Merkel pranon limitin e refugjatëve

Kancelarja gjermane Angela Merkel, pranoi sot për herë të parë objektivin për të vendosur një limit vjetor mbi numrin e refugjatëve të pranuar nga Gjermania, duke iu nënshtruar presionit të familjes së saj politike konservatore që kërkon një forcim të masave në këtë aspekt pas zgjedhjeve të fundit legjislative.

Një projekt kompromisi i arritur gjatë një mbledhje krize në Berlin mes Unionit Kristian Demokrat (CDU) dhe simotrës bavareze CSU (Unioni Kristian Social) dhe që i hap rrugën negociatave me formacione të tjera për të arritur një koalicion qeveritar, flet për një objektin në të ardhmen për të limituar me 200 mijë në vit numrin e refugjatëve. “Ne duam të arrijmë që numri i personave të pritur për arsye humanitare të mos kalojë 200 mijë në vit”, thekson ky tekst i pranuar nga dy formacionet. Madje me këtë marrëveshje, ato shpresojnë të zgjidhin një konflikt që i kundërvë prej dy vitesh. Angela Merkel dhe presidenti i CSU-së, Horst Seehofer do të prezantojnë të hënën në mesditë në Berlin gjatë një konference për shtyp detajet e këtij kompromisi, të arritur pas rreth dhjetë orë bisedimesh. Lideri i CSU dhe kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer, ka kërkuar që numri i emigrantëve në vend të kufizohet në 200 mijë në vit, pasi Merkel lejoi hyrjen e 1.3 milionë emigrantëve dhe refugjatëve kryesisht nga Lindja e Mesme që nga 2015. Kancelarja kundërshtonte kufizime të tilla, por edhe kishte thënë se nuk donte përsëritjen e fluksit të madh të parë në kulmin e krizës së emigrantëve. Një marrëveshje mes CSU dhe CDU do të hapë rrugën që Merkel të nisë negociatat për koalicion me partitë e tjera./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne