Minatorët e padukshëm të Tropojës

A. H., 62 vjeç, zgjohet çdo mëngjes, merr kazmën, karrocën, lopatën, dorezat, pak ushqim dhe niset për në vendin e punës. Pasi ecën rreth 15 minuta nga shtëpia, përpara fillojnë t`i shfaqen kodrat.

Qëndron disa minuta për të zgjedhur galerinë, hyn në njërën prej tyre dhe shpenzon rreth 4-5 orë për të nxjerrë nga aty krom. E transporton atë me karrocë në shtëpi dhe e konsideron të mbyllur ditën e punës.

Ai nuk është minator, dhe as dhjetëra bashkëfshatarët e tij nga fshatrat Kepenek, Lejthizë, Kam dhe Zogaj të zonës krommbajtëse të Tropojës, të cilët nxjerrin krom për t`iu siguruar ushqim familjeve të tyre.

Ata nuk dëshirojnë të identifikohen për mediat, por rrëfejnë për PSE se, pavarësisht se konsiderohet e jashtëligjshme, ata grumbullojnë krom nga galeritë e vjetra, të braktisura të kompanive që operojnë në këtë fushë apo duke hapur galeri të tjera, të vogla, aty ku mendojnë se mund të ketë krom. Atë e shesin më pas në subjektet minerare, të licencuara në Tropojë.

S. Xh., 65 vjeç, tregon për PSE se nxjerrja e kromit është një proces i vështirë.

“Unë dal për të mbledhur krom me mjete të vjetra, nuk kam mundësi të gërmoj shumë, pasi është e pamundur me punë krahu. Zakonisht futem në galeri të vjetra dhe marr kromin që subjektet kanë lënë si shtylla mbajtëse për galeritë”, – thekson ai.

Brezi i fshatrave krommbajtëse në Tropojë kufizohet në lindje me Gjakovën, në veri me Bajram Currin, në jug me Krumën dhe në perëndim me fshatrat e Shkodrës.

Kjo zonë konsiderohet e dyta për nga madhësia për nxjerrjen e kromit në vend, pas zonës së Bulqizës, dhe para viteve `90-të qyteza e vogël, minerare e Kamit ishte një qendër e rëndësishme industriale e vendit, duke siguruar një jetesë të kënaqshme për banorët e zonës.

Pas viteve `90-të, kur industria nisi të braktisej, ata filluan të largoheshin për të siguruar një të ardhme më të mirë në qytete të mëdha si Durrësi dhe Tirana.

Pavarësisht burimeve natyrore, kjo zonë është ndër më të varfërat në vend, në një kohë kur industria minerare nuk ia ka dalë t’u ofrojë një jetë më të mirë.

PSE konstatoi se në fshatin Zogaj pjesa më e madhe e familjeve të zonës i siguronin të ardhurat përmes mbledhjes ilegale të kromit.

Autoritetet, pa fuqi në një zonë të fragmentarizuar
Nxjerrja e palicencuar e burimeve natyrore dhe shitja e tyre është një aktivitet i paligjshëm, ndonëse në Tiranë askush nuk habitet, kur pyetet në lidhje me fshatarët e Tropojës që bëjnë ilegalisht punën e minatorëve.

Kujtim Gjoka, shefi i Sektorit të Minierave në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, tha për PSE se ata janë në dijeni për shfrytëzimin e kromit nga banorët e zonave të Tropojës.

“Pas viteve `90-të banorët e fshatit Zogaj etj., shfrytëzojnë kromin në tokat përreth tyre, madje edhe në galeritë e vjetra, të shpallura zona të rrezikshme. Ky fenomen është një problem, të cilin nuk mund ta ndalojmë, pasi është e pamundur nga ana e institucioneve të ruajnë çdo galeri minerare”, – theksoi ai.

Sipas përfaqësuesve të ministrisë, kjo nuk është një çështje që nuk i përket ministrisë, por duhet të administrohet nga një sërë agjencish dhe nga pushteti lokal, në një kohë kur këta të fundit thonë gjithashtu se nuk kanë mundësi të ndalojnë gërmimin e paligjshëm të pasurive minerare.

I pyetur nga PSE, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, deklaroi se edhe ata nuk kishin mundësi të monitoronin territorin në çdo kohë.

“Realisht ne nuk kemi kapacitet t`i kontrollojmë. Ata gërmojnë, aty ku pretendojnë se janë tokat e tyre dhe kjo e bën akoma më të vështirë situatën për t`u monitoruar”, – tha ai.

Por ekspertët e minierave në vend theksojnë se janë politikat e ndjekura nga qeveritë, ato që kanë sjellë këtë situatë absurde me pasuritë natyrore në Tropojë, ku secili duket se “gërmon në tokën që gjen të lirë”.

Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, i tha PSE se problemi nis nga viti 1994, vit kur u miratua ligji minerar, i cili krijon kaos duke i dhënë të drejtën shumë subjekteve të përdorin të njëjtën zonë krommbajtëse.

“Fragmentarizimi i licencave është problemi themelor. Ligji minerar i vitit `94 i jep mundësi disa subjekteve, që plotësojnë kushtet, të përdorin të njëjtën zonë krommbajtëse, siç është Tropoja. Në këtë mënyrë nuk mund të kontrollohen të gjitha subjektet minerare, kushtet e punës, si dhe shfrytëzimi i atyre që punojnë aty”, – theksoi Nikollaj.
Puna në një kompani të licencuar kromi në fshatin Zogaj. Fotografia: Benard Neza
Aktualisht, sipas Ministrisë së Energjisë, në Tropojë janë licencuar 30 kompani për shfrytëzimin e nëntokës së pasur minerare të katër fshatrave.

Fragmentarizimi i licencave është, sipas ish-zv/ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Pajtim Bello, problemi thelbësor që e lë zonën të pazhvilluar dhe sjell shfrytëzimin e banorëve për të mbledhur krom me një kosto më të ulët në favor të firmave.

“Ka subjekte që punojnë edhe me 3-4 minatorë dhe pjesën më të madhe të kromit e grumbullojnë nga banorët e zonës, të cilët mbledhin krom në tokat e tyre, madje edhe në galeritë e vjetra , të cilat janë zona të rrezikshme. Në këtë mënyrë subjektet minerare kursejnë sigurimet, krijimin e kushteve të punës dhe marrin krom pa kosto”, – thekson ai.

Sipas ekspertëve, fragmentarizimi i zonës nuk lejon zhvillimin e kompanive të mëdha në këtë zonë minerare, gjë e cila do të bënte të mundur punësimin e një numri të konsiderueshëm banorësh dhe do të lejonte zhvillimin e mëtejshëm të zonës duke rritur kapacitetet nxjerrëse përmes modernizimit teknologjik në kërkim të shfrytëzimit.

Pavarësisht këtyre argumenteve, përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë besojnë se ligji aktual, minerar, i trashëguar nga viti 1994, është i përshtatshëm për nevojat e vendit dhe sjell një konkurrencë të shëndetshme mes kompanive të interesuara për shfrytëzimin minerar.

Fatos Manastirliu, shefi i Sektorit të Politikave të Minierave në Ministrinë e Energjitikës, tha për PSE se e konsideron fragmentarizimin e licencimit si faktor nxitës të konkurrencës në një ekonomi të lirë.

“Ligji minerar i vitit 1994 ndihmon në rritjen ekonomike, është ligji më i mirë për të rritur kapacitetet shfrytëzuese. Nëse ka shumë kompani, do të thotë që ka më shumë sasi kromi për t`u eksportuar”, – theksoi ai.

Ekspertët gjithashtu mendojnë se ligji aktual për shfrytëzimin minerar krijon edhe probleme të tjera. Specialisti i njohur i minierave, Martin Cukalla, beson se një nga problemet kryesore në këtë ligj është fakti se projektet për zhvillimin e zonave iu lihen kompanive dhe nuk administrohen nga shteti.

“Projektet duhet t`i përpilojë shteti. Shumë prej tyre nuk kalojnë as në duart e inxhinierëve të minierave. Subjektet që aplikojnë për leje, ofrojnë më tepër pará sesa projekte të mira. Zona ka nevojë për një projekt të përgjithshëm për të shmangur abuzimet”, – thekson ai.

Rreziku për jetën dhe dëmet në mjedis
Nxjerrja e kromit pa licencë dhe shitja e tij nuk është vetëm një praktikë, e cila konsiderohet e paligjshme, por ajo vë në rrezik dhe jetën e banorëve, të cilët nuk kanë specializimin e duhur për të nxjerrë krom.

Kol Nikollaj thotë se banorët, kryesisht në fshatrat e Tropojës, janë rrezikuar shpesh nga hyrja në galeritë e vjetra.

“Në Tropojë kanë ndodhur shumë aksidente në minierat e vjetra dhe faji nuk është i askujt. Banorët futen vetë në mënyrë të paligjshme në minierat e rrezikshme, ku ka shpërthime gazi e shembje gurësh”, – thotë ai.

Eksperti për çështjet e minierave, Martin Cukalla, tregon se banorët janë të pafajshëm, për shkak se nuk kanë rrugë tjetër për të siguruar të ardhurat.

“Pasuria ndodhet në tokën e banorëve më të varfër të vendit, sistemi i ka lënë këta banorë në këtë gjendje. Doemos që do gjejnë një mënyrë për të mbijetuar. Nuk kanë kapacitete të fitojnë shumë, por rrezikojnë shumë”, – theksoi ai.

Për nxjerrjen e kromit banorët punojnë në kushte të vështira, pa siguri në zonat ku futen, të ekspozuar dhe pa mbrojtje në rastin e problemeve shëndetësore.

Një galeri normale ka parametra të caktuar për ajrin, lagështinë, ndriçimin, pajisjet. Për minatorët gjithashtu ekzistojnë rregulla për mënyrën e të ushqyerit që të mund të përballojnë punën e vështirë të nëntokës.

Subjektet minerare në Tropojë janë përfituesit kryesorë në këtë situatë.
Terren i dëmtuar si pasojë e nxjerrjes së kromit në Zogaj. Fotografia: Benard Neza
Ata nuk punësojnë banorët e zonës, sepse kjo nënkupton më tepër kosto për sigurime, pajisje për minatorët dhe investim në teknologji për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, por e shfrytëzojnë punën e tyre pa marrë përsipër detyrimet.

Mjedisi dhe gjallesat e tjera që jetojnë në zonë gjithashtu rrezikohen nga lënia e mbetjeve të kromit. Uji që kalon në galeritë e vjetra, të lëna të braktisura dhe mbetjet e kromit kanë aftësi helmuese për gjallesat.

Ish-zv/ministri dhe eksperti, Pajtim Bello, tregon për PSE se, rasti i lumit Fan dëshmon dëmet e parikuperueshme që ndodhin në mjedis si pasojë e keqshfrytëzimit të pasurive natyrore.

“Një shembull i tillë është lumi Fan, i cili s’ka më peshq për shkak të helmimit të ujit nga mbetjet e kromit. Zonat krommbajtëse kanë bimësi të varfër. Mbetjet e kromit dëmtojnë rëndë ekosistemin”, – shpjegon ai.

Ndërkaq, si pasojë e gërmimeve të pakontrolluara për krom në zonë, terreni i fshatrave është shkatërruar dhe gropat që funksionojnë si galeri duken si plagë që janë përhapur kodrave.
Terren i pa rehabilituar pas nxjerrjes së kromit. Fotografia: Benard Neza
Ligji minerar detyron çdo subjekt që licencohet të parapaguajë një fond për rehabilitimin e sipërfaqes së tokës që do shfrytëzojë. Rehabilitimi parashikon mbylljen e galerive dhe mbjelljen e pemëve në përfundim të shfrytëzimit të një zone. Kur galeritë hapen nga vetë banorët, kompanitë e shfrytëzimit të kromit nuk ndihen përgjegjëse për ta përmbushur këtë detyrim.

Përfaqësuesi i ministrisë, Fatos Manastirliu, thotë se ky fond është garanci për shtetin, nëse subjekti nuk zbaton planin e rehabilitimit.

“Çdo subjekt e rehabiliton tokën, grykat e galerive mbyllen, por banorët vendas, që mbledhin krom, i hapin përsëri. Raste të tilla nuk mund të ndalohen. Agjencitë përkatëse të ministrive kryejnë kontrolle dhe parandalojmë, sa mundemi”, – thekson ai.

Por eksperti Martin Cukalla thotë se shumica e subjekteve nuk e përfundon rehabilitimin dhe aq më pak mbjelljen e pemëve. Ai beson se autoritetet përkatëse nuk e kanë situatën nën kontroll, as për firmat shfrytëzuese dhe aq më pak për ato galeri të hapura nga individët.

Situata në Tropojë i ngjan një “Perëndimi të Egër”, ku banorët e zonës janë në mëshirën e fatit dhe firmave të licencuara të kromit./PSE

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne