Ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Britanisë viztuan kufirin turko-sirian

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, i shoqëruar nga homologu i tij britanik Ben Wallace, vizituan kufirin turko-sirian, ku jetojnë qindra mijëra refugjatë sirianë në kushte shumë të vështira.

Dy ministrat Akar dhe Wallace vizituan bazën e forcave kufitare, ku u pritën me pritje zyrtare dhe më pas nga Kulla e vëzhgimit ndoqën zhvillimet në kampin e refugjatëve Atme që ndodhet në pjesën siriane të kufirit.

Guvernatori i provincës ndërkufitare turke Hatay, Rahmi Dogan njoftoi ministrat për situatën dhe aktivitetet humanitare në rajon.

Duke treguar për tragjedinë që përjetojnë refugjatët sirianë në kufi, përfshirë familjet të cilat janë shpërngulur deri në shtatë herë që nga fillimi i luftës në Siri, Rahmi tha se organizatat humanitare turke sigurojnë ushqim dhe ilaçe për këta njerëz.

Dogan tha se afër 1.5 milion civilë të pafajshëm ishin zhvendosur nga sulmet e kryera nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib, duke shtuar se 3.000 kamionë me ndihma humanitare ishin dërguar nga Turqia vetëm në tre muajt e fundit në këtë pjesë.

Në takimin midis ministrave Akar dhe Walace në kufi mori pjesë edhe koordinatori i ndihmës humanitare të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Kevin Kennedy.

Walace tha se Britania e Madhe mbështet iniciativat e Turqisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe NATO-s si dhe operacionet ushtarake që synojnë përfundimin e konfliktit dhe dramës në Idlib të Sirisë.

Ai shprehu gatishmërinë e Britanisë së Madhe për të mbështetur përpjekjet e Turqisë dhe për të ofruar ndihmë humanitare për refugjatët sirianë.

Koordinatori i OKB-së, Kennedy tha se refugjatët po përballen me probleme të mëdha sepse nuk kanë kushte të mjaftueshme jetese në kufi.

Duke theksuar vendosjen e fundit të armëpushimit në Idlib, e cila ka rezultuar me ulje të tensioneve, Kennedy tha se Turqia po bën një punë të shkëlqyeshme për të ndihmuar banorët e kampit të refugjatëve, 60 përqind e të cilëve janë fëmijë.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të kuptojë barrën që bart Turqia dhe ta ndihmojë në mënyrë konkrete./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne