të pavarura nga ShBA-të, një fond monetar evropian dhe një sistem të pavarur pagese SWIFT”, tha Maas, duke u bërë thirrje partnerëve të BE-së që të ruajnë unitetin e tyre dhe të ndjekin një politikë të përbashkët ndaj ShBA-ve në vazhdën e tensioneve të lidhura me sanksionet./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne