Milionerët e PD-së para popullit

Nga Arber BUSHI

Grupi anti-Basha i të mbeturve jashtë liste do të zhvillojë ditën e premte një takim live në Tiranë nga ku do t’i bëjnë thirrje demokratëve të bojkotojnë votimin për kryetar që do të zhvillohet të shtunën. Në këtë tubim ata do të flasin për të mirën e popullit, për të mirën e demokratëve, për standartet e demokracisë, për ndershmërinë në politikë duke u mburrur edhe me kontributin dhe sakrificat që ata kanë bërë në gjirin e PD për shumë vite.

Kjo do jetë farsa më e madhe e kësaj dekade: disa politikanët më të pasur të të githa kohërave do t’i flasin popullit për ndershmëri dhe demokraci. Po të vlerësosh pasuritë e rreth 30 personave kryesorë të grupit të të mbeturave jashtë liste, kupton se pasuria e tyre e përbashkët i kalon 100 milionë euro. Të gjitha të vëna me  korrupsion duke abuzuar me pushtetin që PD u dha dhe që ata e molën deri në pikën e fundit. Ato që duken nga pasuria e tyre si vila të shtrenjta, makina luksoze, fëmijë që studiojnë në shkollat më të shtrenjta të botës, veshje milionerësh, pushime sheikësh janë vetëm maja e asbergut e pasurive të këtij grupi milionerësh të korruptuar.

Kështu Ridvan Bode, i cili referohet shpesh në rrethet e elitës së Tiranës si “Ridvani ka aq shumë sa nuk e di ku i ka” është më i pasuri i të gjithë grupit jashtëlistor. Ish drejtor i doganave për dy vjet dhe ish ministër i financave për 10 vjet, Bode është një nga politikanët më të pasur Shqipëri. Bode është njeriu që u hapi dyert e doganave dhe rrugët e kontrabandës dhe evazionit tregtarëve më të mëdhenj në Shqipëri, njeriu që dha koncesione korruptive nga skanimi në dogana tek markimi i karburanteve, njeriu që i mbushi doganat me bashkëfshatarët e tij të cilët i paguanin të gjithë haracin Ridvanit. Vetëm pasuria që Ridvani ka deklaruar zyrtarisht është rreth 1,7 milionë euro. Prokuroria e hetoi para dy vjetësh Boden sepse ai nuk justfikonte 1,5 milionë euro të pasurive të deklaruara zyrtarisht nga ai vetë. Por pasuria reale e Bodes vlerësohet mbi 13 milionë euro, e përbërë nga miliona euro në parajsa fiskale, në dhjetra apartamente dhe pronësi të fshehur në kompani të ndryshme.

Genc Ruli është pioner i korrupsionit në Shqipëri, i hetuar dhe shkarkuar nga ministër në vitin 1993 për korrupsion për eksport kontrabandë mallrash të ndaluara. Është politikani i parë që u mor me biznes në tranzicion se hapi një fabrikë tullash në Vorë që e vuri në emër të kushëririt. Kur PD ishte në opozitë për tetë vjet ju lëpi dhe përfitoi nga të gjitha qeveritë socialiste duke qënë këshilltar dhe mbështetës i Fatos Nanos dhe Edi Ramës. U rifut në PD nga Berisha më 2005 kundër dëshirës së demokratëve dhe u bë katër vjet ministër ekonomie dhe katër të tjera ministër bujqësie. Ruli merrte përqindje për çdo kontratë që nënshkruante dhe ka marrë shuma përrallore si ministri përgjegjës për të gjitha koncesionet dhe privatizimet. Vetëm nga rinovimi i paligjshëm i kontratës së kocensionit të minierës së Bulqizës mori disa milionë euro bakshish. Pasuria e Rulit mendohet që i kalon 10 milionë euro.

Astrit Patozi ka treguar një aftësi të madhe që është bërë multimilioner pa qënë asnjë ditë në ekzekutiv. Por Patozi ka qënë i ngarkuari i Berishës për zonën e jugut nga Vlora në Sarandë dhe ka qënë personi që bënte të gjitha emërimet në doganë, në tatime, në hipoteka dhe në çdo vend tjetër në administratë për këto zona. Me këtë pushtet u ëprfshi në shumë afera pronash në bregdetin e jugut dhe u përfshirë në një sërë biznesesh në zonën e Vorës. Ndër gjithë grupin 100 milionësh Patozi ka dallimin që ka makinën më të shtrenjtë dhe më të vecantë, një Maybach prodhim i Mercedesit çmimi i të cilit fillon me 180 mijë euro. Pasuria e Patozit vlerësohet në të paktën 3 milionë euro.

Jozefina Topalli gjatë pushtetit të PD-së ka qënë administratorja e Shkodrës. Çdo gjë në zonën e Shkodrës vendosej prej saj. Topalli ka trashëguar shumë prona të cilat i mori të gjitha gjatë qeverisjes së PD. Ka patur përfitime të tjera në ndërtime dhe biznese të tjera. Përfitimi i saj kryesor ka qënë favorizimi për pronat e saj, prandaj është e vështirë të vlerësohet pasuria e vënë në mënyrë të paligjshme prej saj.

Majlinda Bregu është bërë disa herë qesharake në publik për të justifikuar luksin e saj. Në çantë 5 mijë euro me të cilën u fotografua e justifikoi publikisht se ishte fallco dhe nuk kushtonte fare, kurse makinën 120 mijë euroshe Jaguar u justifikoi se e kishte blerë për pak mijë euro të përdorur. Bregu është përfolur se merrte 30 përqind të të gjitha projekteve të ndihmës së BE që financonte ministria e integrimit ku ajo shërbeu mbi 7 vjet si ministre. Ndërkohë që kunati i saj trafikant i dënuar droge në Itali ka ndërtuar në Shqipëri një perandori biznesesh nga të cilat kunata Bregu ka përfituar duke i afruar kunatit mbështetje dhe mbrojtje. Pasuria e saj është të paktën 4 milionë euro.

Kush lexon deklarimin e pasurisë së Arben Imamit mund të besoj që ai është pronar i ndonjë zyre imobiliare dhe jo politikan prej 27 vjetësh aq shumë lëvizje blerje e shitje shtëpish ka bërë për të justifikuar pasuritë e paligjshme që ka vënë gjatë kohës që ka qënë ministër i mbrojtjes. Imami u bë i famshëm se edhe pronarëve legjitimë nuk ja u kthente pronat e zaptuara nga repartet e rrënuara ushtarake pa marrë 30-40 përqind si pjesë. Imami luftoi 12 vjet kundër PD-së dhe ishte pjesë e qeverive socialiste ku shërbeu disa herë si ministër. Në vitin 2005 Berisha e riktheu në PD kundër dëshirës së militantëve demokratë të ciëlt e urrenin. Berisha e mbajti të fshehur ndaj militantëve katër vjet si shef kabineti dhe pastaj e nxori në skenë si ministër mbrojtjeje. Si ministër   korruptua në çdo gjë që bëri që nga nafta e makinave të ushtrisë dhe reklamat televizive tek privatizimi i pronave ushtarake. Pasuria e tij mendohet se i kalon 2,5 milionë euro.

Genti Malko është ndoshta më i zoti nga të gjithë grupi i të korruptuarve të PD. Jo për nga  madhësia e pasurisë së vënë me korrupsion por nga shpejtësia dhe shkathtësia me të cilën e vuri atë. Malko ka qënë vetëm dy vjet drejtor i agjencisë së kthimit të pronave për qarkun e Tiranës por vuri në këtë periudhë një pasuri që mund të krahasohet me atë të ministrave shumvjeçarë të PD. Vetëm vila e tij në kompleksin lluksoz Rolling Hills ka kushtuar rreth 1 milionë euro. Ndërkohë, që Malko njihet për pasionin e tij të çmëndur për makina të shtrenjta. Ka të paktën 3 makina mbi 100 mijë euroshe mes të cilave një Mercedes sportiv me vlerë mbi 150 mijë euro. Pasuria e tij mendohet të jetë rreth 2 milionë euro.

Zana Guxholli njihet si këshilltarja më e korruptuar që ka pasur ndonjëherë ndonjë kryeministër. E pafytyrë dhe e pangopur ajo ka shitur aksesin tek Berisha dhe ndikimine tij tek biznesmenët që kërkonin leje, licensa e favore. U përfshi në 2009 në një skandal koncesionesh me firmën Interenergo. Guxholli u komentua gjatë në qarqet elitare të tiranës para dy vjetësh pasi i vodhën shtëpinë ku i morën rreth 300 mijë euro kesh që mbante në shtëpi, por që nuk e denonoci dot në polici se nuk kishte asnjë justifikim për burimin e parave. pasuria e saj vlerësohet të paktën 1,5 milionë euro.

Një tjetër jashtëlistor është ish deputeti dhe drejtori i Aluiznit Adrian Kollozi i njohur si ortaku i Patozit në bixhoz dhe biznese është gjithashtu milioner. Ish deputeti Igli Cara gjithashtu milioner ka qënë praktikisht administrator i Durrësit gjatë qeverisjes së PD-së dhe ka peërfituar nga porti tek tatimet e doganat e Durrësit.

Lista e jashtëlistorëve të korruptuar është e gjatë. Faktikisht me pak përjashtime, i gjithë grupimi jashtëlistor përbëhet nga njerëz që dje e molën qeverisjen e PD dhe sot kanë vendosur të dalin para popullit për nder e drejtësi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne