Meta paralajmëron deputetët: Imuniteti nuk ju mbron dot kur miratoni ligje “pro” vjedhjes së qytetarëve!

Ditën e sotme, SPAK është vënë në lëvizje nga kërkesa zyrtare e Presidentit Meta, që ka kërkuar vënien para përgjegjësisë të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në skemën korruptive që ngre dhe e ligjëron vetë ligji “Për metrologjinë”.

Presidenti është shprehur në letër se, është i ndërgjegjshëm se deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe për votën e dhënë në ushtrim të funksionit.

“Kjo është përgjegjësi e natyrës politike, gjyqtar i së cilës është publiku shqiptar me anë të instrumentit politik të votës gjatë zgjedhjeve. Por ky parashikim kushtetues, nuk mund të përdoret kurrësesi si një “strehë imunitare” për veprimet e tjera të ndëshkueshme penalisht të kryera nga administrata, anëtarët e qeverisë dhe anëtarët e Kuvendit, që i paraprijnë apo e bashkëshoqërojnë miratimin e një ligji.” shkruan Meta.

Presidenti i ka kërkuar SPAK-ut kryerjen e menjëhershme të disa veprineve konkrete hetimore:

 

– Sekuestrimi i të gjithë praktikës administrative pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për vlerësimin fillestar të nevojës së ndërmarrjes së një nisme legjislative, dratimit të saj, propozimit e shqyrtimit;

– Sekuestrimi i të gjithë praktikës së konsultimit paraprak me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera të përfshira apo të lidhura me këtë proces;

– Sekuestrimi pranë ministrisë përgjegjëse i të gjithë informacionit lidhur me kompanitë koncesionare që aktualisht kanë të drejta shfrytëzimi në fushën objekt rregullimi nga ligji nr. 126/2020 dhe që veprimtaria e tyre lidhen apo mund të favorizohen përmes tij;

Kqyrja e tabulateve të komunikimeve elektronike/telefonike etj., ndërmjet palëve të interesuara dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore;
– Sekuestrimi i të gjithë praktikës pranë Këshillit të Ministrave, nga konsultimi paraprak që bëhet në mbledhjet e drejtorëve të drejtorive juridike të ministrive të linjës; komentet e juristëve të departamentit përkatës në Kryeministri; komentet dhe diskutimet në mbledhjen e Sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive të linjës që paraprijnë diskutimin e projektakteve në mbledhjen e Këshillit të Ministrave; përfshirë këtu dhe procesverbalet e qëndrimet e shprehura në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku është miratuar projektvendimi për propozimin e këtij ligji;

– Sekuestrimi i të gjithë praktikës pranë Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë procesverbalet e shqyrtimit në Komisionin përgjegjës dhe Komisionet për dhënie mendimi, dhe vlerësimet e mendimet e dhëna nga administrata e Kuvendit;

– Sekuestrimi e gjithë praktikës së konsultimit publik me grupet e interesit si pranë qeverisë apo pranë Kuvendit të Shqipërisë;

– Marrjen e dëshmive të të gjithë strukturave teknike dhe individëve të përfshirë në procesin nga vlerësimi i nevojës për ndryshime ligjore, deri në miratimin e këtyre ndryshimeve, që nga institucionet ekzekutive të varësisë, specialisti i nivelit më të ulët, deri tek çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që kanë marrë pjesë në formësimin e kësaj iniciative, apo që kanë udhëhequr dhe votuar këtë proces ligjbërës si në komisionet parlamentare dhe përgjatë fazave të shqyrtimit;

– Sigurimin e të dhënave nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo institucionet e tjera inspektuese mbi raportet e kontrollit të ushtruara në fushën e metrologjisë që mund të kenë lidhje me çështjet që rregullon ligji i ri;

– Kqyrjen e adresave elektronike të titullarëve të institucioneve dhe të personave që janë angazhuar dhe kanë patur ndikim në draftimin e shqyrtimin, deri në miratimin e këtij ligji.

Arsyet e këtyre verifikimeve lidhen me faktin e shprehur qartë dhe në mënyrë të arsyetuar ligjore në letër se, procesi i formësimit të një ligji, fillon që prej ministrive të linjës apo agjencive shtetërore. Vazhdon më pas me procesin e shqyrtimit përgjatë procedurës në Këshillin e Ministrave; pasohet nga inciativa propozuese në Kuvend; e pastaj edhe shyrtimi në procesin parlamentar (në komisione dhe në seancë plenare). E gjithë kjo trajektore e shqyrtimit të një projektligji, nuk është e mbuluar aspak nga “imuniteti parlamentar”./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne