Shqiperia

Mesazhet e Ndroqit me Veliajn, PD: Të shkarkohet kreu i bashkisë, e të vihet para drejtësisë. Shantazhon mediat

Partia Demokratike me anë të ish-deputetes, Albana Vokshi, ka reaguar pas mesazheve të publikuara nga Ylli Ndroqi, i cili shprehet se Erion Veliaj e ka shantazhuar për një kohë të gjatë dhe ka kërkuar shkarkimin e drejtores së informacionit në Ora News, Beti Njuma.

Në një deklaratë nga selia blu, Vokshi ka hedhur akuza kundër Veliajt, duke thënë se të gjithë e dinë se çfarë metodash përdor ai për tu mbyllur gojën mediave.

Sipas zyrtares së PD, dhjetëra mesazhet e Erion Velisë dëshmojnë mekanizmin dhe metodat mafioze e përdorura nga Kryetari i paligjshëm i Bashkisë së Tiranës për të kërcënuar dhe shantazhuar median që nuk i nënshtrohet makinerisë së stërmadhe të propagandës që paguhet me miliona Euro të zhvatura qytetarëve të Tiranës nga taksat e rritura.

“Partia Demokratike kërkon fillimin e menjëhershëm të hetimit penal ndaj Erjon Veliajt për kryerjen e të paktën 2 veprave penale: shpërdorim i detyrës dhe pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur. Erion Veliaj duhet shkarkuar menjëherë dhe duhet vënë para drejtësisë”, u shpreh Vokshi.

DEKLARATA E PLOTË

Mesazhet kërcënuese të Erion Veliajt, të bëra publike dy ditët e fundit, përbëjnë prova ligjore të një akti të dënueshëm kriminal . Ato e nxjerrin në pah kryebashkiakun e Tiranës si një politikan mafioz, armik të lirisë së medias. Gjuha e egër, denigruese dhe e urrejtjes ndaj një gruaje gazetare, mesazhet kërcënuese “se nuk ka për t’ia falur” Beti Njumës pse u dha zë artistëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, provojnë se Erion Veliaj përbën një kërcënim të rëndë për fjalën e lirë, i gatshëm të eliminojë këdo që cënon pushtetin e tij, duke u thënë qytetarëve të vërtetën.

Të gjithë i dinë metodat e Erion Veliajt për t’u mbyllur gojën gazetarëve. Ato nisin me dhurata të vogla për festa, udhëtime jashtë vendit, projekte të ndryshme të bashkisë, lejet e ndërtimit, licensat vendore, tjetërsimi i pronës publike për 1 euro deri tek ortakëria në koncesionin korruptiv të inceneratorëve.

Ndaj atyre që nuk u ble dot heshtjen, Erion Veliaj, me mbështetjen e Edi Ramës, përdor metoda të tjera mafioze për t’u mbyllur gojën. Këto metoda kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka përdorur edhe përpara mesazheve kërcënuese ndaj gazetarëve të Ora News.

Emisioni “Publikus”, që investigoi vrasjen e të riut Ardit Gjoklaj në Sharrë u mbyll, gazetarja Alida Tota u pushua nga puna me një telefonatë të Veliajt. Ka dhjetëra dëshmi nga gazetarë të tjerë që kanë mbajtur qëndrime kritike për Erion Veliajn dhe Bashkinë e Tiranës janë pushuar nga puna ose u është bërë presion drejtpërsëdrejti prej tij.

Kush flet për Tiranën e betonizuar, për Tiranën pa vende argëtimi për fëmijët, për pastrimin e parave të krimit përmes lejeve të ndërtimit, kush flet për rritjen e faturës së ujit, por ujë nuk ka në shtëpi, kush flet për ndotjen e madhe të qytetit, për mungesën e parkimeve, për trafikun e çmendur nga zënia e rrugëve me betoniere dhe kulla, kush flet për një kryeqytet identiteti i të cilit po shuhet nën beton, kush flet për vjedhjet me taksat e qytetarëve që paguajnë më shumë së kushdo në Shqipëri pa marrë asgjë mbrapsht, kush flet kundër pushtetit të Erion Veliajt dhe Edi Ramës, i duhet mbyllur goja.

Dhjetëra mesazhet e Erion Velisë dëshmojnë mekanizmin dhe metodat mafioze e përdorura nga Kryetari i paligjshëm i Bashkisë së Tiranës për të kërcënuar dhe shantazhuar median që nuk i nënshtrohet makinerisë së stërmadhe të propagandës që paguhet me miliona Euro të zhvatura qytetarëve të Tiranës nga taksat e rritura.

Partia Demokratike kërkon fillimin e menjëhershëm të hetimit penal ndaj Erjon Veliajt për kryerjen e të paktën 2 veprave penale: shpërdorim i detyrës dhe pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur. Erion Veliaj duhet shkarkuar menjëherë dhe duhet vënë para drejtësisë.

Kjo deklaratë e Vokshit vjen në një kohë kur Ylli Ndroqi ka publikuar një sërë mesazhet, që sipas tij i ka shkëmbyer me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ndroqi shprehet se Veliaj e ka shantazhaur dhe ka kërkuar që të pushojë nga puna Beti Njumën, pasi ajo publikonte lajme kundër punës së bashkisë./tpz

OPINIONE

INTERVISTA