‘Kufijtë’, Arifi: Shqipëria, jo propagandë! Të investojë në Luginën e Preshevës, s’kemi ujë e kanalizime

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, i ftuar në studion e lajmeve të Report Tv, ka thënë se qëndrimi i Luginës për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe korrigjimin e kufijve, është që Lugina mos të ndahet. Arifi ka thënë se Lugina ose do bashkohet me Kosovën ose të qendrojë ashtu siç është.

Qartësuam se qëndrimi ynë bazohet në histori. Ne shkojmë e gjithë lugina e Preshevës bashkohemi me Kosovën ose rrimë kështu siç jemi. Nuk ndryshojmë qendrim. Nuk duam parcelizim, një pjesë në Kosovë e një pjesë në Serbi. Këtë kemi thënë gjithmonë. Në këtë drejtim i kemi bërë të qarta qendrimet tona. Është në të mirë të qytetarëve të luginës. Në luginë thuhet “Sherri i Preshevës në derë të Stambollit”, ndërsa sot thuhet “Sherri i Preshevës në derë të Brukselit.

Shqipërim Arifi, kryetar i komunës së Preshevës

Arifi ka folur edhe për rolin e Shqipërisë në këtë çështje. Arifi tha se qeveria shqiptare duhet të heqë dorë nga propaganda dhe të fokusohet tek investimet konkrete në luginë. Sipas Arifit, Presheva ka nevojë për investime, pasi ende nuk ka të zgjidhur çështjen e ujit të pijshëm, apo kanalizimet.

Ne e kemi thënë që s’duam të luajë njeri lojë me ne. jemi të diskriminuar e të margenizuar. Nga qeveria shqiptare kërkojmë proaktivitet. Të mos na harrojnë dhe të instesifikojnë aktivitetin e tyre në luginë. Lugina të mos zbrazet. Në të gjithë Serbinë, ka lëvizje të gjithë po ikin nga pasiguria. Po humbet perspektiva për jetën. Na duhet një Shqipëri më aktive, jo me fotografi e me like. Lugina e Preshevës, jo vetëm, Mali i Zi dhe Maqedonia. Duhet një fond zhvillimi i përbashkët. Na duhet të zhvillojmë luginën. Është çmenduri politike nëse ne nuk investojmë në skajet tona. Kosova dhe Shqipëria, 15 vitet e fundit janë investuar vetëm 100 mijë €, asgjë tjetër. Kaq para mund t’i japë një biznesmen, kjo është qesharake!Ne s’kemi ujë, s’kemi vend për mbeturinat. Është si film. Unë vij nga Gjermania, dhe them ndonjëherë “Ku jemi? A jemi në Evropë apo jo?”

Shqipërim Arifi, kryetar i komunës së Preshevës

Kryekomunari ka përmendur edhe përdorimin e tezës nacionaliste nga politikanët shqiptarë. Arifi ka thënë se Berisha e ka përdorur luginën e Preshevës për vota.

Kemi patur aktivitete gjatë fushatës, edhe para se të ishte Rama, Berisha e ka përdorur tejskajmërisht luginën e Preshevës për vota. E sot çfarë? Sot s’ka asnjë projekt.

Shqipërim Arifi, kryetar i komunës së Preshevës

f.g./ma.nd./ shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne