Shqiperia

Meta spastron presidencën: Staf me të besuarit dhe të shkarkuarit e LSI-së

Veprimi i parë aktiv që presidenti Ilir Meta ka ndërmarë pas fillimit të ushtrimit të detyrës ka qenë zvendësimi i stafit të mëparshëm të paraardhësit të tij Bujar Nishani me njerëzit e vet të afërt. 

Në numrin e saj të sotëm gazeta “Sot”, raporton se kreu i ri i shtetit, Ilir Meta, po krijon stafin e tij të besuar duke larguar njerëzit e paraardhësit.

Veprimi i Metës vjen pasi më parë ai i kishte kërkuar stafit Nishani dorëheqjen, gjë që ka ndodhur. I veçantë në këtë dorëzim detyre dhe boshatisje të kabinetit Meta është fakti se urdhëri i presidentit të ri ka qenë i prerë dhe që nuk pranonte qëndrimin në detyrë të asnjë zyrtari të mëparshëm.

Boshatisjen e kabinetit të trashëguar e vërteton dhe faqja e presidencës në të cilën janë fshirë të gjithë emrat e stafit të Bujar Nishanit, ndërsa stafi i ri i presidentit Ilir Meta do të emërohet këto ditë. Aktualisht po përfliten dy emra për postin e shefit të kabinetit në Presidencë. Janë Bahri Shaqiri, ish-kreu i SHISH dhe Arben Cici, shef kabineti në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa Ilir Kulla përflitet se do të emërohet shef sigurie.

Po ashtu stafi i zyrës së shtypit të Kuvendit do të transferohet në Presidencë, publikon “Sot”, sipas të cilës: ata që kanë mbajtur poste të larta në Kuvend pritet që Meta t’i marrë më vete, pasi janë të besuarit e tij, kurse pjesa tjetër e stafit dhe administratës së presidencës do të jetë nga rradhët e zyrtarëve të lartë të LSI-së të cilët pritet të dalin papunë pas reformës së shtatorit Rama.

OPINIONE